E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Bime të japë dorëheqjen

Lëvizja Socialiste për Integrim u shpreh dje mjaft e tronditur, ashtu siç janë të gjithë qytetarët shqiptarë, lidhur me tragjedinë e ndodhur në qytetin e Gjirokastrës. Sekretari i përgjithshëm, Petrit Vasili, i shprehu ngushëllimet familjes së viktimës, e cila u nxor pajetë nga rrënojat e pallatit të shembur. "Gjithashtu, ne kemi shpresën dhe lutemi, që edhe në këtë moment që kërkimet vazhdojnë të ketë të mbijetuar dhe jeta e tyre të kursehet nga kjo tragjedi", tha ai. Ai shtoi se LSI-ja është e indinjuar, ashtu sikurse të gjithë shqiptarët, për këtë tragjedi të tmerrshme të prodhuar nga korrupsioni, tashmë konsensual PS-PD, i cili gjallon në pushtetin aktual dhe mbrohet nga qeveria e Sali Berishës. "Për hir të atyre aferave ndërtimore dhe politike, të cilët ashtu sikurse shembën themelet e shtetit, që është Kushtetuta, po shembin edhe pallatet, banesat e qytetarëve dhe abuzivizmi e arroganca korruptive, tashmë, me dy autorë, Rama dhe Berisha, po merr jetë njerëzish, duke destabilizuar dhe duke bërë që njerëzit të jetojnë me peshën e gërdecave të njëpasnjëshëm", theksoi Vasili. "Dje, shtoi ai, në Gjirokastër është konfirmuar një ‘Gërdec‘ i dytë tragjik dhe po aq i tmerrshëm". Sigurisht, insistoi drejtuesi i LSI-së, që në këtë vend, ku përgjegjësitë janë të gjitha të rëna në tokë, në këtë ngjarje që ka një vendndodhje konkrete dhe përgjegjësi konkrete, përgjegjësi i parë, është ai që drejton pushtetin lokal, kryetari i bashkisë, Flamur Bime. "Dorëheqja e menjëhershme, ku çdo sekondë e mosdhënies së kësaj dorëheqjeje është një dëm i pallogaritshëm moral dhe politik, do të ishte vetëm hapi i parë, përtej përgjegjësive të tjera ligjore, të cilave duhet t‘i shkohet deri në fund, për të dhënë më në fund mesazhin që në këtë vend, përgjegjësit dhe fajet e tyre, të marrin ndëshkimin e merituar", vijoi Vasili. LSI-ja vlerëson se me këtë kërkesë publike, mendon njëlloj si të gjithë qytetarët gjirokastritë, që nuk janë ndjerë kurrë kaq të tronditur, në 100 vitet e jetës së tyre. "Njëkohësisht, kjo tërheqje do të ishte mbyllja e një kalvari, i cili, duke mos kursyer vlerat muzeale të këtij qyteti të pashembullt në Evropë, e që po shembet dita-ditës, më në fund nuk po kursen as jetët e njerëzve", konstatoi Vasili. Ai përsëriti se "përgjegjshmëria fillon këtu dhe ne do të insistojmë që kësaj përgjegjshmërie t‘i shkohet deri në fund".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›