E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëmtimet “fundosin” Liverpulin

06/01/2005  

Lista e gjatë në infermierinë e lojtarëve të dëmtuar për skuadrën e Liverpulit duket se do të marrë përmasa akoma edhe më të mëdha. Kësaj radhe bëhet fjalë për fazën e rekuperimit të portierit Kris Kirkland, e cila tashmë do të zgjas plot tre muaj, kurse Ksavi Alonso do të qëndroj 10 javë jashtë fushave të futbollit. Mesfushori spanjoll fillimisht pritej që të qëndronte të paktën pesë apo gjashtë javë i dëmtuar pas ndërhyrjes së pësuar nga Frenk Lampard në takimin kundër Çelsit, por me kontrollet e fundit mjekësor periudha e rekuperimit do të jetë edhe më e gjatë. Në këtë mënyrë lojtari, i cili ka kushtuar 10.7 milionë stërlina pas transferimit nga Real Sociedad pritet që t’i bashkohet skuadrës së tij vetëm në derbin me Evertonin. Pra, ai do të jetë i gatshëm për urdhrat e trajnerit Benitez vetëm në datën 19 mars. Mungesa e mesfushorit 22 vjeçar, i cili nuk do të jetë në dispozicion për dy takimet e Ligës së Kampioneve kundër Bajer Leverkusen, do të thotë se Benitez ka regjistruar plot 10 lojtarë kryesor nga skuadra e tij qysh kur ka bërë debutimin në “Anfilld Roud”. Përveç mungesës së kapitenit Stiven Zherard, i cili nuk do të jetë i gatshëm në ndeshjen e parë kundër Leverkusenit si pasojë e skualifikimit, skuadra e Liverpulit do të vuaj edhe pa prezencën e Milan Barosh, Herri Kjuell, Djibril Sise, Luis Garsia, Vladimir Smicer, Hozemi dhe Antonio Nunjez. Të gjithë këta do t’i kalojnë javët e ardhshme duke iu nënshtruar ndërhyrjeve mjekësore. Nga ana tjetër Kirkland ka nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale në shpinë, dëmtim që e ka bërë të vuaj qysh prej muajit dhjetor. Prandaj ai do të përballet me një operacion tepër delikat në një nga vertebrat e shtyllës kurrizore në mënyrë që t’i jap një zgjidhje përfundimtare dëmtimit të pësuar. Periudha e gjatë që i duhet Kirkland për t’u rekuperuar ka bërë Benitez që të interesohet më seriozisht për portierin 19 vjeçar të Lidsit Skot Karson.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›