Durrës, 7 shkolla dhe 3 kopshte mbyllen nga mungesa e higjienës
Drejtoresha e Shërbimit Shëndetësor Parësor, zonja Lida Boshku, duke folur për verifikimet dhe vendimet e marra nga institucioni që ajo drejton në drejtim të kushteve higjieno-sanitare dhe standardeve në shkollat dhe kopshtet e Qarkut Durrës, deklaroi për “standard” se “gjatë kontrolleve tona kemi konstatuar probleme në ambientet e shkollave dhe kopshteve publike pak ditë nga fillimi i vitit të ri arsimor në qytetin bregdetar”. Sipas saj, kushtet higjieno-sanitare të ambienteve në shtatë shkolla dhe tre kopshte, janë aspak të pranueshme për t’i lejuar ato të hapin normalisht dyert e tyre për nxënësit dhe fëmijët. Por edhe vetë prindërit kanë kërkuar nga strukturat e higjienës marrjen e masave urgjente, pasi sipas tyre, “ata janë të shqetësuar për fëmijët”. Por zonja Boshku deklaron se “duhet të jetë bashkia ajo që duhet të ndërhyjë urgjent, në të kundërt këto institucione do të bllokohen nga shërbimi i higjienës”. Një raport i formuluar nga Instituti i Higjienës në Durrës konstaton jo pak probleme, por më seriozet janë në shkollat 9-vjeçare “Eftali Koci”, “Nënë Tereza”, “Bajram Curri” dhe dy shkollat e plazhit, në shkollat “Kushtrimi i Lirisë”, “Vasil Ziu”, dhe në shkollën e Porto Romanos, “Met Hasa”. Sipas këtij raporti, në ato shkolla është konstatuar se nuk funksionojnë banjat, nuk ka ujë të pijshëm, lagështira sidomos në katet e para është mbi normat e lejuara, duke u bërë shkak për përhapjen e epidemive. Probleme janë konstatuar edhe në shkollat në zonat rurale, si ajo e Manskurisë, e Sukth Katundit, e Rrushkullit, e Hamallajt dhe e Rrethit etj. Boshku tha se “pritet të marrim një vendim nëse do të lejohet zhvillimi i mësimit në ambientet e tyre apo jo, ndryshe do të detyrojmë bashkinë të marrë masa”. Pak ditë më parë edhe në Tiranë u vendos mbyllja e disa shkollave dhe kopshteve. Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, specialistët e DSHP-së së kryeqytetit kanë kryer inspektime për kushtet e higjienës në të gjitha çerdhet, kopshtet dhe shkollat e kryeqytetit. Sipas inspektimeve higjieno-sanitare, ka rezultuar se tri shkolla nuk do të jenë të gatshme për nisjen e procesit mësimor në datën 15 shtator. Përkatësisht, 2 shkolla 9-vjeçare, “Kushtrimi i lirisë” dhe “Kolë Jakova”, si dhe gjimnazi “Petro Nini Luarasi”. Drejtori i ndërmarrjes nr. 3 të Bashkisë së Tiranës, Irfan Hysolli, tha se “vetëm 69 godina shkollore janë të gatshme për të pritur nxënësit në datën 15 shtator. Ato kanë përfunduar riparimet e brendshme, punimet elektrike dhe janë në fazën e lyerjeve të fasadave, oborreve dhe ambienteve të tjera të jashtme”. Sipas Hysollit, gjatë inspektimeve të kryera në shkollat e Tiranës janë konstatuar probleme me mungesën e ujit në godina. Ai tha se për të zgjidhur këtë problem nevojitet një bashkëpunim më i mirë me Drejtorinë e Ujësjellësit.