E Hënë, 2 Nëntor 2026

11 organizata të trafikut të fëmijëve në vitin 2004

06/01/2005  TIRANË – Trafiku i fëmijëve në Shqipëri kryhet nga 11 organizata kriminale. Gjatë vitit 2004, Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë ka zhvilluar hetime ndaj 11 grupeve kriminale, të cilat kanë zhvilluar trafikun e fëmijëve. Sipas dokumentit zyrtar të statistikës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, gjatë vitit 2004, në zyrat e këtij institucioni janë regjistruar 11 procedime penale. Të gjitha këto dosje, sipas burimeve nga organi i hetimit, janë regjistruar me akuzën që parashikohet nga neni 128/B i Kodit Penal shqiptar. Ky nen përcakton dënimin gjyqësor ndaj të akuzuarve që kryejnë trafikimin e fëmijëve për qëllime përfitimi. Për rastet kur trafiku kryhet me qëllim përfitimi material dhe hetimi nuk zbulon se në krim kanë marrë pjesë bashkëpunëtorë, dënimi i parashikuar është dhjetë deri në 20 vjet burg. Ndërsa për rastet kur trafikimi me qëllime përfitimi kryhet nga disa persona që bashkëpunojnë në formë organizate, dënimi i parashikuar është jo më pak se 15 vjet heqje lirie.

Të akuzuarit

Burimet pranë Prokurorisë thanë se një i akuzuar për trafikim të fëmijëve është në proces gjykimi në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në Tiranë. Ky i akuzuar, ashtu sikurse edhe të akuzuarit e tjerë në këtë fushë, ndodhet i vetëm në dosjen me provat kundër tij. Për 11 dosje penale, që kanë të bëjnë me trafikun e të miturve, Prokuroria ka marrë 11 të pandehur, duke ngritur akuzë ndaj tyre për trafikim të fëmijëve me qëllime përfitimi (trafikim për shitje). Të gjitha këto dosje janë klasifikuar si organizata kriminale. Prokuroria tha se, përcaktimi i organizatës qëndron për të gjitha dosjet, edhe pse ato kanë një të pandehur. Hetuesit, pasi kanë zbardhur skemën e trafikut për çdo rast, kanë gjetur prova të besueshme, se trafikimi nuk mund të jetë bërë nga një person i vetëm. Duke hedhur kështu dyshimet për bashkëpunëtorë të tjerë, që u japin dosjeve karakterin e organizatës keqbërëse.

Bashkëpunëtorët

Hetuesit thonë se shumica e emrave të personave që duhet të akuzoheshin në dhjetë dosjet e trafikut, që do të hetohen gjatë këtij viti, dihen. Këta persona janë të dyshuar, por akuza ndaj tyre nuk është ngritur, për shkak të mungesës së provave. Ashtu sikurse në të gjitha dosjet e trafikut, edhe në rastin e trafikut të fëmijëve, hetimi është i vështirë dhe dëshmitarët kanë frikë të flasin apo të japin prova për drejtësinë. Të arrestuarit nuk dëshmojnë asnjëherë për pjesën tjetër të organizatës ku kanë bërë pjesë, gjatë kohës që kanë zhvilluar trafik. Në këto kushte, Prokuroria ende nuk ka gjetur prova për të akuzuar persona të tjerë, por provat për 11 organizata kriminale që kryejnë trafikim të fëmijëve, janë të plota dhe të administruara profesionalisht. Për të gjitha dosjet, Gjykata i ka cilësuar të mjaftueshme provat për të mbajtur në arrest me burg të akuzuarit për trafik fëmijësh, në formën e organizatës kriminale.

