E Shtunë, 31 Tetor 2026

100 vjet për një ditë



Azgan Haklaj

Unioni Artistik i Kombit Shqiptar në vijim të misionit që i ka vënë vetes, të qenit lider në bashkimin spiritual ndërshqiptar përmes artit, pasi ka shkelur mbarë atdheun dhe trojet shqiptare të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, bën jo vetëm bilancin e suksesshëm fundvjetor, por rishtron trase të reja artistike për vitin që presim. Kjo trase pikësëpari do ta çojë Unionin Artistik të Kombit Shqiptar në Kosovë më 17 shkurt 2009 në 1-vjetorin festiv të festës së Pavarësisë së Kosovës. Ky përvjetor është i veçantë, thellësisht i përveçëm, jo vetëm se është i pari për shtetin e ri të Kosovës, por pikësëpari sepse vetë situata e krijuar kohët e fundit atje e bën të rëndësishme në limitet e maksimales. Natyrisht, misioni i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar në aparencë nuk është politik por kulturor dhe artistik, por arti kombëtar nuk ka si të mos fitojë sensibilitet maksimal kur vihen në pyetje çfarëdo aspiratat e mëdha dhe thelbësore të kombit. Çfarëdo lëvizje politike e diplomatike, sado e zgjuar dhe e sofistikuar qoftë, e pashoqëruar me suportin e artit dhe të kulturës kombëtare është e thatë, e vetmuar, e paefektshme dhe e atrofizuar. Kultura është ajo që vesh dhe zbukuron, që ia ndriçon mendjen kombit, është vetë gjuha e tij e veçantë, është vetë shpirti që e jetëson. Reaksioni i menjëhershëm në kohë ngjarjesh pozitive po aq edhe negative e bën sot emergjent, sidomos në rastin e Kosovës, funksionimin e tij sa më shumë intensiv. Mesazhet që japin kultura dhe arti janë jo vetëm të çkodueshme lehtësisht dhe tërësisht të absorbueshme për kombin, por ato emetojnë atë pjesë të rëndësishme që zor se politika e diplomacia mund ta prononcojnë haptazi. Duke e pasur këtë status, dikund të shkruar por edhe të nënkuptuar, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar ka vendosur ta intensifikojë akoma më tepër përshtatjen dhe korrelacionin me të gjithë situatën politike në vend e sidomos në trojet tona etnike. Sipari i aktiviteteve më të rëndësishme të vitit 2009 do të hapet në Prishtinë më 17 shkurt me megakoncertin “100 vjet për një ditë”. Kjo ngjarje, më e rëndësishmja e vitit që po vjen, do të konceptohet si një tubim jo vetëm i vlerave artistike më të spikatura me krijime e kompozime të reja e të përshtatura për ngjarjen. Ajo do të përjetohet së pari si një bashkim fizik e shpirtëror personalitetesh më me zë e kontributorë të një sërë fushave të jetës sonë nacionale. Në Kosovë, si asnjëherë me përvjetorin e parë festiv të Pavarësisë, do të gërshetohen të veçantat kulturore nacionale duke filluar nga pasardhësit e tempullit të shenjtë të Dodonës në Çamëri për t’u ndalur te kulla e Ali Sadriut në Mitrovicën e Veriut. Aty do të bëhet dhe dasma e valleve të Sarajit të Tetovës me këngët epike të Plavës e Gucisë. Ninullat e Ulqinit e Tivarit do të përkunden në Prishtinë në djepat e Preshevës, Bujanovcit, Strugës, Dibrës e Gostivarit.
Kritizerë të “modernizuar” në kurriz të interesave madhore kombëtare mund të ngrenë zërin për të ashtuquajturin superpatetizmin e Unionit Artistik të Kombit Shqiptar. N’dashtë! E kam quajtur dhe i qëndroj bindjes sime se na lipset sot më shumë se kurrë nacionalizëm e patetizëm më i fuqishëm. Ndryshe pika të tjera do të na sugjerohen prej Azie, Afrike apo Antarktide. Ne s’jemi komb që ristrukturohet me pika Ban Ki Munësh. Kjo mund të vlejë për kombe barbare apo shtegtare. Ne kemi pika e piketa, kemi rrënjët tona të lashta stërgjyshore në Gadishull dhe askush s’ka një