E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Musta: Varret masive që u zhdukën në vitin ‘90

Sistemi komunist ekzekutoi mbi 6 mijë persona dhe më se 3 mijë prej tyre janë ende të zhdukur sot e kësaj dite. Historiani Agim Musta, një ish-i dënuar politik, në një intervistë për “standard”, flet për “poligonet e vdekjes” ose vendet ku janë bërë ekzekutimet në masë nga komunizmi. Sipas tij, dy varre masive me qindra njërës, ajo e Bulqizës dhe Burrelit, u zhdukën nga buldozerë me urdhër nga lart në vitin 1990. Në ato varreza masive, kishte qindra të dënuar që ishin ekzekutuar pa gjyq. Musta shprehet se nga kërkimet e tij janë dhjetëra vende ku janë bërë ekzekutime. Sipas tij, çdo degë e brendshme në atë kohë kishte një “poligon vdekjeje”. Historiani flet më tej për ekzekutimet në kohën e diktaturës. Ai shprehet se në Shqipëri ka pasur edhe shtetas të huaj që kanë vdekur në burgjet e komunizmit. Historiani thotë më tej se komunistët i varrosnin kufomat me gëlqere apo buzë lumenjve në mënyrë që të humbitnin gjurmët.

Zoti Musta, në media ka qenë tema e ditës gjetja e 19 skeleteve në Malin e Dajtit. Ju keni studiuar dhe keni botuar mjaft libra për krimet e komunizmit në Shqipëri. Kujt i përkasin këto skelete, sipas jush, pasi që tani janë hedhur disa hipoteza, si grupi armiqësor i naftës etj...

Në periudhën e diktaturës komuniste janë bërë rreth 6 mijë pushkatime dhe një pjesë e madhe e tyre janë bërë pa gjyq në prag të vitit 1944, por edhe pas këtij viti ka pasur raste të ekzekutimeve pa gjyq. Ka pasur ekzekutime të tilla, si për shembull, nga torturat ka pasur vdekje dhe atëherë përgatitej një vendim gjyqi i rremë, e varrosnin dhe afirmohej nga mjeku se ishte ekzekutuar, kur në fakt nuk ishte e vërtetë. Për sa i përket varrezës në Dajt, e kam thënë edhe në librin tim se pas viteve ‘50 ishin ato që quheshin “poligonet e vdekjes”, ku bëheshin ekzekutimet. Shkodra kishte Zallin e Kirit; Durrësi kishte fabrikën e lëkurëve në Porto Romano; Tirana kishte Urën e Bardhit, Tërkuzën, Dajtin dhe Malin me Gropa. Elbasani kishte buzën e lumit Shkumbin. Vlora kishte një urë që quhej Ura e Ballistëve. Gjirokastra kishte Sheshin e Zinxhirëve dhe një pjesë buzë lumit Drino. Pra, nuk ka pasur një vend, çdo degë e brendshme në Shqipëri kishte një “poligon vdekjeje”. Në burg, Halim Xhelo, ish-gjeneral Sigurimi, të cilin e varën në Burgun e Tiranës, sepse dyshohej se fliste për sekretet e Sigurimit, më pati thënë se në “poligonet e vdekjes” përdornin edhe gëlqere, në mënyrë që të humbisnin edhe kockat ose bëheshin varre të cekëta buzë lumit, që në kohën e shirave t’i merrte lumi kufomat. Ka pasur edhe më të këqija, pasi edhe vetë turmat, të nxitura nga komunistët, kanë prishur varret. Kështu është prishur varri i Iljaz Vrionit, ish-Kryeministër në dy periudha, i cili qe rivarrosur në Berat. Në ‘44, turma të nxitura nga komunistët e prishën varrin dhe kockat ia hodhën në Osum. Kështu iu prish varri edhe Gjergj Fishtës, poetit tonë kombëtar, dhe kockat ia hodhën në lumin Bunë dhe përfunduan në Adriatik. Pra, ka qenë një lojë makabre e komunistëve për prishjen e varreve për moslënien e gjurmëve. Kemi Bulqizën, ku qe burg deri në vitin 1956 dhe kanë vdekur 720 vetë dhe këtë ma ka konfirmuar ish-komandanti i kampit të Bulqizës. Ata u varrosën atje në Bulqizë, por në vitin 1990, me urdhër nga lart, atje shkoi buldozeri dhe zhduku çdo gjë. Po kështu ka qenë edhe burgu i Burrelit, i cili u hap në vitin 1946, dhe deri në vitin 1955 vdiqën 265 vetë që u varrosën prapa burgut dhe unë këtë e di mirë, sepse kam vuajtur dënimin për 4 vite atje. Prapa burgut ishte një qershi dhe atje u hap një gropë e madhe dhe sa herë që vdiste ndonjëri, e mbështillnin me batanije, e lyenin me gëlqere dhe e hidhnin në gropë. Pastaj ajo mbulohej me trarë. Atje mund të jenë varrosur disa qindra të burgosur. Por edhe atje kaloi buldozeri dhe shkatërroi çdo gjurmë.

Po për sa i përket varrezës në Dajt, ata mund të jenë kushdo?

Në lidhje me trupat e gjetur në Dajt, përveç analizave të ADN-së, duhet të shihen edhe arkivat e Ministrisë së Brendshme e të Drejtësisë. Pra, fillimisht duhet përcaktuar koha se kur janë ekzekutuar. Ky është një argument i fortë, por mund të jenë edhe nga ata që janë pushkatuar pa gjyq, siç është folur se mund të jenë inxhinierët e naftës, pasi shumë prej tyre janë ekzekutuar dhe varret janë mbajtur sekret. Ekzekutorët edhe kësaj dite nuk duan të tregojnë të vërtetën.

