E Hënë, 2 Nëntor 2026

Amerikanwt: Fatmir Kuçi i “Kompas”, do ekstradohet sw shpejti

06/01/2005  TIRANË -Fatmir Kuçi, i arrestuari i operacionit “Kompas” në Nju-Xhersi, së shpejti do të ekstradohet në Shqipëri. Autoritetet amerikane kanë konfirmuar pranimin e kërkesës shqiptare për ekstradimin e të arrestuarit në aeroportin e Nju-Xhersit në SHBA, me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. Kjo akuzë është firmosur nga Prokuroria shqiptare, e cila e shpalli në kërkim Fatmir Kuçin në muajin qershor të këtij viti, me akuzën e pjesëmarrjes në organizatën e trafikut të drogës, që është koduar me emrin “Kompas”. Burime nga organi i hetimeve, thanë dje se Prokuroria e Krimeve të Rënda është duke kryer veprimet e fundit hetimore të dosjes “Kompas” për trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. Sipas zyrtarëve të organit të akuzës, së afërmi, dosja e organizatës së koduar me emrin “Kompas” do të dërgohet për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda në Tiranë.

I kërkuari

Një muaj pasi në pesë qytete të Shqipërisë u zhvillua operacioni antidrogë “Kompas”, në aeroportin e Nju-Xhersit, agjentët amerikanë i vunë prangat një shqiptari. Fatmir Kuçi është shpallur në kërkim në datën 24 qershor, një ditë pasi në pesë qytete shqiptare ishin kryer gjashtë arrestime dhe më shumë se 20 shoqërime personash të dyshuar për trafik droge. Fatmir Kuçi, 44 vjeç, kishte aplikuar për vizë dhe Green Card për në Amerikë dhe kishte fituar para se t’i futej trafikut të drogës. Kur policia filloi aksionin e arrestimeve, 44-vjeçari e kaloi kufirin në Rinas fare lehtë, duke treguar pasaportën, vizën dhe një Green Card. Pas një qëndrimi 20 ditor në Zvicër te disa miq e të afërm të tij, Fatmir Kuçi drejtohet për në SHBA, duke u nisur nga aeroporti i Zyrihut. Kur ora shënonte 01.30 e mëngjesit (sipas orës lokale amerikane në Nju-Xhersi), Kuçi do të prangosej në aeroportin “Neë---ark”, teksa përpiqej të kalonte kontrollin policor. 44-vjeçari ishte nëri prej katër personave të shpallur në kërkim pas aksionit “Kompas”. Prokuroria tha se ai bashkë me disa persona të tjerë kishin shpëtuar nga prangat, pasi aksioni ishte dekonspiruar nga policia. Për më shumë se gjashtë muaj, dosja “Kompas” e ardhur nga Fieri dhe e plotësuar me prova italo-shqiptare, ishte hetuar nga Prokuroria në sekret të plotë. Por në orët kur përgatitej operacioni, hetuesit ishin të detyruar t’i tregonin emrat e atyre që do arrestoheshin. Ky ishte momenti kur të kërkuarit mbyllën telefonat që u përgjoheshion dhe i shpëtuan policisë.

Dosja

Çështja penale “Kompas” ka “lindur” në qytetin e Fierit. Prokuroria e këtij qyteti filloi hetimet për trafikun e drogës ndaj disa personave. Me krijimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dosja vjen në këtë institucion dhe italianët japin kontributin e tyre, duke zbuluar bashkëpunëtorët e trafikantëve që ishin hetuar nga Prokuroria e qytetit të Fierit. Në përgjimet ndërkombëtare, trafikantët shqiptarë në Shqipëri dhe në Itali si dhe korrierët italianë, vinin në përdorim pseudonime, të cilat filluan të zbërtheheshin nga hetuesit shqiptarë, derisa Prokuroria mbërriti tek emrat e vërtetë të personave të kërkuar dhe ndaj tyre lëshoi fletëarrestet. Prokuroria zbuloi disa prona të të arrestuarve, që ishin vënë nga trafiku i drogës, por asnjëra prej tyre nuk rezultonte në emër të personave të akuzuar, pasi ata i kishin regjistruar pasuritë në emrat e personave të tyre të afërt.

“Kompas”, kreu i rrjetit të trafikut ndërkombëtar

Sikurse një pjesë e materialeve hetimore, emrave dhe provave, edhe emërimi i operacionit antidrogë “Kompas” ka ardhur nga Italia. Përgjuesit italianë e kanë regjistruar këtë pseudonim në një numër të madh bisedash telefonike të zhvilluara mes trafikantëve. Ndërsa njeriu misterioz që fshihet pas nofkës “Kompasi”, sipas materialeve hetimore, mban kreun e listës për sasitë e drogës që ka pritur dhe ka shpërndarë. Cilësohet anëtari më aktiv i grupit dhe ka arritur të mos ekspozohet asnjëherë ndaj policisë. Nisur nga ky fakt, Antimafia italiane u ka vënë emrin “Kompas” materialeve të nisura drejt Shqipërisë, për trafikun e drogës. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, thanë dje se detyra e Prokurorisë shqiptare është të zbulojnë personat e vërtetë që fshihen pas pseudonimeve, pasi provat ndaj tyre ekzistojnë.

