E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen viktimat në Kili, Klinton të martën në Santiago



Numri i viktimave që kanë humbur jetën nga tërmeti në Kili ka shkuar mbi 700, ndërsa të plagosur dhe të prekur materialisht nga ai kanë mbetur rreth dy milionë persona. Ndërkohë numri i të zhdukurve vazhdon të rritet. Në kryeqytetin Santiago toka dridhet akoma. Dallgët e fuqishme të cunamit që pritej të godiste brigjet e Paqësorit kanë humbur forcën dhe alarmi për cunami është tërhequr tashmë. Në Kili 350 të vdekur janë regjistruar vetëm në Constitucion, për shkak të tërmetit dhe cunamit që pasoi. Ndërkohë në Concepcion, autoritetet po kërkojnë ndërhyrjen e ushtrisë. Fenomeni i vjedhjes pas tërmetit është rritur shumë. Edhe në zona të tjera të vendit kërkohet ndërhyrja forcave të sigurisë. Dëmet materiale deri tani luhaten, sipas shifrave të para, nga 15-30 miliardë dollarë. Thirrjet për ndihmë janë shuar nën rrënojat e një pallati 14 katesh, i cili ra gjatë tërmetit me magnitudë 8,8 ballë në Concepcion. Besohet se 60 persona janë ende nën rrënoja. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton do të vizitojë të martën Kilin. Sipas Departamentit të Shtetit, programi i udhëtimit të saj në Amerikën Latine është shtyrë pasi të martën Klinton do të jetë në Santiago. Në dy ditë në Kili janë regjistruar 110 lëkundje të gjitha me një magnitudë më të lartë se 4.5 ballë të shkallës Rihter. Vendet e tjera të Paqësorit pas orës 11:00 i kanë tërhequr alarmet për cunami. 320 mijë njerëz u evakuuan në Japoni, për shkak të mbërritjes së cunamit. Dallgët ishin rreth 1,5 m në këtë vend, ndërsa në Rusi dallgët që u regjistruar ishin gati një metër. Havai ka shpëtuar nga cunami duke pësuar vetëm përmbytje, pa viktima.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›