Tiranë, bllokohen 75 patenta
06/01/2005 Policia rrugore e Qarkut të Tiranës bllokon 75 patenta, 4 ndër të cilat në rrethin e Kavajës. Lejet e drejtimit të automjeteve janë pezulluar për shkelje të rënda në Kodin Rrugor. Zëdhënësja për shtyp bën të ditur se 18 patenta në kryeqytet u janë hequr shoferëve për përdorim të pijeve alkoolike, 3 për ecje me shpejtësi tej normave të lejuara, 26 raste për moszbatim të sinjalistikës në semafor. Sakaq, janë ndëshkuar dhe 14 shoferë të linjave, pasi u konstatua se shkelnin rregullat e qarkullimit. Dita e martë ka shënuar bllokimin e 2 automjeteve, pronarët e të cilave kishin mungesa në dokumentacion. Numri i përgjithshëm i masave ndëshkimore vetëm në kryeqytet arrin në shifrën e 610 gjobave. Edhe nënseksioni i policisë rrugore në Kavajë, nuk ka mbetur më pas. Janë vendosur 108 masa administrative për mosrespektim të rregullave të Kodit Rrugor. Shërbimet e policisë kanë bllokuar dhe atje 2 mjete, për mungesë dhe probleme dokumentacioni të pronësisë. Aksioni vijon dhe gjatë ditëve të tjera të javës. F.B