Policia e Tiranës, masa për fillimin e vitit të ri shkollor
Policia e Tiranës ka marrë disa masa për forcimin e rendit e sigurisë publike pranë qendrave studentore dhe shkollave me rastin e fillimit të ri shkollor. Sipas burimeve zyrtare, strukturat e policisë synojnë krijimin dhe konsolidimin e një dimensioni të ri, në drejtim të marrëdhënieve Polici-Shkollë-Komunitet, në interes të garantimit të rendit e qetësisë publike dhe zhvillimit normal të procesit mësimor në shkollat e të gjitha niveleve në Qarkun e Tiranës.
Nisur nga kjo janë ngarkuar me detyra Patrulla e Përgjithshme e Policisë, strukturat e Hetimit të Krimit, Shërbimet e Qarkullimit Rrugor, duke bashkëpunuar edhe me drejtuesit e shkollave, si dhe duke patrulluar shpesh herë në afërsi të shkollave dhe qendrave studentore, sipas juridiksionit që ato mbulojnë.
Gjithashtu, Policia e Tiranës do të angazhojë pranë objekteve shkollore punonjës policie. Ata do të mbajnë kontakte me drejtuesit e shkollave dhe shërbimin e sigurisë së shkollave që kanë në territorin e tyre, nuk do të lejojnë hyrjen e personave të tjerë në ambientet e shkollave, të cilët prishin rendin e qetësinë publike, do të mbajnë kontakte të vazhdueshme me personelin mësimdhënës në drejtim të evidentimit të nxënësve problematikë, si dhe do të bashkëpunojnë me rojet private të shkollave. Gjithashtu nuk do të lejojnë parkimin e automjeteve apo shitësve ambulantë pranë objekteve shkollore, me qëllim parandalimin e aksidenteve apo shkeljeve të tjera të ligjit, do të identifikojnë dhe kontrollojnë elementët me precedentë policorë, që cenojnë rendin e qetësinë publike apo kanë tendenca për kryerjen e veprave penale dhe do të shkëmbejnë eksperienca dhe japin mesazhe në drejtim të policimit në komunitet, luftës kundër drogës, alkoolit, trafikimeve të ndryshme etj.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë njofton se ka marrë masat e nevojshme edhe në vazhdimësi për mbarëvajtjen pa incidente të mundshme të të gjithë procesit akademik 2009-2010. Gjithashtu po punohet me programe të përbashkëta me drejtoritë arsimore rajonale, për krijimin e urave lidhëse dhe konsoliduese në drejtim të marrëdhënieve Polici-Shkollë-Komunitet.