Precedenti në Lushnjë

Në datën 21 maj 2004, Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar se Prokuroria e Lushnjës, ka dërguar për gjykim procedimin penal numër 228, të datës 23.10.2002, në ngarkim të të pandehurve Ervin Basha, Eduart Ademi, Martin Zhuga, Dritan Zhuga, Arian Malaj, Florenc Malaj dhe Klodjan Zhuga. Sipas njoftimit, ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të të miturve”, parashikuar nga neni 128/b/2 i Kodit Penal. Ndaj të pandehurit Ervin Basha, Prokuroria zhvilloi hetimet për kryerjen e veprës penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese” parashikuar nga neni 114/a pika 5 i Kodit Penal. Pas shqyrtimit gjyqësor të çështjes, Gjykata e rrethit të Lushnjës vendosi deklarimin fajtor të të pandehurve Ervin Basha me 18 vjet burg, Arian Malaj me 17 dhe Florenc Malaj me 15 vjet burgim. Ndërsa për të pandehurit e tjerë, gjykata shprehet se kanë kryer elementët e veprës penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese” dhe vendosi dënimin e Martin Zhugës dhe Dritan Zhugës me nga 8 vjet burg. Pjesa më e madhe e dosjeve që sot hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, kanë ardhur nga prokuroritë e rretheve, pas krijimit të organit të hetimeve për krime të rënda në muajin janar të një viti më parë. Ky institucion, sipas ligjit, zhvillon hetimet për organizatat kriminale që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në territorin e Shqipërisë.

KODI PENAL

Trafikimi i fëmijëve

Neni 128/b

(Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 35)

Trafikimi i fëmijëve me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose shoqërohet me keqtrajtimin dhe detyrimin me dhunë fizike ose psikike të të dëmtuarit për të kryer veprime të ndryshme, ose sjell pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe kur ka sjellë si pasojë vdekjen, me burgim të përjetshëm.

1992-2000, 4 mijë

fëmijë të trafikuar

Sipas statistikave që janë hartuar nga institucionet antitrafik në Shqipëri, prej vitit 1992 deri në vitin 2000, kohë në të cilën kanë vepruar 11 organizatat e trafikut të fëmijëve, janë trafikuar 4000 të mitur. Raportet zyrtare, theksojnë se mosha e të trafikuarve është nën 18 vjeç. Trafikimi është bërë në vendet fqinje si Greqia dhe Italia, në shumicën e rasteve për shfrytëzim seksual, lypje, punë të detyruar dhe përfshirje në rrjetet kriminale jashtë vendit. Gushti i vitit 2002 i dha një goditje të fortë trafikut të qenieve njerëzore dhe atij të fëmijëve. Forcat Speciale Shqiptare dhe Guardia di Finanza Italiane patrullonin në detin Adriatik dhe detin Jon, kur numri i gomoneve që kalonin atje ishte në minimum. Por trafiku filloi të shikonte rrugë dhe mundësi të tjera, duke ruajtur ekzistencën e tij. Shqipëria është një vend tranzit dhe një vend origjine për trafikimin e fëmijëve. Fëmijët e trafikuar vijnë nga Moldavia, Rumania, Serbia dhe vetë Shqipëria. Fëmijët trafikohen në Shqipëri nga trafikantë moldavë, rumunë, serbë dhe shqiptarë. Të miturit dërgohen në vendet pritëse si Italia, Franca, Belgjika, Holanda, Anglia dhe Greqia.

Klasifikimi i trafikut të fëmijëve

1.Trafikuesit e vegjël

Ata veprojnë më vete dhe mund të shfrytëzojnë një ose dy fëmijë

njëkohësisht. Sipas Avni Jashanllarit, këta trafikantë mund të jenë madje dhe të afërm të fëmijës viktimë.

2. Grup trafikantësh

Veprojnë në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Secili prej tyre ka rolin e tij dhe grupi ka një kryetar. Anëtarët e këtij grupi janë në kontakt me njëri-tjetrin; njëri mund të jetë në vendin e origjinës, një tjetër mund të organizojë kalimin e kufirit; të tjerë mund të jenë në vendin pritës.

3. Organizatat trafikuese

Kjo kategori vepron në disa vende në të njëjtën kohë;

në vendin e origjinës, në vendin e tranzitit dhe në vendin pritës. Kjo kategori e trafikut është shumë më e mirorganizuar sesa kategoritë e tjera dhe përfshin më shumë njerëz. Numri i fëmijëve të shfrytëzuar është gjithashtu më i madh. Fëmijët janë më të rrezikuar nga ky lloj i trafikimit dhe fati i tyre është më i paparashikueshëm sesa në rastet e tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›