E Diel, 1 Nëntor 2026

100 për qind për Kosovën



Nga Azgan Haklaj

Të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm ata, janë tërësisht të fokusuar për atë që po ndodh në Kosovë dhe me Kosovën. 17 Shkurti 2008 është e qartë se ndonëse proklamoi botërisht shtetin e ri, akoma ka tendencë të materializuar për eksperiment të mëtejshëm me të. Institucionet kosovare punën e të cilave që nga 15 qershori duhet ta rregullonte Kushtetuta e Re e këtij vendi, akoma janë infantike dhe pengohen herë me zë, e herë pa zë nga ndërkombëtarët. Akoma dhe sot, dhjetëra misione multietnike funksionojnë në Kosovë duke ushtruar e përcjellë secili opinionet dhe qëllimet e vendit të vet. Enklavat serbe tashmë s’kanë vetizolim e ruajtje nga KFOR, por vazhdojnë padrejtësisht rebelimin. Në një vizitë mes tyre do të shikosh se edhe targat e makinave në pronësi të serbëve vazhdojnë të jenë të paregjistruara, pra ato të kohës së Millosheviç. Mitrovica, thembra e Akilit e këtij procesi post-shtet vazhdon të jetë jo vetëm në anarki, por dhe një qendër provokimi ditor i Serbisë. As KFOR, UNMIK apo Euleks nuk kanë menduar seriozisht për integrimin e kësaj treve, anise aty vriten shqiptarë e ndërkombëtarë, digjen gjykatat e shkatërrohen doganat. Qeveria e Kosovës, ndonëse premton verbalisht të ushtrojë influencën e saj në rrethanat e reja kostitucionale, duket apatike. Serbia e ndihmuar nga aleatët e saj ndërmerr çdo ditë nisma deri të padëgjuara ndonjëherë në praktikën ndërkombëtare, vetëm e vetëm për të penguar procesin e konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës si dhe për të vjelë maksimalisht përfitime politike e ekonomike nga shkëputja e Kosovës. Në këto kushte jo vetëm investitorët e partnerët e huaj, por edhe vetë kosovarët janë me të drejtë të ç’orientuar. Kjo panoramë me gjithë lutjet tona e ka zbehur entuziazmin që solli Pavarësia. E lënë pa fre, nën maskën e mosintegrimit enklava serve, ndonëse gëzon me Kushtetutë privilegje sociale, ekonomike e politike të padëgjuara më parë në ndonjë vend, jo vetëm injoron institucionet qendrore e lokale, por çdo ditë po degjeneron në faktor destabiliteti, desintegrimi deri edhe në bartëse masive të kontrabandës dhe trafiqeve. Në këto kushte para faktorit shqiptar në Kosovë, por dhe përpara aleatëve duket se po rishfaqen sfida dhe dilema të mëdha. Shteti i ri i Kosovës në këto kushte është përpara një përgjegjësie jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare. Së pari, Republika e Kosovës duhet të determinojë me emergjencë vijën dhe njehsimin e saj integral territorial dhe të ushtrojë influencën e saj sipas direksioneve kushtetuese.
Së dyti duhen sqaruar të gjitha kompetencat e ndërkombëtarëve në këtë vend dhe s’duhet lejuar për asnjë moment apo arsye që ato të bien ndesh me principet themelore të një shteti sovran.
Në rrugë diplomatike me agresivitet e zhdërvjelltësi duhet të thellohet procesi i njohjes së Kosovës. Kjo njohje më shumë se një besim tek kompani biznesi ndërkombëtare duhet të jetë produkt i punës së vetë institucioneve të Kosovës, të ndihmuara në këtë proces nga Shqipëria dhe aleatët reputativë të saj.
Në këtë proces fillestar shteti dhe diplomacia kosovare paralelisht me reklamimin e të drejtave kushtetuese që ju kanë siguruar minoritetit serb në Kosovë, duhet të kërkojnë nga Serbia dhe ndërkombëtarët që e njëjta gjë t’ju sigurohet minoriteteve shqiptare në Luginën e Preshevës, Sanxhak etj. Duhet thënë se deri më tani është bërë shumë pak për këtë çështje. Ringritja dhe përkushtimi energjik në këtë çështje është jo vetëm strategjik, por së pari një nevojë e karakterit humanitar, pasi komuniteti shqiptar nën Serbi vazhdon të jetë i zhveshur politikisht e ekonomikisht deri dhe nga të drejtat thelbësore njerëzore. Me të gjithë vendet që kanë njohur shtetin e Kosovës, qeveria kosovare duhet imediatisht, jo vetëm të notojë në këtë nivel njohjeje dhe miqësie, por të zhvillojë marrëdhënie si dhe të ndërtojë marrëveshje bilaterale, siç dhe po ndodh në disa fusha me Shqipërinë.
