“Korrupsioni”, nis gjykimi i ish–punonjësve të Hipotekës
Luan Kondi
TIRANË – Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë deklaroi dje hapjen e procesit gjyqësor në ngarkim të 6 personave, tre prej tyre ish-punonjës të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të akuzuar për abuzime në detyrë në lidhje me regjistrimin e pronave. Përfaqësuesi i prokurorisë depozitoi dje në Gjykatë kërkesën për gjykimin e të pandehurve: Enton Babameto, Artan Mehmeti dhe Ramiz Hykaj, ish-punonjës të Hipotekës; Dali Harkorja, ish - oficer i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB); Veiz Senko dhe Halil Hima, të cilësuar si sekserë në aferat e dyshimta me pronat. Personat e lartpërmendur mendohet se janë përfshirë në abuzime me detyrën në lidhje me tjetërsimin e disa pronave për qëllime përfitimi. Seanca e radhës pritet të realizohet të hënën e ardhshme, kur të pandehurit do të njihen me aktet procedurale të mbledhura nga prokuroria.
Arrestimi
Një certifikatë pronësie, e cila shkonte deri në 35 mijë euro, ka qenë edhe pazari që çoi në arrestimin e një qytetari nga Tirana dhe më pas u zbulua edhe skema e abuzimit nga 3 punonjës të Hipotekës dhe të tre sekserëve të tyre. Qytetarit i ishte ofruar ndihmë nga Veiz Senko, i cili ka dalë garant se prona do të regjistrohej në kohë rekord. Kjo realizohej sipas deklaratave të prokurorisë me marrje ryshfeti nga regjistruesit Artan Mehmeti, Ramiz Hykaj dhe Enton Babameto, të cilët u vunë në pranga disa ditë pas ngjarjes. Hetimi vërtetoi se personi lidhës mes qytetarit dhe tre regjistruesve të Hipotekës ka qenë Veiz Senko, 55 vjeç, lindur në Gramsh dhe banues në Tiranë. Ai u tha se merrte paratë në dorëzim nga qytetari dhe më pas i dorëzonte ato te tre regjistruesit e Hipotekës, të cilët ranë në pranga pak ditë pasi përvetësuan shumën prej 30 mijë eurosh, pasi 5 mijë prej tyre dyshohet se janë mbajtur nga sekseri. Burimet nga organi i akuzës konfirmuan se të arrestuarit kanë marrë ryshfet edhe në raste të tjera, por shumat e përfituara prej tyre kanë qenë më të vogla sesa 35 mijë euro. Bashkë me ta ra në pranga edhe oficeri i Policisë, Dali Hakorja, pasi kishte arritur të regjistronte në emër të tij 14 dynymë tokë në afërsi të ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë me dokumente false.
Abuzimet
Njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës prej gjashtë muajve ka hetuar abuzimet e regjistruesve të Hipotekës dhe bashkëpunimin e tyre me sekserët që bënin lidhjen me qytetarët e interesuar për regjistrimin e pronave. Burime zyrtare të akuzës konfirmuan se disa regjistrime të kryera nga të arrestuarit kanë qenë të rregullta, por janë kryer përmes marrjes së shumave të ndryshme të ryshfetit. Thelbi i hetimit, në fakt, sipas burimeve, nuk është mënyra se si janë regjistruar pronat nga inspektorët e arrestuar të Hipotekës. Objekti kryesor i hetimit, siç saktësuan burimet, janë veprimet korruptive dhe shumat e ryshfetit që kanë marrë të arrestuarit nëpërmjet ndërmjetësve të tyre që identifikonin qytetarët e interesuar. Në këtë drejtim duket se Prokuroria ka siguruar prova të forta, pasi edhe Gjykata e Tiranës miratoi mbajtjen në burg për të gjithë personat e arrestuar gjatë aksionit të koduar me emrin “Furtuna”. Disa qytetarë, sipas hetimeve të Prokurorisë, kanë hyrë në komunikim me sekserët Veiz Senko dhe Halil Hima. Ata kanë siguruar dokumente false për pronat që kërkonin të hidhnin në emrin e tyre dhe më pas i kanë paraqitur ato në zyrat e Hipotekës. Në këto qytetarët që kanë paguar ryshfet tek sekserët kanë qenë të privilegjuar, pasi pronat e tyre janë regjistruar me shpejtësi dhe ata kanë marrë certifikatat e pronësisë në një kohë të shkurtër.
30 Shtator 2008