E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gërdec” në Berat, 4 të vdekur dhe tre plagosur nga flakët e cisternës



BERAT – Gërdeci përsëritet sërish, por në një vend tjetër dhe në rrethana të tjera. Flakët kanë rënë në një pikë të tregtimit të karburanteve buzë rrugës kombëtare Fier-Berat, duke shkaktuar një të vdekur dhe tre të plagosur, ku pjesa më e madhe e tyre janë anëtarë të një familjeje. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Beratit bëjnë të ditur se mesditën e djeshme ka rënë zjarr në një pikë të tregtimit të gazit në fshatin Lapardha të komunës Otllak, rreth 15 km larg qytetit të Beratit. Nga të dhënat në grupin hetimor, një bisht cigareje duket se është bërë shkas që të marrë flakë një autobot me gazin e lëngshëm, në momentin që po shkarkohej për në depozitat e pikës që ndodhet në krah të autostradës. Zjarri ka përfshirë një nga zyrat e firmës së tregtimit, ku gjeti vdekjen 9-vjeçarja Artenisa Cani. Ndërkohë që janë plagosur pronari Beqar Cani, bashkëshortja e tij, Suzana dhe shoferi i autobotit, Dashamir Hagaj.
Ngjarja
Beqar Cani, pronar i një pike të tregtimit të gazit në fshatin Lapardha, ka qenë duke shkarkuar gazin e ardhur nga një autobot me targa të Fierit, që furnizohej rregullisht prej tij. Por në momentin e zbrazjes së lëndës nëpërmjet tubave, pika e tij ka shpërthyer nga flakët. Njëra nga zyrat e firmës është shkrumbuar e gjitha, duke shkaktuar vdekjen e 9-vjeçares Artenisa Cani. Burimet policore bëjnë të ditur se gjatë shpërthimit janë djegur edhe pronari i pikës së gazit, 43-vjeçari Beqar Cani, bashkëshortja e tij Suzana, 40 vjeçe dhe shoferi i autobotit, Dashamir Hagaj, 55 vjeç, banues në qytetin e Fierit. Në momentin e ngjarjes banorët e zonës ndodheshin në arat e tyre duke punuar. Ata kanë dëgjuar shpërthimin e fuqishëm dhe janë drejtuar menjëherë për në fshat. Ka qenë pikërisht njëri nga fqinjët e familjes Cani ai që ka ardhur me vrap dhe ka parë bashkëshortët Cani dhe shoferin e mjetit, të cilët nga përpjekjet për të dalë në këmbë në rrugën kryesore për të kërkuar ndihmë kishin rënë pa ndjenja rreth 100 metra larg vendit ku shpërtheu cisterna. Ata janë transportuar me urgjencë në drejtim të Spitalit Rajonal të Beratit dhe pas marrjes së ndihmës së parë u dërguan për trajtim të specializuar në spitalin “Nënë Tereza” në kryeqytet.
Hetimi
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar thuajse të gjithë efektivat dhe drejtuesit e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat, punonjësit e repartit zjarrfikës dhe ekspertët mjeko-ligjorë, të cilët kanë mundësuar largimin e bombolave të vogla e të mëdha të gazit si dhe lokalizimin e shkëndijave të mbetura me flakë. Në këtë mënyrë janë shmangur edhe një sërë shpërthimesh të tjera të mundshme në vendin e ngjarjes. Gjatë ekzaminimit të vendit është gjetur e shkrumbuar në njërën nga dhomat e kësaj pike edhe vajza 9-vjeçare e bashkëshortëve Cani, e cila është përcjellë për në morgun e qytetit të Beratit. Policia po punon për gjetjen e shkakut të këtij shpërthimi, ndërkohë që dy janë pistat ku po hetohet: rënia e zjarrit nga pakujdesia e hedhjes së ndonjë cigareje, ose ndonjë shkëndijë në tubat përcjellës së gazit. Gjatë gjithë këtij viti kanë ndodhur një sërë shpërthimesh nëpër banesa dhe pika tregtimi të bombolave të gazit, të cilat kanë shkaktuar edhe viktima. Ndonëse janë lajmëruar masa ndëshkimore për subjektet që tregojnë lëndë të rrezikshme, sërish rreziku është pranë nesh, duke përbërë një kërcënim të vazhdueshëm me pasoja të rënda si ato që ndodhen në Gërdec.

BILANCI I TRAGJEDISË
Artenisa Cani, 9 vjeçe, e vdekur
Beqar Cani, 43 vjeç, i plagosur
Suzana Cani, 40 vjeçe, e plagosur
Dashamir Hagaj, 55 vjeç, i plagosur

30 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›