E Shtunë, 31 Tetor 2026

1.1 miliard euro shpenzime në vit për divorce

Nga Express më 17 mars 2011 në ora 20:20

Në Bashkimin Evropian sipas vlerësimeve në vit shpenzohen 1,1 miliard euro në zgjidhjen e marrëdhënieve dhe çështjeve pronësore me rastin e ndarjes së çifteve bashkëshortore ose vdekjes së njërit nga bashkëshortët.

Komisioni Evropian ka propozuar thjeshtësimin e rregulloreve, për të mundësuar zvogëlimin e shpenzimeve shtesë për 400 milionë euro dhe shkurtimin e zgjatjes së procedurave gjyqësore dhe administrative, të cilat sikurse ka ndodhur në një rast, mund të zgjasin deri në 20 vjet.

Vlerësohet se në BE jetojnë rreth 16 milionë çifte ndërkombëtare. Me emërtimin e çifte ndërkombëtare nënkuptohet se partnerët nuk janë nga i njëjti vend, nuk jetojnë në vendin e tyre ose kanë pasuri në një vend tjetër.

Rregullat e reja parashikojnë edhe për martesat dhe partnerët e regjistruar, dhe se këto rregulla pa ndonjë dallim do të kenë të bëjnë edhe me homoseksualët dhe çiftet heteroseksuale, ka njoftuar Komisioni Evropian.

Në BE më 2007 janë bërë 2,4 milionë martesa, prej të cilave 310.000 kanë pasur “dimension ndërkombëtar”. Po ashtu kanë qenë 140.000 divorce.

Kur çifti bashkëshortor ose i partneritetit ndahet, atëherë ish-partneri përballet me probleme, sepse nuk është gjithmonë e qartë se cila gjykatë është kompetente për zgjidhjen e problemeve pronësore.

Pjesa më e madhe e të hollave shpenzohet në procedurat tek avokatët, për shkak të mungesës së informacioneve të nevojshme, procedurave paralele në vende të ndryshme dhe procedura afatgjate, ndërsa vlerësimi i Komisionit Evropian është se ndryshimi i rregullave do të mundësojë shpenzimin prej 2.000 deri në 3.000 euro për çift.

Sipas propozimit të KE-së, me rastin e divorcit bashkëshortët do të zgjedhin vendin, me ligjet e të cilit dëshirojnë të ndahen. Po ashtu, janë paraparë edhe kriteret me rastin e marrjes së vendimit lidhur me atë se cili sistem është më i përshtatshëm për zbatim nëse bashkëshortët nuk kanë marrë ende vendim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›