100-vjetori, qeveria zhvendos shtatoren e Nënë Terezës
Çdo gjë jashtë pompozitetit, madhështisë, shkëlqimeve protokollare dhe gjithçka në sensin më njerëzor, si mënyra më e mirë e nderimit të shenjtores shqiptare, që mban emrin Nënë Tereza. Kryeministri Sali Berisha njoftoi dje ngritjen e një komiteti për organizimin e veprimtarive me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Sipas tij, për shqiptarët 2010-a do të jetë viti i Nënë Terezës dhe për këtë do të ndërmerren disa veprimtari në përkujtim të veprës së shenjtores shqiptare. Në kuadër të këtij 100-vjetori, krahas veprimtarive të tjera, parashikohet edhe fillimi i ngritjes së një muzeu në sheshin me të njëjtin emër, kushtuar jetës dhe aktivitetit të Nënë Terezës, ndërkohë që shtatorja e Nënë Terezës do të zhvendoset në sheshin që mban emrin e saj. “Predominon mendimi se nuk bëhet fjalë për një vepër gjigande, por një muze që të shprehë të gjitha dhuntitë e saj”, - theksoi z. Berisha. Sipas tij, hapësira mes rektoratit dhe Muzeut Arkeologjik në krye të bulevardit kryesor të Tiranës përbën një hapësirë shumë të goditur me përmasat e sheshit për të ndërtuar muzeun e Nënë Terezës. Kryeministri bëri të ditur se ky do të jetë Viti i Nënë Terezës, në kuadrin e 100-vjetorit të lindjes së saj dhe sipas tij, kjo ka për të qenë edhe kryengjarja e këtij viti për kombin shqiptar. “Kryeqyteti i vendit ka një ndër sheshet më të bukura jo vetëm të Shqipërisë, por edhe më gjerë, që mban emrin e saj. Ky shesh duhet të ketë përkujdesjet e nevojshme për këtë 100-vjetor. Shtatorja e Nënë Terezës është e vendosur, mendoj, me një përzgjedhje jo të goditur, ndaj ajo duhet të zhvendoset nga pozicioni që ndodhet e të vendoset në sheshin që mban emrin e saj”, - u shpreh z. Berisha. Ai shtoi se këtë vit, “gruaja që u shenjtërua për së gjalli dhe që ia doli që me misionin e saj të pushtonte zemrat e jo miliona, por miliarda njerëzve në planet e të shpallet nënë e mbarë njerëzimit, ka 100-vjetorin e lindjes së saj. Berisha vlerësoi se në të gjithë jetën e saj, Nënë Tereza u shqua për besimin e saj të jashtëzakonshëm tek Zoti, vlerat, dashuria dhe forca e saj transformuese, shpresa dhe forca e saj udhërrëfyese. Askush nuk i ka dhënë më shumë nder dhe dinjitet njeriut, sesa ajo, me veprimtarinë dhe virtytet e saj”. Ndaj qeveria ka vendosur të ngrejë komitetin e posaçëm që do të kryesohet nga ministri i Kulturës, në përbërje të të cilit do të jenë personalitete të të gjitha fushave. Kryeministri Berisha u shpreh se 100-vjetori i lindjes së Nënë Terezës nuk duhet të karakterizohet nga pompoziteti dhe madhështia, tipare që nuk kishin asgjë të përbashkët me shpirtin dhe karakterin e saj. “Ky projekt duhet dhe do të udhëhiqet nga një nderim dhe mirënjohje e thellë mbarëpopullore ndaj veprës së ndritur, trashëgimisë së mrekullueshme që ajo la për njeriun dhe për njerëzimin”, - deklaroi Kryeministri Berisha
Përvjetori, bashkëpunim me Kosovën e Maqedoninë
Qeveria e Tiranës do të bashkëpunojë me atë të Kosovës dhe Maqedonisë për bashkërendimin e veprimtarive me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Kryeministri Sali Berisha përmendi se Nënë Tereza, siç e ka shprehur edhe vetë, me gjak ishte shqiptare, por në të vërtetë, për përkatësi vendi, ajo ishte Nënë Tereza e Kalkutës, sepse Kalkuta ishte qyteti, ku ajo zgjodhi të përballej për dekada e dekada me vuajtjen dhe dhimbjen njerëzore. “Ai ishte qyteti, ku hapësirat e të përjashtuarve, e të braktisurve ishin më të mëdha, sesa në qytetet e tjera. Theksova këtë moment se një bashkërendim ndërkombëtar i këtij 100-vjetori është i domosdoshëm. Por e theksoj edhe një herë gjithçka jashtë pompozitetit, shkëlqimeve protokollare, gjithçka në sensin më njerëzor dhe kjo është mënyra më e mirë e nderimit të saj”, - deklaroi kreu i qeverisë.
