E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vdes në spital punëtori i tretë

06/01/2005  Ndërroi jetë dje në mëngjes në Spitalin Ushtarak njëri nga punëtorët e plagosur të martën mbrëma, tek "Europian Trade Center". Ardian Kasa vdiq si pasojë e komplikacioneve që pati ndaj të gdhirë në organet e brendshme. Në gjendje kritike për jetën dhe Dorian Sheni. Grupi hetimor nxjerrë rezultatet paraprake të ekspertizës në vendin e ngjarjes. Punëtorët janë treguar tw pakujdeswshwm nw zbatimin e rregullave tenike, sw paku, ky wshtw versioni i arrirw nga veprimet e deritanishme hetimore.

Vdekja

Bluzat e bardha që pritën të martën në mbrëmje të plagosurit e kullës së xhamit, kishin shpresa se Ardian Kasa do të ishte i vetmi që do t'i shpëtonte aksidentit tragjik. 20-vjeçari nga Durrësi kishte dëmtime të konsiderueshme në gjymtyrë dhe në legen. Thyerja e fundit ishte më problematikja. Humbja e gjakut nuk u konsiderua nga mjekët si vdekjeprurëse, pasi banka e dhurimit ofroi menjëherë ndihmën e saj. Burime nga Spitali Ushtarak, shprehen se gjatë orëve të pasdites të së martës dhe në mbrëmje, Ardian Kasa paraqitej më mirë se kur mbërriti në spital. Ndonëse në reanimacion, punëtori i plagosur mund të shpëtonte. Madje, mjekët ishin të bindur se ai tashmë ia kishte hedhur. Ndërsa e gjithë vëmendja e stafit të spitalit ishte përqendruar te Dorian Shene, i plagosur rëndë, në sallën e reanimacionit u dha alarmi. Infermieret konstatuan se Ardian Kasa nuk reagonte më. Megjithë ndihmën e dhënë nga bluzat e bardha, ai dha shpirt pak sekonda më pas. Sakaq, Dorian Shene është në gjendje kritike për jetën. Burimet nga Qendra Spitalore Ushtarake, saktësojnë se, ndonëse është ndërhyrë me anë të operacionit në trupin e 17-vjeçarit, të shumta janë gjasat që ai t'i shpëtojë kthetrave të vdekjes. Mjekët shprehen disi skeptikë lidhur me fatin e të riut nga Durrësi, pasi ai nuk ka pothuajse asnjë gjymtyrë të pathyer. Si të mos mjaftonte me kaq, Shene ka një numër të madh kockash të rëndësishme të thërmuara nga përplasja. Kësisoj, edhe nëse ngjet mrekullia me të, punëtori i aksidentuar nuk do të mund të jetojë normalisht si gjithë të tjerët. Sakaq, nëse Dorian Shene arrin ta përballojë gjendjen e rëndë shëndetësore gjatë këtyre ditëve, spitali mund ta dërgojë për kurim në ndonjë vend fqinj të specializuar për kockat. Por, deri më tash, mundësitë për Shenen janë më tepër në favor të vdekjes.

Hetimet

"Punëtorët ka gjasa të kenë qenë fajtorë për aksidentin. Ashensori nuk duhej të përdorej nga kushdo. Ishte parashikuar që ai të ishte në funksion të punëtorëve që merreshin me vendosjen e xhamave të fasadës. Dyert dhe materialet e tjera që kishin vënë viktimat në transportier e kanë mbingarkuar", ky ka qenë rezultati paraprak i ekspertimit të djeshëm të vendit të ngjarjes nga specialistët e ndërtimit. Burime të rezervuara nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, bëjnë të ditur se ashensori nuk lejohej të vihej në përdorim nga të gjithë punonjësit e firmës. Siç u deklarua dhe në hetimet paraprake, transportieri ishte në funksion të specialistëve të xhamit. Në shumicën drastike, kjo kategori përbëhet nga shtetas turq, të cilët kanë marrë pjesë në ndërtimin e një numri të madh objektesh në kryeqytetin shqiptar. Duke e krahasuar peshën e xhamit me atë të drurit dhe hekurit, që përbënte dyert, ekspertët janë të mendimit se shkaku kryesor për rënien e ashensorit ka qenë pikërisht mbingarkesa. Nisur nga fakti se 4 viktimat kanë neglizhuar rregullat, duket se faji për aksidentin do t'u mbetet atyre. E megjithatë, ky është vetëm rezultati paraprak i veprimeve në vendin e ngjarjes. Ditët në vijim do të shënojnë daljen në dritë të versionit përfundimtar të hetimeve. Të njëjtat burime saktësojnë se, ditën e djeshme, policia ka ndërprerë shoqërimet. Asnjë punëtor apo teknik i firmës nuk është marrë më në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore. Ato pak informacione që dispononin kolegët e viktimave, janë marrë nga uniformat që ditën e martë. Kësisoj, krerët e policisë kanë vendosur të mos vijojnë me shoqërimet, por t'ia lenë gjithçka në dorë aktekspertizës, që pritet të dalë në dritë shumë shpejt.

Versioni zyrtar i policisë për ngjarjen

Më datë 04.01.2005 në rrugën ”Bajram Curri”, në pallatin e firmës “Edit-Al-It” ka rënë ashensori, i cili ishte i montuar në pjesën e fasadës së pallatit dhe, si rrjedhojë e këputjes së kabllit janë aksidentuar shtetasit: Afrim Hekuran Zeka, 34 vjeç, lindur në Kavajë dhe banues në Durrës, Sejdin Xhevit Havjari, 37 vjeç, lindur e banues në Kavajë, Ardian Përparim Kasa, 20 vjeç, lindur e banues në Durrës, Dorian Qemal Sheni, 17 vjeç, lindur e banues në Durrës. Shtetasit e mësipërm janë punëtorë në këtë firmë dhe në momentin e këputjes së kabllit ndodheshin në ashensor, për të montuar disa dyer në këtë pallat. Si pasojë e rënies së ashensorit kanë gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasit Afrim Zeka dhe Sejdin Havjari, ndërsa shtetasi Ardian Kasa gjeti vdekjen dje në spital. Shtetasi Dorian Sheni ndodhet në QSU-të në gjendje të rëndë. Në vendngjarje shkoi menjëherë grupi hetimor, ku u kryen veprimet e para proceduriale. Po punohet për sqarimin e plotë të shkaqeve të rënies së ashensorit. Materialet i kaluan Prokurorisë.

Viktimat

Afrim Hekuran Zeka, 34 vjeç, lindur në Kavajë dhe banues në Durrës, i vdekur

Sejdin Xhevit Havjari, 37 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë, i vdekur

Ardian Përparim Kasa, 20 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, i vdekur

Dorian Qemal Sheni, 17 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, i plagosur rëndë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›