Harta e varreve masive të komunizmit, ja ku ekzekutoheshin kundërshtarët e regjimit
Shumë njerëz janë tretur në gropat e gëlqeres, mjaft të tjerë janë zhdukur në llumrat e kënetave dhe një pjesë janë tani nën ndërtimet e reja apo mjaft pranë tyre në periferitë e qyteteve dhe kryeqytetit të Shqipërisë. Një hartë e saktë me të gjitha të dhënat për varret masive që sollën pushkatimet në kohën e diktaturës komuniste, është e pamundur të përpilohet. Por nga të dhënat të mbledhura në intervista me persona që kanë dijeni apo në libra të shkruar për këto vrasje masive, “standard” po ndërton një hartë me disa vende të përafërta, ku dyshohet se janë groposur masivisht kundërshtarë të diktaturës.
Harta
Pjesa më e madhe e këtyre vendvarrimeve masive mund të jenë sot të mbuluara nga ndërtimet, si ai që dyshohet të jetë në Porcelan në periferi të Tiranës, ndërsa mjaft vendvarrime të tjera duhet të jenë shkatërruar tashmë nga prurjet e lumenjve. Diktatura u kërkonte ekzekutorëve punë të pastër, pa shenja, për veç rasteve kur ajo donte siç rrëfen Agim Musta në librin e tij “Libri i zi i komunizmit” që kufomat të mbeteshin në sipërfaqe për të terrorizuar të gjallët. Pikërisht për këtë arsye mijëra të ekzekutuar në atë periudhë janë sot ende pa varr. Një pjesë, shkruan Musta, janë djegur në furra gëlqereje apo janë hedhur në gropa me acid, të tjerë janë zhdukur nga prurjet e lumenjve dhe mjaft janë mbuluar apo fshirë nga buldozerë. Sidoqoftë, mjaft pika ekzekutimesh kanë mbetur në mendje jo vetëm të atyre që kryenin këto krime, por edhe të banorëve të zonave. Pylli i Sodës në Vlorë, Antenat e Radios në Shkodër apo Mali me Gropa mund të jenë varret masive të qindra të ekzekutuarve.
Skënder Haluca, komisioner pranë Avokatit të Popullit, thotë se këto tri vende përfshi edhe atë që u gjet së fundmi, janë treguar pikërisht nga ekzekutorët. “Në besë kemi takuar një nga ekzekutorët në Shkodër dhe pasi e bindëm, shkuam te Antenat e Radios, por aty nuk na tregoi saktësisht vendin”, - tregon Haluca. Sipas tij, një pjesë e mirë e dosjeve, përfshi edhe ato që ai ka mundur të shohë, nuk e kanë hartën që të tregon vendin e varrosjes ose nëse e kanë, ajo nuk shoqërohet me dosjen dhe emrat e të ekzekutuarve.
Histori rrëqethëse
Ka dhjetëra familjarë dhe të afërm të viktimave të komunizmit që kërkojnë pa shpresë varret e të afërmve të tyre. Aq të pashpresë janë këta njerëz, që duan vetëm të respektojnë të afërmit e tyre dhe t’u japin një varrim të denjë, sa mjaft prej tyre kanë paguar ekzekutorët që ata t’u rrëfenin varret. Dhe këtu fillon një tragjedi e dytë. Njerëzit që kanë kryer ekzekutimet dhe mund të shfajësohen deri në një pikë se zbatonin urdhrat, jo vetëm që mjaft herë refuzojnë të flasin, por ndodh edhe që të gënjejnë. Ka raste, thotë Haluca, ku ekzekutori pasi ka marrë paratë, u ka treguar të afërmve një varr dhe u ka thënë që atë të hapnin, por muaj më vonë ADN-ja e kryer në Itali ka treguar se eshtrat e gjetura aty nuk i përkisnin të njëjtit person.
Vendet e ekzekutimeve
Vlorë
Pylli i Sodës
Fabrika e Tullave
Qafa e Koçiut
Gjirokastër
Sheshi i Zinxhirëve
Buduk buzë Drinos
Berat
Uznovë
Moravë buzë Osumit
Durrës
Porto Romano
Bisht-Pallë
Tiranë
Ura e Beshirit (Të ashtuquajturit fajtorë për incidentin në ambasadën sovjetike)
Ura e Sharkës
Qesarakë
Kodra e Priftit
Malin me Gropa
Qerret, Dajt
Shkodër
Zall i Kirit (Nga Bardhaj deri te Ura e lumit Kir)
Antenat e Radio Shkodrës
Fabrika e Çimentos buzë Bunës
Lista e të vrarëve pa varr
Komisioneri i Avokatit të Popullit, Skënder Haluca, prej dy vitesh ka mundur të krijojë një listë me 43 të ekzekutuar mes të cilëve familje të tëra si ajo Kaloshi, Qendro apo Ndreu, familjarët e të cilave ende sot nuk kanë një varr për të qarë të afërmit e tyre. Ai thotë se edhe pse ka bërë përpjekje, deri tani asnjë nga njerëzit që ndodhet në atë listë, nuk është gjetur ende. Tentativa për të zbuluar varret e Xhelal Koprenckës (i dënuar me ekzekutim në Revoltën e Burgut të Spaçit) apo mjaft të tjerëve kanë hasur në veshin e shurdhët të institucioneve të drejtësisë që zotërojnë arkivat, por në të cilët në mjaft raste punojnë ende funksionarë të regjimit, mjaft prej të cilëve të implikuar në këto ekzekutime. Më poshtë është lista e 43 të ekzekutuarve.
Xhelal Koprencka
Fadil Kokomani
Vangjel Lezho
Hajro Pashaj
Skënder Dajo
Pal Zefi
Dervish Bejko
Sokol Sokoli
Tonin Ndonj
Fran Mirakaj
Petro Daja
Fuat Kurti
Skënder Muça
Zef Prela
Riza Zoti
Kamber Prishta
Petref Prishta
Myrteza Prishta
Qamil Prishta
Sherif Prishta
Ali Çoku
Çerçiz Qendro
Xhaferr Qendro
Atem Qendro
Zenel Qendro
Feti Mema
Musa Kerma
Atem Qendro
Zenel Qendro
Lab Shena
Haziz Kaloshi
Asllan Kaloshi
Muharrem Kaloshi
Sefedin Kaloshi
Mahmut Kaloshi
Qemal Kaloshi
Osman Kaloshi
Selimsul Kaloshi
Elez Kaloshi
Rabije Kaloshi
Nazif Bajraktari
Sulltana Ndreu
Gani Ndreu
Dali Ndreu
Liri Gega (Ndreu)