Dekonspirimi i dytë i dosjes “Kompas”

Me një vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, hetuesit filluan përgjimin në burg ndaj pesë personave të arrestuar në kuadër të operacionit antidrogë “Kompas”, i cili filloi në 23 qershor të këtij viti. Gjatë dy javëve gjithçka ka shkuar “paq”, por më pas gjithçka ka marrë fund. Të arrestuarit kanë ndryshuar zërin, në një mënyrë, e cila i ka lënë më shumë se të habitur hetuesit dhe personat që po realizonin përgjimin. Prokuroria ka mundur të vërtetojë se të akuzuarit, janë lajmëruar për regjistrimin e bisedave të tyre dhe kanë marrë masat e mbrojtjes. Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka njoftuar avokatët e të arrestuarve për përgjimin e filluar dhe në një seancë të përbashkët gjyqësore, hetuesit kanë kërkuar fillimin e përgjimit në qeli. Avokatët nuk janë “tunduar” për dy javë, por më pas kanë njoftuar klientët për veprimet që kishte filluar të bënte Prokuroria, kundër tyre. Zyrtarisht, Prokuroria e Krimeve të Rënda pohon vetëm faktin se të arrestuarit e kanë ndryshuar zërin pasi janë njoftuar, ndërsa “nën zë” thuhet se gjithçka është e qartë, të akuzuarit janë njoftuar nga avokatët e tyre, të cilët nuk mund t’i lejonin vetes “një provë më shumë” kundër klientëve të tyre. Njoftimi, sipas të dhënave të para që janë marrë nga burgu, është bërë gjatë takimeve të zakonshme mes avokatëve dhe klientëve të tyre.

Të akuzuarit e “Kompas”, kundërshtuan arrestimet

Pothuaj të gjihë personat që u arrestuan në kuadër të operacionit antidrogë “Kompas”, e kanë kundërshtuar arrestimin. Elis Progrozhda e ka apeluar masën e sigurisë “arrest në burg” që dha Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në Tiranë. Por ankesa e të arrestuarit për masën e sigurisë nuk është miratuar. Arjan Selimi e ka kundërshuar arrestimin, ashtu sikurse edhe at e bir, Mehmet dhe Blenard Fejzullai. Kujtim Popoci, i arrestuar në Durrës, e ka kundërshtuar qëndrimin në burg, duke thënë se nuk kishte të bënte me trafikun e narkotikëve, por Gjykata e ka lënë edhe atë në qeli.

Të arrestuarit

Arjan Selimi

Petraq Avrami

Blenard Fejzullai

Mehmet Fejzullai

Kujtim Beqiri

Fatmir Kuçi

Kujtim Popoci

Kronologjia e “Kompas”

23 qershor 2004

Operacion antidrogë në Tiranë, Durrës, Lezhë, Fier dhe Berat. Arrestohen pesë persona, shoqërohen 12 të tjerë

27 qershor 2004

Prokuroria e Krimeve të Rënda pohon se, gjatë aksionit kishin shpëtuar nga prangat 4 persona, të kërkuar për trafikim droge

8 korrik 2004

Amerikanët njoftojnë Prokurorinë se, katër të kërkuarit që i kishin shpëtuar arrestimit, ishin pajisur me viza amerikane

21 korrik 2004

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda liron Elis Progrozhdën, i arrestuar në kuadër të operacionit “Kompas”, për trafik droge

26 korrik 2004

Arrestohet në aeroportin e Nju-Xhersit, Fatmir Kuçi, njëri nga katër të kërkuarit e “Kompas”, i cili u kishte shpëtuar prangave në Shqipëri

28 korrik 2004

Antimafia italiane njofton Prokurorinë shqiptare për 20 fletëarreste të tjera, për trafikun e narkotikëve mes dy vendeve

8 gusht 2004

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm njofton se, priten arrestime të tjera në kuadër të operacionit “Kompas”

Gusht 2004

Katër fletëarreste të tjera në duart e policisë. Zbulohen vendqëndrimet e katër të akuzuarve të fundit për trafikun e narkotikëve

15 tetor 2004

Arrestohet në qytetin e Durrësit, Kujtim Popoci, një tjetër i kërkuar i operacionit “Kompas”. Në arrestim mori pjesë një i “penduar”, i cili u tregoi policëve Popocin që nuk identifikohej

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›