E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis sot viti i ri shkollor, dhjetëra risi për nxënësit



Në të gjithë vendin janë hapur dyert e 400 mijë shkollave për të pritur nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme për vitin e ri shkollor. Të gjitha shkollat kanë mbaruar sot përgatitjet e fundit për të pritur në bankat e tyre fëmijët që do të fillojnë vitin e ri shkollor 2009-2010. Me qindra e mijëra nxënës janë mbledhur në oborret e shkollave në ditën e parë të shkollës, të shoqëruar nga prindërit dhe të afërmit. Viti shkollor 2009-2010 është i rrethuar nga një sërë risish, ku janë reformuar plan-programet si dhe janë futur profile të reja. Nxënësit e klasës VI, përveç gjuhës së huaj të parë të detyruar, do të kenë mundësi që të ndjekin gjuhën e dytë në bazë të orëve ekstrakurrikulare. “Synimi i kësaj politike arsimore është shumëgjuhësia në shkollat e arsimit parauniversitar, mundësimi i mësimit të një gjuhe të huaj që në moshë sa më të vogël”, - deklaroi zyra e shtypit e ministrisë.

Për këtë arsye, gjatë këtij viti, librat e gjuhëve të huaja nuk vijnë vetëm të hartuara nga specialistë shqiptarë, por edhe nga të huaj për gjuhën frënge, italiane dhe gjermane. “Shkolla shqiptare po i zëvendëson të gjitha metodat e mësimit të gjuhëve të huaja të autorëve shqiptarë me metoda burimore për secilën gjuhë”, - shkruhet në njoftimin për shtyp të ministrisë.

Ajo çka do të vihet re tjetër për këtë vit arsimor, është se në të gjitha shkollat 9-vjeçare do të mundësohet mësimdhënia e lëndës së informatikës në laboratorët e reja të instaluara gjatë dy viteve të fundit. Sipas zotit Beja, “gjatë tre viteve të fundit, pothuajse të gjithë shkollat janë furnizuar me pajisje teknologjike si kompjuterë, video-projektorë, materiale mësimore multimediale, printerë, shërbim interneti, duke bërë të mundur që të përmirësohet ndjeshëm infrastruktura teknologjike arsimore”. Këtë vit nxënësit do t’i gëzohen një strukture të re kurrikulare, e cila zbatohet për herë të parë për gjimnazin dhe që është e përbërë nga dy pjesë kryesore, kurrikula bërthamë dhe kurrikula me zgjedhje të detyruar dhe të lirë. Kurrikula me zgjedhje përfshin kurrikulën me zgjedhje të detyruar dhe kurrikulën me zgjedhje të lirë. Kurrikula me zgjedhje, në klasën e 10 gjimnaz do të përfshijë lëndët: Matematikë e avancuar, Letërsi e avancuar, Informatikë e avancuar, Trashëgimia jonë kulturore dhe Gjuhë e huaj. Ndërsa lëndët me zgjedhje të lirë janë përforcimi në matematikë, letërsi, fizikë dhe biologji.

Policia, masa për vitin e ri akademik

Shërbimet e policisë në Tiranë kanë përforcuar shërbimet për sigurimin e rendit dhe qetësisë pranë shkollave të të gjitha niveleve të arsimit parauniversitar, të cilat do të hapin dyert nesër për vitin e ri shkollor 2009-2010.

Përmes një deklarate për shtyp, policia së Tiranës bëri të ditur se për mbarëvajtjen e procesit mësimor janë ngarkuar me detyra patrulla e përgjithshme e policisë, strukturat e hetimit të krimit, shërbimet e qarkullimit rrugor, që do të patrullojnë shpesh herë në afërsi të shkollave dhe qendrave studentore, sipas juridiksionit që ato mbulojnë.

Në ditën e parë të shkollës, policia e Tiranës do të angazhojë pranë objekteve shkollore punonjës policie, të cilët do të kontaktojnë me drejtuesit e shkollave dhe shërbimin e sigurisë që kanë në territorin e tyre. Gjithashtu në vëmendje do të jenë elementët me precedentë policorë, që cenojnë rendin dhe qetësinë publike dhe në bashkëpunim me rojet private të shkollave, nuk do të lejohen të hyjnë në ambientet shkollore. Për krijimin e urave lidhëse dhe konsoliduese në drejtim të marrëdhënieve polici-shkollë-komunitet, policia e Tiranës po përgatit programe të përbashkëta me drejtorinë arsimore rajonale.

Në kuadër të ditës së parë të shkollës, 14 shtator, policia e Tiranës u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që të lëvizin në rrugët publike duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor. Policia sugjeron përdorimin e mjeteve të transportit publik për një rrjedhshmëri normale të trafikut gjatë ditë së nesërme.

Ministria e Arsimit: Provime shtesë për sistemin 8-vjeçar

Nxënësit që kanë përfunduar këtë vit sistemin tetëvjeçar, duhet të japin 6 provime në mënyrë që të vijojnë në klasën e dhjetë të sistemit parauniversitar, sipas një udhëzimi të ministrit të Arsimit, z. Fatos Beja. Provimet që ata duhet të japin janë matematikë, fizikë, kimi, biologji, letërsi dhe gjuhë shqipe, si edhe gjeografi. “Regjistrimi për të dhënë provimet bëhet në muajin shtator në shkollën ku dëshiron të hyjë. Afati kohor i dhënies së këtyre provimeve është muaji qershor (për vitin 2009 deri në muajin dhjetor). Në qoftë se nxënësi mbetet deri në dy provime, mund t’i japë në sesionin e dytë (gusht), në rast të kundërt përsërit të gjitha provimet në po ato afate kohore”, – përcakton udhëzimi i ministrit. Udhëzimi përcakton se në Tiranë duhet të hapet klasa IX, sipas programit mësimor të vitit shkollor 2009-2010, pranë shkollës së mesme me kohë të shkurtuar “Konstandin Kristoforidhi”. Pas vijimit të klasës së IX, nxënësit pajisen me dëftesën e klasës së IX, bazuar në suksesin e vijueshmërisë gjatë vitit shkollor 2009-2010. Me këtë dëftesë ata mund të regjistrohen në klasën e X të arsimit të mesëm me kohë të plotë ose të shkurtuar.

“Në shkollat e mesme, në të cilat nxënësit pranohen me konkurrim, nxënësi duhet të ketë dhënë paraprakisht këto provime”, – përcakton udhëzimi. “Nxënësit mbetës të klasës së IX të shkollës së mesme, në vitin shkollor 2007-2008, të cilët shlyen detyrimet shkollore gjatë vitit shkollor 2008-2009, mund të regjistrohen në klasën X të shkollës së mesme me kohë të plotë ose me kohë të shkurtuar në mbështetje të dëftesës së klasës së IX të riplotësuar”.

Ndërkohë, udhëzimi përcakton se për nxënësit të cilët kanë mbetur në më pak se tre provime në klasën IX në vitin shkollor 2007-2008, t’i japin këto provime në sesionin e dytë në muajin shtator. “Nxënësit shqiptarë të cilët kanë përfunduar studimet e arsimit të detyruar jashtë vendit: kur kanë kryer studimet me afat 8 vjet, do të trajtohen si në pikën 1 dhe 2 të këtij Udhëzimi; kur kanë kryer studimet me afat 9 vjet, regjistrohen në një nga shkollat e mesme që dëshirojnë”, – shkruhet në udhëzim.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›