argument t’i mohojë. E atëherë le t’i shfaqim krenarisht ato, pa mëdyshje, pa komplekse, në çdo fushë e sidomos në art e kulturë, të cilat përbëjnë kalciumin e skeletit kombëtar. Armiqtë tanë historikë dhe krushqitë e tyre të kohëve tona kanë shfrytëzuar deri në abuzim çdo detaj në interes të tyre. Madje, pa u ndier e kanë investuar deri në përçapje reale për demontimin, deformimin apo dhe transferimin e vetë simboleve të kombit tonë. Pra, është kohë për shqetësim më shumë se për vetëkënaqësi. E atëherë çdo levë funksionale e makinës së kombit duhet të lëvizë në kahun e duhur. Sinkronizimi i kësaj lëvizjeje është jo vetëm domosdoshmëri, por edhe emergjencë. Rilindja ishte epokë e determinuar në histori, por rilindasit janë pa determinimin në çdo kohë. Prandaj korifejtë e kombit po lëvizin, po flasin e veprojnë. Jo më kot ka thyer heshtjen Kadare e Qose, jo pa qëllim lëshon “SOS” për Kosovën zonja e nderuar Diogardi. Jo pa qëllim ngre zërin me emocion komandanti Ali Ahmeti. Janë mesazhe që i kërkon vetë koha. Në këtë aspekt bashkëveprimi funksional do të veprojë edhe Unioni Artistik i Kombit Shqiptar. I shndërruar tashmë në një institucion kombëtar, në një shkollë kombëtare të artit dhe kulturës sonë tradicionale dhe bashkëkohore, Unioni sheh në horizonte më të largët, aty dhe ku vetë kombi sheh destinacionin e fatin që aspiron kahmot. Mbi gjithçka UAKSH është kthyer vetvetiu në një gardian modern vlerash kombëtare, të cilat, ku me qëllim e ku për mediokritet e naivitet, jo rrallë cenohen, madje jo heshturazi por krejt hapur, duke mbushur përditë deri dhe ekrane televizorësh rajonalë e kombëtare. Unioni Artistik i Kombit Shqiptar e ka çmuar me vend sidomos në kontekstin kohor rievidentimin e vlerave tona historike-folklorike-artistike. Ky nuk është as dogmatizëm dhe as një qëllim në vetvehte, por një kërkesë e diktuar për t’i ngulitur botës dhe vetvetes realitetin e pamohueshëm të gjenezës dhe vlerave shekullore që na kanë shoqëruar, vlera që ia kemi dhuruar qytetërimit sa herë i janë duhur. Por do të ishim jokonsiderues e naivë përballë jë realiteti të mbrapshtë që po vegjeton deri në kryeqytetet tona, madje edhe tek ata që vetëquhen e vetëshpallen elitarë. Të qenit individë apo institucion elitar nuk përcaktohet në grumbullim bukuroshesh nëpër glob, sponsorizuar nga biznesmenë qejflinj. Elitarë pikësëpari janë ata që më së shumti i japin vlera vendit dhe kombit të vet. Kur pseudoelitarët përkundrazi konfrontohen me ndjenjat dhe simbolet e vendit dhe kombit kanë tjetër emër dhe ndëshkimin më të egër që të jep kombi yt: përbuzje dhe harresë. Shteti, biznesi, institucionet e tjera aksesore në ndihmë të progresit artistiko-kulturor, duhet të ndërgjegjësohen se kjo fushë është dhe ngelet prioritare në strategjinë mbarëshqiptare. Kjo jo për efekte të veçuara propagandistike, por për vetë rolin që mbartin ato. UAKSH këtë vit që presim do të tubojë jo vetëm figurat eminente në fushën e kulturës muzikore e artistike. Ne kemi nisur një bashkëveprim direkt me personalitete të fushës së muzikologjisë, etnografisë, historisë, arteve figurative, me shkrimtarë, studiues, gazetarë, pse jo edhe me diplomatë e politicienë, për t’i dhënë kësaj fushe dimensione sa më të plota e komplekse. Natyrshëm, unë dhe Unioni Artistik i Kombit Shqiptar, të cilin e drejtoj, e mirëkuptojmë komercialitetin, të cilin e dikton vetë koha. Por në asnjë rast nuk është e falshme që komercializmi të dëmtojë qeliza thelbësore të ndërgjegjes sonë nacionale, siç është arti dhe kultura.

9 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›