Cilat janë disa nga ekzekutimet e komunizmit që varret e tyre nuk janë zbuluar akoma?

Duhet të kuptojmë se janë disa mijëra varre. Për shembull në Spaç, gjatë periudhës ‘68-‘90, janë ekzekutuar 4 vetë dhe kanë vdekur edhe në minierë nga aksidentet. Asnjë varr nuk ka. Poshtë në Spaç kishte një përrua dhe këta i varrosnin të vrarët në përrua dhe kur dilte përroi, trupat zhdukeshin, i merrte uji. Kanë vajtuar, kanë kërkuar, por s’kanë gjetur gjë. Shumica e varreve nuk janë gjetur. Vetëm një varrezë masive është gjetur tani tek Ura e Deshirit, ku janë ekzekutuar 22 veta në të ashtuquajturin incidentin e ambasadës sovjetike. Atje ndihmuan fshatarët e zonës për të gjetur varrin, pasi ata kishin dëgjuar krismat e ekzekutimit, madje edhe zërin e një gruaje, që ishte profesoresha Sabahet Kasimati, e cila u ekzekutua atje.

Nga 6 mijë ekzekutime që ka pasur në diktaturë, sa prej tyre nuk kanë ende një varr?

Unë mendoj se shumica nuk kanë ende një varr, pra mbi 3 mijë. Që nga viti 1944 e deri në vitet ‘90. Vështirë është edhe për gjetjen e varreve të atyre që janë vrarë në kufi në vitin 1990-1991.

Sa vetë mendohet se janë vrarë në kufi në këto vite kur sistemi po binte?

Janë rreth 90 veta. Unë kam identifikuar disa prej tyre që janë vrarë në Gramoz apo në Hanin e Hotit, rreth 33 veta. Besoj se janë më shumë, sepse shumë prej tyre i kanë hedhur nëpër gremina. Sipas hulumtimeve të mia, janë mbi 100 familje që pretendojnë se fëmijët u janë vrarë në tentativë arratisjeje. Kohët e fundit, në fshatin Aliko në Sarandë, 5 të rinjve nga Alikoja, minoritarë, iu gjetën kufomat dhe u ngrit një piedestal për ta.

Sa e vështirë është gjetja e varreve të të humburve?

Çdo ditë që kalon, bëhet më e vështirë kjo, sepse koha kalon dhe dëshmitarët okularë vdesin dhe detyrimisht bëhet më e vështirë.

E mbështesni idenë e krijimit të një komisioni të posaçëm për gjetjen e të vrarëve?

Unë e mbështes plotësisht, por është mjaft e vonuar, pasi kanë kaur 20 vjet. Megjithatë, ky komision duhet të ketë një status të veçantë dhe një rregullore që t’i detyrojë ligjërisht vrasësit për të treguar vendin se ku janë vrarë. Ata i dinë. Mjekët e punëve të brendshme, mjekët e burgjeve që hidhnin firmat, prokurorët e rretheve etj.

Vetë familjet e të humburve kanë kërkuar varret e të afërmve të tyre, duke u dhënë besën ekzekutorëve. Keni informacion se sa familje kanë kërkuar të gjejnë vetë varrin e të humburve të tyre?

Po, ka shumë, por mund të të them që një grek që ka vdekur në burgjet tona, i vëllai i tij më ka kontaktuar vite më parë nga Kreta për të ardhur këtu dhe të gjejë varrin e vëllait të tij. Unë iu përgjigja se është e vështirë, pasi ai ka vdekur në burgun e Burrelit dhe kufomat e këtij burgu janë asgjësuar.

Çfarë ishte ky greku që kishte vdekur në burgjet shqiptare?

Disa qindra, por edhe mijëra qytetarë grekë kanë vuajtur në burgjet shqiptare. Këta i kapte IAM-i, repartet komuniste greke, dhe ia dorëzonin Partisë Komuniste shqiptare dhe shumë prej tyre përfunduan në burgje, madje shumë prej tyre janë vrarë. Në Shqipëri kanë vuajtur edhe shumë të huaj, si italianë, grekë, gjermanë, çekë etj.

A ka shifra për të huajt që kanë vuajtur burg në Shqipëri apo që kanë vdekur në to?

Po, sigurisht. Unë për grekët kam shkruar dhe kam nxjerrë rreth 1 mijë qytetarë grekë që kanë vuajtur në burgjet shqiptare apo kampe. Kanë vuajtur mbi 900 kosovarë, pasi ata i etiketonin si të dërguar të UDB-së jugosllave. Ka italianë. Mbaj mend që ka pasur edhe dy gjermanë në kohën që jam arrestuar edhe unë. Ata ishin punëtorë të thjeshtë dhe ishin në një jaht dhe po bënin xhiro në det. Ishin në Dubrovnik dhe po shkonin për në Korfuz, por hynë në ujërat tona dhe i kapën. I dënuan me 5 vite burg dhe u morën edhe jahtin. Njëri prej tyre vdiq në burg, ndërsa tjetri vonë iku në Gjermani, pasi vuajti dënimin. Ka pasur qindra raste të tilla. Ka pasur gra, sidomos çeke, polake, ruse etj.

Zoti Musta, ku mund të gjenden varret e të pushkatuarve në kohën e diktaturës?

Janë “poligonet e vdekjes”. Aty mund të ketë. Në malin e Dajtit, më Malin me Gropa. Ka në Porto Romano, në ish-fabrikën e lëkurëve atje. Ka në Shkodër, në Zallin e Kirrit. Janë ekzekutuar disa qindra në Shkodër, pas kryengritjes së Postribës apo të Dukagjinit. Populli i di këto vendi, por duhen specialistë që të bëhen zhvarrimet. Si përfundim, mund të themi se kanë mbetur gjysma pa u gjetur ende.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›