Plagosja e efektivit të FNSH-së, policia gjen armën e krimit
Tiranë – Pas ngjarjes së dy ditëve më parë ku mbeti i plagosur shtetasi Artan Metuku dhe u arrestua në flagrancë njëri prej autoreve, Erlis Belba, shërbimet policore, gjatë kontrollit të vendit të ngjarjes bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të armës së krimit, një automatik model 56, i kalibrit 7.62 mm, i cili u dërgua për ekzaminim në Institutin e Policisë Shkencore, si dhe një krehër automatiku dhe 40 fishekë të kalibrit 7.62 mm. Nga këto shërbime po vazhdon puna intensive për kapjen e autorit tjetër të kësaj plagosje.
Arrestohet turku 21–vjeçar, ushtroi dhunë mbi policinë
Tiranë - Forcat policore të Komisariatit Nr. 2 kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit turk Osman Dimitrash, 21 vjeç, lindur në Turqi dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë pasi dje rreth orës 05:00, në rrugën “Vaso Pasha”, ka goditur me grushte e shkelma 4 punonjës të patrullës së policisë. U kryen veprimet procedurale dhe materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale të “goditjes për shkak të detyrës” dhe “fyerjes për shkak të detyrës”.
Vodhi motoçikletën, procedohet në gjendje të lirë i mituri
Tiranë - Policia dërgoi në prokurori materialet për një shtetas të mitur. M. C., 11 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë, i proceduar disa herë për vjedhje. Ai akuzohet për veprën penale të “vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal. Burime policore thanë për gazetën se shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Nr. 1 vërtetuan se i mituri rezulton të jetë autori i vjedhjes së motoçikletës tip “Piaxho” pronë e një shtetasi, ngjarje e ndodhur tek sheshi “Italia”, pranë një lokali. U kryen veprimet procedurale dhe në cilësinë e provës materiale u sekuestrua motoçikleta e vjedhur.
30 Shtator 2008