Zbardhet grabitja e dy turisteve gjermane, në pranga tre të mitur
DURRËS- Identifikohen dhe ndalohen autorët e vjedhjes me dhunë të dy shtetaseve gjermane në Plazhin e Durrësit. Shërbimet e Seksionit të Luftës Kundër Krimeve Ndaj Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit finalizuan tre ditë më parë operacionin “Apolonia”, në kuadër të së cilit u bë e mundur zbardhja e një ngjarjeje të rëndë të ndodhur në zonën e plazhit të Durrësit, ku u grabitën dy ekspertë gjermanë. Policia konfirmoi se ka bërë të mundur identifikimin, kapjen, ndalimin e autorëve të dyshuar për kryerjen e saj si dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes. Autorë të dyshuar, janë E. S., 17 vjeç, lindur në Durrës e banues në Lagjen Nr. 13 Durrës, nxënës në vitin e katërt të shkollës së mesme private ”Vëllezërit Kajtazi”, A. M., 16 vjeç, lindur në Durrës e banues në lagjen Nr.11 Durrës, nxënës në vitin e dytë, edhe ky në shkollën e mesme private “Vëllezërit Kajtazi” Durrës, si dhe A. D., 15 vjeç, lindur në Durrës e banues në Lagjen Nr. 13 Durrës, nxënës në vitin e dytë të shkollës së mesme publike “Gjergj Kastrioti” Durrës. Ngjarja ndodhi para pesë ditësh, kur në orën 20:15, dy shtetaseve gjermane, të ardhura në Shqipëri në funksion të një shoqate për mbrojtjen e kafshëve, u janë vjedhur me dhunë një videokamerë dixhitale e markës “Sony”, një aparat telefonik celular, shuma prej 200 USD, shuma prej 3100 lekësh si dhe pasaporta personale e njërës prej tyre. Ngjarja ndodhi në sektorin “Apolonia” Plazh në Durrës, në kohën kur ato kishin dalë për shëtitje në breg të detit. Autorët, që u identifikuan pikërisht tre të miturit, i sulmuan dhunshëm duke u shkaktuar terror dy grave të pambrojtura. Policia gjeti dhe sekuestroi sendet dhe paratë e vjedhura, të cilat iu përkisnin dy shtetaseve gjermane; një videokamerë dixhitale tip “Sony”, një aparat telefonik celular, një kartëmonedhë 2 dollarëshe. Po ashtu u bllokua edhe një armë zjarri automatike, model 56, i kalibrit 7,62 mm, dy krehra automatiku. Ndaj tre të rinjve, ku dy prej tyre janë të mitur, nisën hetimet nga prokuroria për veprën penale të “vjedhjes me dhunë, në bashkëpunim”.
Grabitet me dhunë pika e tregtimit të hekurit, bien në pranga dy prej autorëve
KORÇË – Tre persona janë identifikuar dje nga policia e Korçës si autorë të një grabitjeje të dhunshme që përfundoi me plagosjen e një punonjësi shërbimi roje dhe masakrimi i qenit të tij. Ngjarja e rëndë ndodhi në Korçë, në orën 00.30 të ditës së djeshme. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se autorët e dyshuar të krimit, janë Namik Osman Zaçe, 42 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Sektori Gradishtë të rrethit të Fierit dhe Gentian Gëzim Shkëmbi, 29-vjeç, lindur dhe banues në lagjen Nr. 6 në Korçë dhe bashkëmoshatari i këtij të fundit, po nga Korça, Robert Xoxe. Dy të parët, Zaçe dhe Shkëmbi janë arrestuar dje në mëngjes, konfirmoi policia kurse i treti i shpëtoi ndjekjes policore dhe është shpallur në kërkim. Dy të rinjtë korçarë dhe fieraku kanë shkuar për të vjedhur duke përdorur dhunë, në lagjen Nr 6 në Korçë dhe konkretisht tek Ura e Fajancës, në pikën e grumbullimit të hekurit. Kur janë përballur me masat e sigurisë së objektit, që konsistonin në ruajtje me qen dhe shërbim roje sigurie, ata nuk e kanë bërë të gjatë, por kanë vijuar planin e tyre. Fillimisht, kanë masakruar me thikë qenin e kësaj pike të grumbullimit të hekurit dhe më pas i janë sulur rojës duke e dhunuar dhe atë e i shkaktuar plagë të ndryshme në trup. “Pas kësaj ngjarjeje, tre autorët nuk kanë mundur të kryejnë vjedhje dhe janë larguar”, - sqaroi policia. Ajo shtoi se u kryen veprimet procedurale për veprën penale të “vjedhjes me dhunë të kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”.
30 Shtator 2008