Muzeu “Nënë Tereza”, mes rektoratit dhe Arkeologjikut
Në kuadër të këtij 100-vjetori, krahas veprimtarive të tjera, parashikohet edhe fillimi i ngritjes së një muzeu në sheshin me të njëjtin emër, kushtuar jetës dhe veprimtarisë të Nënë Terezës.
Grupi i punës që do të merret me veprimtaritë e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, ka propozuar që të ngrihet një muze për të paraqitur e njohur qytetarët shqiptarë dhe miqtë që vijnë në Shqipëri, me jetën dhe veprën e Nënë Terezës. Kryeministri Sali Berisha përmendi se ka pasur mendime të ndryshme dhe kjo është normale, por në tërësi predominon mendimi se nuk bëhet fjalë për ndonjë vepër gjigande, por për një muze që të shprehë të gjitha dhuntitë e shpirtit të saj. “Ndaj, në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe autoritetet e qeverisë vendore të kryeqytetit duhet të procedohet që hapësira midis rektoratit dhe Muzeut Arkeologjik përbën një hapësirë mjaft të goditur për një muze, në proporcion me përmasat e sheshit. Në këtë projekt janë bërë punë dhe në dijeninë time janë ofruar arkitektë për të dhuruar projektin e këtij muzeu”, - deklaroi z. Berisha. Ai kërkoi që të shytohet projekti, të bëhet oponenca dhe fillimi i punimeve duhet të arrihet në kuadrin e 100-vjetorit të ditëlindjes së saj.
Qeveria merr në mbrojtje shtëpinë ku jetoi shenjtorja
Qeveria merr në mbrojtje shtëpinë ku jetoi shenjtorja e shqiptarëve bashkë me të motrën në Tiranë, si dhe atë ku qëndroi i vëllai i saj, në Shkodër. Kryeministri Berisha vuri dje në dukje se në Tiranë ekziston shtëpia e një familjeje fisnike qytetare, familje e nderuar, në të cilën nëna dhe motra e Nënë Terezës kanë jetuar për një kohë të gjatë. Sipas tij, kjo shtëpi duhet të merret në mbrojtje nga Ministria e Kulturës. “Fillimisht, duhet të përcaktohet si shtëpi e mbrojtur, më vonë mund të shqyrtohen edhe vendime të tjera. Po kështu, në Shkodër ekziston një shtëpi tjetër, ku i vëllai dhe motra e saj kanë jetuar. Gjithashtu, edhe kjo shtëpi duhet të merret në mbrojtje”, - deklaroi ai.
Bashkëpunim edhe me Konferencën Episkopale
Veprimtaritë do të parashikohen dhe bashkërendohen së bashku me Konferencën Episkopale dhe me faktorë të tjerë të rëndësishëm. 100-vjetori i Nënë Terezës duhet të jetë kryengjarja e këtij viti për kombin shqiptar. Në këtë kontekst, komiteti duhet të bashkërendojë edhe veprimtarinë me autoritetet e Republikës së Kosovës, si dhe me ato të Republikës së Maqedonisë, ku Nënë Tereza ka lindur në Shkup. Kryeministri autorizoi ministrin e Kulturës, Xhaferi: “Duhet të ndërmerren të gjithë hapat që shqiptarët të shprehin të gjithë nderimin e merituar ndaj shqiptares më të shquar të të gjitha kohërave, gruas më të madhe të njerëzimit për kohën që jetoi”.