Ekspertët kontabël, si do të bëhen licencimet me ligjin e ri vitin e ardhshëm
Ervin Koçi
Viti që vjen do të nisë me rregulla të reja licencimi dhe procedurash edhe për aktivitetin e ekspertëve kontabël, të cilët kanë një ligj apostafat për aktivitetin e tyre. Ligji i mëparshëm, që ishte në fuqi për këtë kategori profesionistësh të sektorit të biznesit, do të pësojë përmirësime të shumta duke u kthyer tashmë në një projektligj të ri, i cili pas miratimit do të nisë nga puna vetëm vitin që vjen, duke përcaktuar rregulla të reja si në licencimin e ekspertëve kontabël, ashtu dhe në ushtrimin e profesionit të tyre, deri te kontrolli mbi ta nga ekspertë të posaçëm. Në ligjin e ri përcaktohet qartë dhe mënyra se si do të licencohen ekspertët kontabël të autorizuar, si dhe shoqëritë e auditëve. Sipas projektligjit të ri përcaktohet ngritja e një bordi që do të kryejë mbikëqyrjen publike për të gjithë ekspertët kontabël të licencuar deri tani si dhe për ata të rinj. Po kështu, marrëdhëniet profesionale do të rregullohen me anë të Kodit të Etikës që do të përgatitet nga Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, i njohur ndryshe si “IEKA”. Ligji i ri i jep të drejtë të plotë “IEKA”-s që të mbikëqyrë veprimtarinë e profesionit të ekspertit kontabël të autorizuar. Në rast të ushtrimit të paligjshëm të profesionit, por edhe përdorimit abuziv të emërtimeve të shoqërive që synojnë të krijojnë një ngjashmëri, ose një konfuzion me këta tituj apo emërtime, subjektet e rreme do të përballen me sanksione nga ana e Institutit si dhe Bordit. Sanksionet do të jenë të rrepta dhe do të shkojnë deri në ndjekje penale për subjektet që falsifikojnë statusin dhe emërtimin.
Stazhi profesional
Sipas ligjit të ri, përpara se një kandidat të certifikohet si ekspert kontabël duhet të kryejë një stazh profesional, ose duke u punësuar me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme të paktën deri tre vite te një ushtrues i mirëfilltë i këtij profesioni. Do të jetë më pas kompetencë e “IKEA”-s që siguron nëse stazhi është kryer nga persona që japin garanci të mjaftueshme përgatitje teoriko-praktike gjatë stazhit profesional apo jo. Nga ky stazh përjashtohen individët që për 10-15 vjet kanë qenë angazhuar në veprimtari profesionale dhe të paktën 5 vitet e fundit resht kanë qenë të angazhuar në çështjet e kontabilitetit dhe auditimit. Sipas projektligjit, “individët i nënshtrohen të njëjtit proces të certifikimit, të cilit i nënshtrohen edhe kandidatët. Vlerësimi për çdo rast përjashtimi nga detyrimi i kryerjes së stazhit profesional bëhet nga Instituti dhe miratohet nga Bordi. Instituti harton rregullat e stazhit profesional ku parashikohen detaje në lidhje me komisionin e stazhit, hyrjen në stazh, ndjekjen, raportimin, kontrollin, paratestimin dhe raportimet periodike”. Autoriteti i certifikimit do të ketë në përbërje përfaqësues të Ministrisë së Financave, asaj të Ekonomisë, Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, IEKA-s etj. Testimi i aftësive profesionale të kandidatët do të bëhet nga ky autoritet i certifikimit. Më pas është Autoriteti i Licencimit që do të ngrihet pranë Institutit. Në këtë projektligj është përcaktuar edhe mënyra se si do të funksionojë etika profesionale si do të trajtohen rastet e konfliktit të interesit apo ruajtja e sekretit profesional.
Licencat e vjetra
Ekspertët kontabël të autorizuar, që e kanë fituar titullin në pajtim me rregullat e parashikuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 150, dt. 30.03.2000, do të konsiderohen mbajtës të këtij titulli edhe sipas kërkesave të ligjit të ri. Në nenin 56 të projektligjit përcaktohet: “Kontabilistët e miratuar që e kanë fituar titullin në pajtim me rregullat e organizimit dhe certifikimit të kontabilistëve të miratuar të përcaktuara me udhëzimin e Ministrisë së Financave Nr. 2000, do të konsiderohen si mbajtës të këtij titulli edhe sipas kërkesave të këtij ligji”.
