Biznesmenët italianë, gati të investojnë në Durrës
Biznesi italian mbetet shumë i interesuar për të shtrirë më tej investimet e veta në Qarkun e Durrësit, madje duke paraqitur projekte konkrete për zhvillimin e turizmit detar e malor, infrastrukturën bregdetare, peshkimin e energjetikën. Kjo, pasi vetë resurset e këtij rajoni, si Durrësi në Shqipëri, përbëjnë vlera të rralla për vendin dhe interesimin e mjaft investitorëve të huaj veçanërisht italianë. Për këtë qëllim, në Qarkut e Durrësit u zhvillua një takim mes drejtuesve rajonalë të tij, si dhe një grupi biznesmenësh italianë të fushave të ndryshme. Qëllimi i këtij takimi të dytë mes tyre pas atij të zhvilluar disa muaj më parë, ishte paraqitja e mundësive reale që ofron Durrësi për investime në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Në takim ishin krerët e pushtetit vendor si kreu i Qarkut, Seid Kërtusha, prefekti Klodian Pajuni etj. Kryetari i Këshilli të Qarkut të Durrësit bëri një rezyme mbi resurset dhe burimet natyrore të zonës bregdetare, ku synohet të shtrihen projektet italiane, si dhe ofroi disa prej mundësive për investime. Durrësi paraqet interes për investime në fushën energjetike dhe KRRT e qarkut para pak kohësh miratoi masterplanin e përgatitur nga Ministria e Energjetikës për ndërtimin e parqeve energjetike dhe industriale. Janë rreth 1200 ha tokë në dispozicion të këtyre projekteve, realizimi i të cilave është parashikuar të realizohet në 30 vjet. Durrësi paraqet mjaft interes për ndërtimin e burimeve që përfitohen nga energjia e rinovueshme, në mënyrë që të garantohet njëkohësisht edhe mbrojtja e territorit nga mbetjet urbane. Tjetër mundësi që paraqet Durrësi për investitorët e huaj është sektori i turizmit. Në këtë fushë atyre ju ofrohet një vijë bregdetare 68 km e gjatë në të cilën dallon Gjiri i Lalëzit. Investimet e ndërmarra gjatë viteve të fundit për ndërtimin e infrastrukturës rrugore në këtë zonë e bëjnë atë mjaft tërheqëse për investitorët. Ajo është një zonë që mund të konsiderohet ende e pashfrytëzuar. Sektor tjetër ku mund të investohet theksoi në rezymenë e tij kreu i qarkut është edhe ai i peshkimit. Durrësi disponon një flotë të vogël peshkimi në një kohë që industria përpunuese e prodhimeve të detit është thuajse inekzistente. Edhe investimet ne hekurudhë e në porte do të ishin mjaft frutdhënëse u tha në takim. Prefekti Pajuni u ofroi mundësinë biznesmenëve italianë për investime në sektorët e riciklimit të mbeturinave urbane, në atë të ndërtimit të parkimeve të nëndheshme të cilat në Durrës thuajse mungojnë në sektorët e transportit, në përpunimin e lëndëve të para, si dhe në degë të ndryshme të industrisë ushqimore që në Durrës janë ende të pashfrytëzuara. Biznesmenët nga Italia u shprehën të gatshëm duke paraqitur projektet e tyre të cilat i kishin sjellë në takim si shenjë e ngushtë e bashkëpunimit mes tyre dhe palës shqiptare. Tashmë mbetet vetëm formimi dhe shpallja e qeverisë së re, e cila do të miratojë edhe fillimin e zbatimit të tyre në praktikë brenda vitit 2009.