Islami: Rama e ka më të lehtë të hajë drekë me Ngjelën se të mbledhë kryesinë
Deputetët kundërshtarë të kryesocialistit Rama në PS nuk po gjejnë dot një mundësi që të përballen me të dhe të debatojnë për linjën që po ndjek partia. Kryesocialisti nuk e mbledh kryesinë e partisë, ku ka një numër të konsiderueshëm anëtarësh kundërshtarë ndaj bojkotit dhe linjës radikale që ai po ndjek në politikë. Por një nga deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe bën ironi me këtë frikë të Ramës për të mos u përballur me oponencën brenda partisë, duke thënë se ai “ka më lehtë të hajë drekë me Spartak Ngjelën nga e djathta se sa të mbledhë kryesinë”. Të ndodhur në një emisionin “Studio e hapur” në “Alsat” deputetët socialistë Arben Malaj, Kastriot Islami dhanë mendimet e tyre për situatën ku ndodhet partia dhe mënyrën e gjetjes së zgjidhjes në tryezën e Presidentit. Arben Malaj dhe Kastriot Islami thanë se ka mungesë demokracie në parti. Lëvizja e Edi Ramës për krijimin e frontit opozitar sipas Islamit nuk garanton sukses elektoral. “Ky front ka një problem. Kur takohet pothuajse çdo ditë, madje në restorante apo në hotele luksoze, takohet kryetari i PS-së me personazhe që kanë luftuar kundër PS-së deri në datën 28, ndërkohë që ne deri në datën 28 edhe më tutje kemi luftuar për suksesin e PS-së dhe vazhdojmë të luftojmë për suksesin e PS-së. Konkretisht, zoti Rama e ka më të lehtë të takojë zotin Ngjela, sesa të takojë zotin Blushi apo të takojë zotin Nard Ndoka, sesa të takojë zotin Harasani, Bello apo ndonjë tjetër nga ne. Pra, e ka shumë më kollaj të hajë drekë me këta dhe të takohet, sesa të bëjë një mbledhje kryesie”, - tha Islami. Ndërsa për mënyrat e zgjidhjes, Malaj tha: “Teorikisht ka dy opsione: e para ku secila palë lëshon diçka, por arrihet një dalje nga kriza që i shërben të gjithëve ose ka një lloj negociatash ku palët janë kategorike dhe njëra kërkon qartë 100% që do të thotë humbje për tjetrin 100%. Në këto raste, teorikisht dhe në eksperiencat ndërkombëtare, ai që është fituesi i këmbënguljes me 100% ka një fitore të përkohshme që është edhe rrënja e krizës së tij të ardhshme”. Ndërsa Islami mendon: “Ka edhe një mundësi për zgjidhjen e krizës. Besoj që do të jetë kjo mundësia që për mua ka gjasat më të mëdha që të hapen kutitë dhe të investigohen vetëm materialet zgjedhore dhe jo fletët e votimit”, - tha Islami.