Politikanët shqiptarë në Tiranë, Shkup e Mal të Zi, duhet të intensifikojnë përpjekjet për të bashkërenduar me Prishtinën, jo folklorisht e për profite politike, por për të ngritur në funksionim një strategji të vërtetë kombëtare.
Në këtë shqetësim timin nuk dua të predikoj dhe as të bëj analistin e moralistin, sesa të parashtroj sinqerisht shqetësimin tim për atë çka po ndodh në Kosovë. Unë kam insistuar dhe vazhdoj të insistoj se koha e entuziasmit legjitim si ajo e pasluftës apo pas 17 Shkurtit 2008, duhet jo vetëm tejkaluar, por duhet zëvendësuar me kohën racionale të punës, me strategji e agresivitet diplomatik, ndryshe nuk ecet jo vetëm me ritmin që diktohet sot në univers nga ngjarje të vjetra e të reja, por ekziston risku i bllokimit të një procesi që ka po aq rëndësi sa vetë çlirimi dhe indipendenca nga Serbia. Shteti shqiptar, megjithë kontributin ka obligim por dhe rezervë se ç’t’i jap më tej Kosovës në fushën diplomatike, ekonomike, sociale si dhe në intensifikimin e asistencës në ngritjen e institucioneve kosovare. Kjo ndihmë nuk diktohet nga paternalizmi, por nga vetë vullneti i një kombi të ndarë padrejtësisht. Historia botërore në këtë fillim-milienium është histori e aksionit shumëplanësh, dhe aksioni nëse nuk ndodh në kohën e hapësirën e duhur jo vetëm që s’është më i tillë, por rrezikon të kthehet në bumerang. Nuk mendoj se në histori ka pasur ndonjë aksion të një rëndësie të tillë për shqiptarët sesa Kosova. Pa dashur të heq paralele krahasuese me një minitregim mes Kosovës dhe Izraelit, përveç vuajtjes biblike që kanë pësuar të dy këta popuj, po serviren në këtë shqetësim timin nga një event real: “Përpara 10 vitesh një miku im kosovar, Sulejman Beqa, rastësisht takohet me një intelektual hebre në një aeroport të Zvicrës. Pasi hebreu e pyeti zotërinë nga Kosova, për situatën e vendit të tij, atë bëjnë këtë minidialog: Hebreu e pyeti se cili ishte kontributi i tyre për të ndryshuar gjendjen në Kosovë. Z. Beqa i tha se kosovarët jepnin 3 për qind të të ardhurave të tyre për çlirimin e Kosovës.
Hebreu: Aq për qind sa jepni po në atë përqindje do ta keni probabilitetin e çlirimit. Ne hebrenjtë, dhamë e vazhdojmë të japim 100 për qind.
Falë zotit konstatimi i hebreut nuk doli, dhe Kosova është çliruar dhe pavarësuar. Por morali i fabulës është realist. Nëse duam që 100 për qind proceset në Kosovë të shkojnë në rrugën e duhur, po 100 për qind duhet të jetë edhe kontributi i secilit. Miqtë tanë, të mëdhenj apo të vegjël, të fortë apo të dobët e kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin ndihmesën e tyre. Por bota është në gjaknxehtësi luftërash dhe siç thotë Zhak Prevert: “jo kushdo që është sot i njëjtë, duhet të jetë i tillë nesër”. Prandaj të ngutemi shqiptarisht drejt gjërave që na takojnë. E ndër këto gjëra Kosova ka rëndësi primare. Edhe 100 për qind sot është pak për Kosovën. Ne vërtet presim ditë të mira, por le ta lëmë kullën tonë të përgatitur edhe për dimra të këqij. Kosova sot është në qendër të vëmendjes botërore. Po aq edhe faktori shqiptar. Ndryshe s’do të kish ndodhur që një kandidat për Shtëpinë e Bardhë si Obama të ndryshonte po 100 për qind deklaratën e tij për Kosovën. Le ta shfrytëzojmë këtë moment. Është mirë për Kosovën, Shqipërinë, por edhe për rajonin, kontinentin e më gjerë...

30 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›