Bum lejesh ndërtimi në Durrës
KKRT e bashkisë u mblodh sërish për të shqyrtuar kërkesat për ndërtime. Bilanci i mbledhjes ishin 18 leje për ndërtime publike në rrugë e kanalizime, si dhe studime urbane dhe 28 leje për ndërtime pallatesh që do të ndërtohen në zonën B të qytetit. KRRT vendosi që 10 kërkesa për leje sheshesh ndërtimi, të cilat bënin pjesë në rendin e ditës, do t’i shqyrtojë brenda shtatorit. Brenda në qytetin e Durrësit, edhe pse çmimet e banesave janë rritur ndjeshëm, sektori i ndërtimit ndjen uri për ndërtime të reja. Ndërkohë në plazh ekziston një stok gjigant pallatesh të pashitura, të cilat kushtojnë shumë më lirë se ato brenda në Durrës. KRRT e Bashkisë së Durrësit zhvilloi mbledhjen e radhës, kurse kërkesat për leje ndërtimi ishin grupuar në dy kategori. Në të parën bënin pjesë lejet për investime publike të planifikuara nga bashkia dhe në të dytën lejet për ndërtime pallatesh, të cilat i përkasin sektorit privat. KRRT miratoi 11 leje për rikonstruksione rrugësh nëpër lagjet e qytetit, 2 leje për kanalizime dhe 3 leje për sistemime dhe gjelbërime blloqesh banimi. Në këtë bllok u miratua edhe kryerja e studimit urbanistik të shëtitores “Taulantia”, e cila ndodhet në breg të detit. Në bllokun e dytë bënin pjesë kërkesat për leje pallatesh.
KRRT miratoi 28 leje për ngritje pallatesh, duke krijuar në këtë mënyrë një mundësi të ndjeshme biznesi për sektorin e ndërtimit. Pallatet do të jenë nga 7 deri 12 kate të lartë. Godinat do të ndërtohen në zonën B të Durrësit, e cila përfshin territorin përtej qendrës urbane si dhe zonën periferike të qytetit. Ka kohë që ndërtuesit e kanë hedhur shikimin në këtë pjesë të qytetit, pasi qendra ka kohë që thuajse është e ezauruar. Në Durrës çmimi i banesave ka pësuar rritje të ndjeshme e megjithatë sektori i ndërtimit po përjeton një periudhë të vështirë biznesi. Në zonën e plazhit gjithashtu ndërtohet edhe pse stoku i pallateve atje është mjaft i madh.