E Shtunë, 31 Tetor 2026

11 deputetë ngujohen në grevë urie

Ajo që ishte paralajmëruar prej ditësh ka nisur dje në mbrëmje. Njëmbëdhjetë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë kanë nisur grevën e urisë brenda në sallën e seancave plenare të Parlamentit. Vendimin final, në foltoren e Kuvendit, e ka lajmëruar vetë kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Duke marrë fjalën në pjesën e diskutimit të lirë në seancën e pasdites, Meta deklaroi se: "Me përgjegjësi politike e kombëtare, jemi të detyruar të shpallim që nga ky moment grevën e urisë, si e vetmja rrugë demokratike e civile që na ka mbetur për t‘i thënë ndal revanshit të binomit Berisha-Rama dhe qëllimit të tyre antikombëtar e antidemokratik për shkatërrimin e zgjedhjeve të ardhshme, përmes frikësimit paraprak të votuesve shqiptarë dhe së fundmi përmes numërimit stalinist të votave. Ky është momenti që të gjithë shqiptarët të reflektojnë e të reagojnë në mbrojtje të votës së tyre të shenjtë e të paprekshme nga askush! Dje, korrupsioni shembi një pallat në Gjirokastër dhe u mori jetën qytetarëve të pafajshëm. Tetë muaj më parë, korrupsioni hodhi në erë në Gërdec jetën e dhjetëra qytetarëve, e përmes tyre nuk kurseu as fëmijët, duke vrarë ëndrrat e tyre ende pa nisur. Ndaj, sot është momenti për t‘i dhënë goditjen e parë këtij sistemi të korruptuar që në themelet e tij, duke i dhënë fund së pari korrupsionit elektoral.

Vota duhet të bëhet e shenjtë në këtë vend, në mënyrë që askush të mos vdesë më prej korrupsionit. Dua të garantoj të gjitha mediat se ne jemi të hapur për pasqyrimin e kësaj greve nga ana e tyre 24 orë në 24 orë". Në grevën e urisë, që ka nisur mbrëmë në ambientet e Parlamentit, marrin pjesë deputetët: Ilir Meta, Spartak Braho, Pëllumb Xhufi, Dritan Prifti, Ndre Legisi, Nikollaq Neranxi, Petro Koçi, Nard Ndoka, Ndue Shpani, Jak Ndoka, Ymer Tola. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në fjalën e mbajtur mbrëmë në Kuvend, ka akuzuar ashpër kreun e PD-së, Sali Berisha, dhe atë të PS-së, Edi Rama, si shkaktarë të precipitimit negativ të situatës. Meta tha se vendimi i tyre "shpreh në vazhdimësi qëndrimin tonë të qartë dhe pa asnjë ekuivok se binomi Berisha-Rama, pasi dhunoi në mënyrë arrogante Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pasi kufizoi rolin e Presidentit të Republikës dhe institucioneve të pavarura e sidomos të sistemit të drejtësisë, tani po dhunon zgjedhjet. Ne mbështesim me forcë kërkesat e komunitetit ndërkombëtar e në mënyrë të veçantë të BE-së dhe OSBE-ODIHR-it, që procesi i hartimit të Kodit Zgjedhor dhe i administrimit të procesit të ardhshëm elektoral të jetë sa më gjithëpërfshirës e aspak përjashtues, sikundër ka ndodhur për fat të keq pas marrëveshjes të paprinciptë Berisha-Rama, për të paracaktuar në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, nëpërmjet monopolizimit total të procesit të administrimit të zgjedhjeve edhe pse të dyja së bashku, PD e PS, në zgjedhjet e fundit të përgjithshme vendore kanë marrë vetëm 43% të votës popullore". Pas kreut të LSI-së, në foltore u ngrit edhe kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, i cili theksoi se Berisha dhe Rama përpiqen të nënshtrojnë Kuvendin. Ndoka tha se "Berisha po ndërmerr iniciativën për të eliminuar Partinë Demokristiane, që nuk mundi ta shndërrojë në një parti vasale të partisë së tij. Ky është një atentat që u bëhet zgjedhjeve të lira, demokracisë dhe qytetarëve. Me këtë Kod Zgjedhor, ne do kemi pas zgjedhjeve një Parlament të emëruar, institucione të emëruara dhe President të emëruar dhe kjo do të ishte një goditje rrënuese për demokracinë dhe Kushtetutën e vendit". Në vijim të fjalës së tij, ai u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të djathtë që të bashkohen me nismën e PDK-së për të hyrë në grevë urie. "Unë i bëj thirrje deputetëve të qendrës së djathtë që t‘i thonë ndal kësaj aventure të rrezikshme ku po e çon vendin Berisha dhe Rama. Në emër të PDK-së shpallim grevën e urisë në mbrojtje të votës së lirë", përfundoi Ndoka.

Lista

Ilir Meta

Spartak Braho

Pëllumb Xhufi

Dritan Prifti

Ndre Legisi

Nikollaq Neranxi

Petro Koçi

Nard Ndoka

Ndue Shpani

Jak Ndoka

Ymer Tola



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›