Licencimi i ri
Certifikata e kontabilistit të miratuar sipas projektligjit të ri do t’i jepet personit fizik që ka një diplomë të shkollës së lartë të nivelit të dytë (pas 3+2) në degën e kontabilitet dhe degë të tjera të ngjashme të fushës së ekonomisë si ekonomik, financë, administrim biznesi, politika ekonomike. Gjithashtu ai duhet të ketë të paktën tre vjet eksperiencë profesionale në fushën e kontabilitetit, të financës apo kontrollit dhe të kalojë me sukses provimet e aftësisë profesionale. Mbikëqyrja publike e profesionit të ekspertit kontabël të autorizuar dhe shoqërive të auditimit do të realizohet sipas këtij projektligji nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike. Ky bord do të përbëhet nga shtatë anëtarë të emëruar nga ministri i Financave, me një mandat prej 4 vitesh me të drejtë rizgjedhje edhe për një mandat të dytë. Kryetari dhe 3 anëtarë të tij duhet të jenë persona që nuk e ushtrojnë profesionin, të cilët kanë njohuri për auditimin ligjor dhe për fushat e lidhura me të. Financimi i veprimtarisë së Bordit bëhet nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme.
Si do të funksionojë Bordi i Mbikëqyrjes Publike
Bordi i Mbikëqyrjes Publike do të raportojë te ministri i Financave, një herë në vit, brenda 3-mujorit të parë të vitit pasardhës. Raportimi i Bordit do të bëhet përmes një raporti përmbledhës me shkrim, ku jepen detaje të problemeve të profesionit të ekspertit kontabël të autorizuar dhe të zgjidhjeve e vendimeve të marra. Instituti “IEKA” përmes organeve të veta përgatit aktet vetërregullatore dhe/ose akte të tjera nënligjore që kërkohen nga ky ligj, të cilat kur kjo është parashikuar në këtë ligj, i nënshtrohen miratimit sipas rastit nga Bordi dhe ministri i Financave.
Shkurt/////////////////////////
Reshjet, HEC-et mbi Drin në kuota maksimale
HEC-et mbi lumin Drin kanë arritur në kuotat e tyre maksimale, duke siguruar një situatë të favorshme hidrike në liqenet e kësaj kaskade. Komani dhe Vau i Dejës janë në kuotat maksimale me tendencë zbritjen, ndërkohë që Fierza ka njohur rritje të ndjeshme që pas fillimit të reshjeve. Burime nga dispeçeritë e HEC-eve të kaskadës së Drinit bëjnë të ditur se gjatë ditës së djeshme prurjet anësore në HEC-in e Komanit kanë qenë rreth 400 metra kub ujë në sekondë, ndërkohë që kuota e liqenit e këtij hidrocentrali është 175.90 metra, nga 176 metra që është kuota maksimale, ku tendenca është në ulje. Edhe në liqenin e HEC-it të Vaut të Dejës kuotat janë maksimale, ku gjatë ditës së diel niveli në Liqenin e Vaut të Dejës ka regjistruar 75.40 metra, nga 76 metra që është kuota maksimale. Ndërkohë në Fierzë, më i madhi në liqenet e kaskadës së Drinit, prurjet gjatë ditës së diel shënuan 432 metra kub ujë në sekondë, ku niveli ka arritur në 276.70 metra, nga 296 metra që është kuota maksimale. Që nga fillimi i reshjeve në fillim të këtij muaji, portat e Hidrocentralit të Fierzës vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe në këtë hidrocentral nuk prodhohet asnjë kilovat-orë energji elektrike, ndërsa Komani dhe Vau i Dejës po punojnë me kapacitet të plotë përgjatë 24 orëve.
Tregtarët "harrojnë" të ulin çmimet e karburantit
Para pak muajsh, në tregjet botërore, një fuçi naftë shitej me 147 dollarë. Aktualisht, në fund të javës së kaluar kjo sasi u shit me më pak se 40 dollarë amerikanë. Ulje e konsiderueshme, e detyruar edhe nga rënia e ofertës industriale në shkallë botërore, që shkaktoi rënie në masën 73 për qind të çmimit të "arit të zi". Megjithatë, në tregun shqiptar situata paraqitet e deformuar. Nga një çmim maksimal prej 162 lekësh për litër, për eurodieselin më të shtrenjtë në tregun e pakicës në kohën e rritjes maksimale, aktualisht e njëjta cilësi karburanti shitet me 128 lekë të reja për litër. Në përqindje, rezulton se ulja në shkallë botërore është pasqyruar në masën vetëm 20 për qind. Çmimet e karburanteve në pikat e tregtimit me pakicë në kryeqytet vazhduan të mbeten në të njëjtat nivele, pasi javën e kaluar pësuan ulje me 5 lekë/litër, duke pasuar zhvlerësimin e dy javëve më parë me të njëjtën vlerë prej 5 lekësh/litër. Në shumicën e pikave të tregtimit të karburanteve në Tiranë, çmimet gjatë javës së fundit ruajtën të njëjtin nivel: 1 litër naftë 120 lekë, 1 litër benzinë 125 lekë dhe 1 litër eurodiesel 125 lekë. Sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë, shpenzimet që ka bërë ekonomia shqiptare për blerje të karburanteve nga jashtë gjatë nëntë muajve të këtij viti regjistrojnë vlerën e rreth 210 milionë eurove, nga 140 milionë euro në nëntëmujorin e parë të vitit 2007.
9 Dhjetor 2008