Dialogu, Topalli: Po i vjen fundi bojkotit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, shprehet optimiste se tryeza politike mes dy partive të mëdha në vend do të sjellë rezultat. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, ku ajo priti homologun e Malit të Zi, Topalli u shpreh se e rëndësishme është që opozita të kthehet në Kuvend. “Kam gjashtë muaj që pres të ndalet bojkoti, nëse kjo ndodh para tryezës apo pas tryezës, e rëndësishme është që të ndalet bojkoti për normalitetin e jetës parlamentare dhe demokratike. Unë jam optimiste”, - deklaroi Topalli. Kryetarja e Kuvendit ka kujtuar dhe një herë se kanë mbetur dhe pak ditë nga 4 marsi, afati i fundit i skadimit të afatit kushtetues për mandatet e deputetëve të majtë. Ajo ripërsëriti thirrjen që deputetët të braktisin bojkotin: “I përsëris ftesën çdo deputeti, ndërgjegjes së tyre shoqërore dhe politike: Eejani në Parlament, keni vendin tuaj, keni hapësirën tuaj, ndaj bëni detyrën që ju ka dhënë populli. Unë jam e sigurt se bojkotit po i vjen fundi. Bojkoti ka vetëm një emër”, - shtoi Topalli. Ndërkaq, në takimin e djeshëm me homologun u njoftua një projekt i përbashkët për thellimin e lumit Buna, në mënyrë që të mos përsëriten përmbytje si ajo e janarit në Shkodër.