Politekniku, propozon 40 vende për “Edukimin në distancë”
Vetëm 40 studentë do të mundin t’i ndjekin studimet e larta në Universitetin Politeknik të Tiranës, sipas sistemit të “Edukimit në distancë”. Ndërkohë që këto studime pritet të kenë edhe çmimet më të kripura të studimit në këtë universitet, ku një vit shkollimi do të kushtojë 60 mijë lekë. Rektori i këtij universiteti, Jorgaq Kaçani, e argumenton këtë tarifë me faktin se studentët duhet të paguajnë vetë të gjitha shpenzimet, dhe këtë vit do të aplikohen studimet me projektorë, që do të thotë se studimet mund të ndiqen edhe në largësi nëpërmjet kompjuterit. Universiteti Politeknik, nga vetë karakteri i studimeve që ka dhe i diplomave që nxjerr, nuk ka studime me kohe të pjesshme. Megjithatë, ata që dëshirojnë të ndjekin studimet në degët e Politeknikut, por nuk kanë mundësi të jenë të qëndrojnë kohën në auditore, mund të ndjekin një lloj të ri studimi, që është: “Edukimi në distancë”.
Propozimi
Kreu i Politeknikut bën të ditur se për sistemin e “Edukimit në distancë” janë dërguar propozimet në Ministrinë e Arsimit dhe pritet një përgjigje që të hapen degët si gjithë degët e tjera. “Kemi propozuar rreth 40 vende, që kanë qenë tradicionalisht për çdo vit për degët Prodhim dhe Logjistikë”,- shprehet Kaçani. Një vit më parë, sistemi edukimit në distancë është ndjekur edhe në degën e Teknologjsië së informacionit. Ndërsa këtë vit, është hequr “Edukimi në distancë” në këtë degë, për arsye se këtë vit, numri i pranimeve në këtë degë për sistemin me kohë të plotë është i lartë. Kjo ka bërë që drejtuesit e Politeknikut të mos e shohin të arsyeshme që të hapet “Edukimi në distancë” në këtë degë. Gjatë vitit të kaluar, fituan të drejtën në këtë lloj studimi rreth 150 maturantë. Deri tani, shkollat shqiptare të edukimit në distancë funksionojnë në dy drejtime: informatike dhe telekomunikacion, duke përgatitur për çdo vit rreth 20 diplomantë.
Rektori
Rektori i Politeknikut, Jorgaq Kaçani, shpjegon arsyen pse fakultetet e Universitetit që ai drejton nuk e zbatojnë sistemin e studimeve me kohë të pjesshme. “Fakultetet e Universitetit Politeknik nuk kanë sistem part-time, por kanë sistemin e edukimit në distancë dhe nuk e kanë frekuentuar asnjëherë sistemin part-time, që është tradicional për universitetet që nuk kanë nevojën e një formimi praktik, pra të një formimi laboratorik dhe projekte të mirëfillta kërkimore dhe shkencore në realizimin e projekteve dhe detyrave laboratorike”,- sqaron Kaçani. Sipas tij, Universiteti Politeknik është i përjashtuar nga skema e studimeve part-time, pasi këto forma studimi nuk janë në natyrën e tij, për vetë angazhimin që vetë studentët duhet të kenë për kualifikim. Ndërsa përsa i përket hapjes së degëve të reja për këtë vit akademik, Kaçani bën të ditur në Universitetin Politeknik janë hapur degë të reja si Gjeoteknikët, të cilët do të përgatiten në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Këto janë degë të nivelit të dytë dhe janë hapur në proces të degëve të reja që do të hapen këtë vit pranë Universitetit Politeknik të Tiranës.
Tarifa
Edukimi në distancë do t’i kushtojë shumë shtrenjtë të rinjve që duan të ndjekin gjatë këtij viti akademik këtë sistem në Universitetin Politeknik. Ky i fundit, ka propozuar që tarifa e shkollimit për edukimin në distancë të jetë 60 mijë lekë të reja për çdo vit akademik. Për vitin akademik 2008-2009, Universiteti Politeknik do të pranojë 40 studentë në sistemin e studimeve “Edukimi në distancë”, ose “Distance learning”. Është vendosur që 40 studentë të pranohen në degën e Mekanikës. Për sa i përket kostos së një viti edukimi në distancë, ajo është mjaft e lartë në krahasim me tarifat vjetore të shkollimit për sistemet e tjera të studimit. Duke qenë se fillon edhe më vonë, viti akademik për “Edukimin në distancë” zgjat më shumë se të tjerët. Gjithashtu, studimi sipas këtij sistemi parashikon kryerjen e studimeve me anë të video-konferencave.
30 Shtator 2008