Xhafa: Do të ruhet gjykimi me Kolegjin Zgjedhor
Komisioni për Reformën Zgjedhore po shkon drejt fundit të punës së tij. Në mbledhjen e djeshme, anëtarët e komisionit kanë miratuar me konsensus edhe 30 nene të Kodit të ri Zgjedhor, në të cilat përfshijnë kapitullin e ankimimeve. Pas mbledhjes, bashkëkryetari i komisionit, Fatmir Xhafa, është shprehur se "në mbledhje, patëm diskutime për këtë çështje dhe vendosëm që të ruhet gjykimi me Kolegj Zgjedhor". Sipas bashkëkryetarit socialist të komisionit, në kodin e ri parashikohen kritere të reja më të forta për shpalljen e zgjedhjeve të pavlefshme, si dhe për përsëritjen e tyre. Hartuesit e Kodit Zgjedhor sqaruan se drafti ligjor i zgjedhjeve është drejt përfundimit dhe se ka mbetur për t‘u miratuar vetëm kapitulli i sanksioneve, para se t‘i përcillet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim. Ditën e enjte, pritet që Komisioni i Reformës Zgjedhore të zhvillojë mbledhjen e fundit, për të miratuar në kod edhe ato pak gjëra që kanë mbetur apo e thënë ndryshe, për t‘i dhënë dorën e fundit para se ta paraqesin për diskutim te Komisioni i Ligjeve dhe më pas për miratim në Kuvend. Komisioni i Reformës, ka më se një vit që ka nisur punën për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, e cila u prit mjaft mirë nga politika shqiptare në fillimet e saj, por tashmë që gjërat po shkojnë drejt fundit, situata ka ndryshuar. LSI-ja dhe disa parti të tjera politike kanë kundërshtuar dhe po kundërshtojnë hartimin e këtij kodi, duke pretenduar se PD-ja dhe PS-ja po hartojnë një Kod Zgjedhor i cili rrezikon realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.