E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata, burg pa afat për efektivin e Specialëve, Sokol Stojani



Tiranë - Gjykata e Tiranë dha dje masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-efektivin e FNSH-së që kreu vrasje disa ditë më parë. Burime pranë kësaj gjykate pohuan dje për gazetën “Albania” se ndaj Sokol Stojanit u la në fuqi kërkesa e përfaqësuesit të Akuzës. Të njëjtat burime shpjeguan më tej se prokuroria e akuzon të arrestuarin për vrasje me dashje të ish-efektivit të Policisë, Muharrem Lita. Mësohet se Stojani nuk ka preferuar të flasë shumë për ngjarjen, duke thënë se u qëndron deklarimeve të dhëna në polici, se krimi kishte ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. Sipas tij, sherri ka ndodhur pasi të dy kanë shkëmbyer sharje me njëri-tjetrin. Sipas policisë, autori dhe viktima fillimisht kanë debatuar me njëri-tjetrin në ambientet e brendshme të kazinosë, që ndodhet në afërsi të Stacionit të Trenit në kryeqytet. Më pas grindja mes tyre ka denigruar, ku autori i dyshuar ka qëlluar tri herë me armë zjarri tip “Beretë” viktimën, goditje të cilat kanë shkaktuar dhe vdekjen e menjëhershme të 45-vjeçarit Lita. Sipas ekspertëve, i ndjeri ka marrë dy plumba, një në trup dhe tjetrin në kokë, dhe mendohet se ky i fundit ka rezultuar fatal për 45-vjeçarin, që luante në kazinonë te Stacioni i Trenit. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma dhe gëzhojat të llojit pistoletë, e cila aktualisht po u nënshtrohet ekzaminimeve balistike të armës. Nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit u shoqëruan edhe 10 shtetas, dëshmitarë okularë, mes tyre dhe dy kolegë të Stojanit, të cilët po merren në pyetje në lidhje me sqarimin e rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje.
L. Rryçi

30 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›