Tryeza, OSBE-SHBA: Presim rezultate konkrete
Ndërkombëtarët kërkojnë rezultate konkrete nga takimi i ditës së shtunë mes dy kundërshtarëve politikë, Sali Berisha dhe Edi Rama. Ata besojnë se tryeza e rrumbullakët që do të organizohet nga Presidenti Bamir Topi, do t’i japë fund bojkotit të opozitës në vend. Në një deklaratë zyrtare për mediat, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch dhe ambasadori amerikan, John Withers, janë shprehur se mbështesin hapin e kreut të shtetit për organizmin e kësaj tryeze. “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret ngrohtësisht nismën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të organizuar një tryezë politike të rrumbullakët, ditën e shtunë, si një hap konstruktiv dhe inkurajues drejt zgjidhjes së ngërçit politik aktual”, - tha ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch. Në të njëjtën deklaratë, ai tha se mirëpret edhe deklaratat publike pozitive të krerëve të partive të mëdha për gjetjen e mënyrave për kalimin e vështirësive. “I mirëpresim, gjithashtu, edhe reagimet publike pozitive të drejtuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste lidhur me pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe aktive për të shqyrtuar bashkërisht mënyrat në të cilat mund të kapërcehen vështirësitë”, - tha më tej Bosch. Ambasadori amerikan Withers, në një deklaratë të shpërndarë nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë, mbështet tryezën dhe nismën e kreut të shtetit. “Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e Presidentit Topi dhe Këshillit të Evropës për të ndërmjetësuar bllokimin e vazhdueshëm të situatës politike. Në këtë kontekst, ne përshëndesim udhëheqjen e Presidentit shqiptar Topi në mbikëqyrjen e diskutimeve midis qeverisë dhe opozitës që do të fillojë më 13 shkurt”, - thuhet në deklaratën zyrtare të SHBA-ve. Në të njëjtën deklaratë, Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje që partitë e mëdha të përfitojnë nga kjo mundësi për t’i dhënë fund ngërçit politik në vend. “Ne besojmë se ky proces ofron një mundësi të rëndësishme për zgjidhjen pa vonesë të mëtejshme të ngërçit aktual politik. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfitojnë nga kjo mundësi. Një zgjidhje e shpejtë e ngërçit do të mundësojë që palët të përqendrohen në axhendën euroatlantike të Shqipërisë”, - përfundon deklarata zyrtare e SHBA-ve. Ndërkaq, tryeza është vendosur të mbahet ditën e shtunë në Presidencë. Kreu i shtetit ka pasur konsultime ditët e fundit me ambasadorët e huaj në vendin tonë. Partia Demokratike dhe Socialiste janë shprehur parimisht dakord për thirrjen e kësaj tryeze në Presidencë.