Fatmira Hajdari rrëzon kërkesat e Aldo Bares
Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzon Aldo Baren, ndërkohë që nga pala mbrojtëse paralajmërohet kërkesa për gjykim të shkurtuar në seancën e radhës. Vendimi është marrë dje nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, ndërkohë që nga i pandehuri Bare, i pranishëm në sallën e gjyqit, nuk pati ndonjë reagim. Gjyqtarja Hajdari konsideroi të pabaza argumentet e paraqitura dy seanca më parë nga avokati mbrojtës i të pandehurit Bare, i etiketuar si kapoja i Bandës së Lushnjes. Gjykata argumentoi njëra pas tjetrës arsyet pse i rrëzonte pretendimet e palës mbrojtëse, si për pavlefshmëri të akteve për “zgjatje të afatit të hetimeve paraprake”, ashtu dhe për kërkesat e tjera për parashkrim të veprës penale apo dhe gjykimit një herë të një akuze. Sipas arsyetimit të gjykatës, kërkesa për pavlefshmëri të akteve për zgjatje të afatit të hetimeve paraprake rrëzohet pasi gjykata ka konkluduar se “regjistrimi i procedimit penal pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda është bërë në datën 07.02.2006, e cila ka marrë nr. 15 si procedim dhe ky veprim është kryer pasi Prokuroria e Rrethit Lushnje ka shpallur moskompetencën më datë 31.01.2006 në lidhje me procedimin penal nr. 22 në ngarkim të të pandehurve Aldo Bare (Alfred Shkurti), Arben Boriçi, Enver Boriçi, Ilir Stërgu, Erion Çici, Afrim Hoxha, Enver Dondollaku, Rexhep Gina etj”. Po sipas gjykatës, referuar datës së regjistrimit të procedimit penal nr. 15 më datë 07.02.2006 dhe në vazhdim të hetimit deri më datë 03.02.2007, kur çështja në ngarkim të të pandehurit Aldo Bare ka shkuar për gjykim, rezulton se afati 2-vjeçar i hetimeve nuk ka kaluar siç e parashikon dispozita ligjore e nenit 324/2 e Kodit të Procedurës Penale. Gjithashtu, gjyqtarja Hajdari është shprehur se “gjykata konstaton se për zgjatjen e afatit në hetimet paraprake nga organi procedues rezulton se i pandehuri Aldo Bare është mbrojtur nga avokati i zgjedhur nga familja e tij”. “Në bazë të nenit 325 të Kodit të Procedurës Penale, avokati i zgjedhur nga familja e Aldo Bares gjatë hetimeve paraprake nuk ka paraqitur asnjë kërkesë para gjykatës për kundërshtim e zgjatje të afatit të hetimeve”, - është shprehur kryesuesja e trupës gjyqësore dje gjatë shpalljes së vendimit, duke përfunduar se “nuk jemi para faktit të pavlefshmërisë së zgjatjeve të hetimeve në kundërshtim me dispozitën e parashikuar në Kodin e Procedurës penale”.
Kërkesa për pavlefshmëri të aktit të njoftimit të akuzës dhe dërgimit të çështjes në gjyq
Një tjetër kërkesë e rrëzuar nga gjykata ka qenë edhe pretendimi i avokatit të të pandehurit Aldo Bare për pavlefshmëri absolute të aktit për “njoftimin e akuzës në cilësinë e të pandehurit” për të pandehurin Aldo Bare (Alfred Shkurti). Sipas gjykatës, në lidhje me pavlefshmërinë e këtij akti, vërehet se njoftimi i akuzës në cilësinë e të pandehurit Bare, në bazë të nenit 34 të Kodit të Procedurës Penale, nga provat e ndodhura në fashikullin e procedimit penal nr. 15 rezulton se të gjitha aktet e marra gjatë hetimeve paraprake nga organi procedues, përfshirë edhe njoftimin e akuzës në cilësinë e të pandehurit Aldo Bare, janë marrë në prezencë të avokatit mbrojtës të caktuar nga familjarët e të pandehurit në përputhje me të gjitha procedurat ligjore. Gjithashtu, edhe për kërkesën për pavlefshmëri të aktit të dërgimit të çështjes në gjyq vërehet nga gjykata se marrja e akteve të mësipërme dhe vendimi i dërgimit të çështjes në gjyq është i ligjshëm, bashkangjitur dhe kërkesa për gjykim me të akuzuar Aldo Baren dhe të tjerët.
Kërkesa për vepra të gjykuara dhe parashkrim të disa veprave penale
Gjykata rrëzoi edhe dy pretendime të tjera të avokatit të Aldo Bares për gjykim të një vepre të gjykuar më parë apo dhe parashkrim të veprës penale. Sipas gjyqtares Hajdari, për sa i përket veprës penale “shkatërrim i pronës me zjarr”, parashikuar nga neni 151/1 i Kodit Penal, pretendimi i ngritur nga i pandehuri se nuk mund të ushtrohet ndjekje penale ndaj tij në bazë të nenit 66 germa c e Kodit Penal rrëzohet, pasi nga provat e ndodhura në fashikull ky i pandehur nuk akuzohet për nenin 151/1, por për nenin 151/2 për një vepër penale që ka ndodhur në vitin 1998 dhe kjo dispozitë parashikon afatin 10-vjeçar dhe jo 5-vjeçar si neni 151/1. Ndërsa, për sa i përket kërkesës në lidhje me veprat penale të “krijimit të bandës së armatosur dhe kryerjes së veprave penale nga banda të armatosura”, pretendimi i ngritur nga i pandehuri Bare dhe avokati i tij Meçi se kjo vepër është gjykuar dhe nuk mund të ushtrohet ndjekje penale ndaj tij rrëzohet sërish nga gjykata. Arsyetimi i gjykatës për këtë kërkesë është se “nga provat e ndodhura në fashikullin gjyqësor rezulton se gjykata nuk ndodhet para faktit se kjo vepër është e gjykuar njëherë dhe të drejtës për të mos u gjykuar ose dënuar dy herë për të njëjtën vepër penale”. Sipas gjyqtares Hajdari, në këtë rast jemi para faktit të veprës së paragjykuar, pasi gjatë shqyrtimit gjyqësor, organi procedues i ka kërkuar gjykatës tërheqje të akteve për sa u përket veprave penale “krijim i bandave të armatosura dhe kryerje të veprave penale të kryera nga banda të armatosura”, kërkesë kjo e pranuar edhe nga Gjykata e Apelit të Durrësit. Gjithashtu, edhe për veprën penale “vrasje me paramendim” për shtetasin Genci Kashari, fakt ky që tregohet edhe në vendimin nr.289 të datës 21.12.2001, ku është vendosur “pushimi i akuzës së vrasjes me paramendim në bashkëpunim” për shtetasin Kashari dhe vazhdimi i hetimeve për veprat penale të parashikuara nga nenet 333 dhe 334 të Kodit Penal për të pandehurin Aldo Bare, më datë 12.01.2007, me vendim të Prokurores së Përgjithshme është shfuqizuar vendimi i pushimit të sipërcituar nga ana e prokurorisë dhe kanë rifilluar hetimet deri më datë 03.07.2007, kur çështja ka mbërritur për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Gjykata shprehet se këto fakte provojnë se nuk jemi para faktit të çështjes së gjykuar njëherë.
Gjyqtarja Hajdari është shprehur se “gjykata konstaton se për zgjatjen e afatit në hetimet paraprake nga organi procedues rezulton se i pandehuri Aldo Bare është mbrojtur nga avokati i zgjedhur nga familja e tij”