E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analizat e A/H1N1, prej tetorit, në Tiranë



Duke nisur nga java e dytë e muajit tetor, analizat e personave të dyshuar si mbartës të virusit A/H1N1 do të konfirmohen në Laboratorin e Virusologjisë në Institutin e Shëndetit Publik në Tiranë. ISHP-ja ka ndërmarrë disa masa që një pjesë e këtij laboratori të funksionojë vetëm për gripin e derrave, duke i dhënë fund maratonës së pritjes për kthimin e përgjigjeve. Me krijimin e këtij laboratori analizat e shqiptarëve nuk do të drejtohen më për konfirmim në Laboratorin e Referencës në Bukuresht (Rumani).

Analizat

Shtimi i rasteve të personave të dyshuar me gripin e derrit ka shtuar akoma më shumë domosdoshmërinë për konfirmimin akoma më shpejt të pranisë së sëmundjes ose jo. Edhe specialistët pohojnë se fluksi i lartë i mostrave që dërgohen për konfirmim në Rumani, krijon vonesa të mëtejshme, duke sjellë jo vetëm pasoja tek pacientët, por edhe mos evidentimin në kohë të virusit tek i dyshuari. Sipas tyre, vënia në funksionim të një pjese të këtij laboratori vetëm për virusin e gripit të derrave bën që edhe përgjigjet të mund të merren në mënyrë më të shpejtë.

Situata

Në vendin tonë numërohen 31 persona të infektuar nga gripi i derrit, ndërkohë që pritet përgjigjja nga Laboratori i Referencës në Rumani për raste të tjera të dyshuarish. Specialistët e ISHP-së vërejnë se gjatë javëve të fundit ka një rritje të numrit të personave që paraqiten me simptoma të sëmundjeve respiratore, ndërsa numri i të dyshuarve me gripin A/H1N1 i ka kaluar 600 persona në të gjithë vendin. Deri më tani, numri më i madh i rasteve është konfirmuar nga Spitali Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Numri më i madh i mostrave është marrë në Spitalin Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, ku janë tërhequr rreth 264, prej të cilave 14 raste janë konfirmuar me gripin e derrave, ndërsa në poliklinikat e kryeqytetit janë marrë 42 mostra dhe kanë rezultuar të prekur 6 persona. Kurse spitali rajonal i Durrësit ka marrë 41 mostra për t’u analizuar nga ku 6 pacientë janë me virus. Në spitalin e Devollit janë analizuar 10 mostra, nga ku vetëm 1 person është i sëmurë me gripin e derrave.

Gjithashtu, në Gjirokastër, janë analizuar 11 mostra, ku 2 kanë dalë pozitive ndaj virusit dhe në Sarandë janë ekzaminuar 13 mostra, ku vetëm një person ka rezultuar i prekur me virusin A/H1N1. Sipas të dhënave, thuhet se virusi ka pasur përhapje më të madhe përgjatë muajt gusht. Kështu, nga 20-29 qershor janë konfirmuar 3 raste me A/H1N1, nga 6-12 korrik 1 rast, nga 20-26 korrik janë konfirmuar 6 raste, 27-31 korrik 4 raste, nga 1-9 gusht kanë rezultuar me virusin e gripit të derrit 4 raste, nga 10-16 gusht 2 raste si dhe nga 17-23 gusht janë zbuluar edhe 10 raste të reja.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›