E Shtunë, 31 Tetor 2026

11 viktima përgjakën në fundjavë rrugët e qarkut të Tiranës

Bilanci tragjik, katër persona humbën jetën dhe shtatë të tjerë u plagosën. Shpejtësia tej normave të lejuara shkak për aksidentet fatale

Tiranë – Rrugët e qarkut Tiranë janë përgjakur gjatë fundjavës që sapo u mbyll duke shkaktuar vdekjen e katër personave dhe plagosjen e shtatë të tjerëve. Policia ka verifikuar të gjithë aksidentet dhe deklaroi se në pjesën më të madhe të rasteve ato kanë ndodhur si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e mjeteve dhe udhëtarët e tjerë. Sipas policisë, betejën për jetën e ka humbur mëngjesin e së dielës, rreth orës 03:40, Leonik Doda, 21 vjeç, banues në fshatin Bilal, Fushë Krujë i cili prej të shtunës gjendej në spital pas një aksidenti. Ngjarja kishte ndodhur në aksin rrugor Vorë-Fushë Krujë, te Kthesa e Rinasit. Agim Petrit Gjyzeli, 51 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar mjetin “Iveco” me targë TR 3587 F, është përplasur me motorin “Honda” me targë TR 937 C, me drejtues 21-vjeçarin Leonik Doda, banues në fshatin Bilal, Fushë Krujë. Për pasojë është aksidentuar me vdekje pasagjeri i motorit, Andrit Prenga, 18 vjeç, banues në Bilal, kurse të nesërmen humbi jetën në QSUT, edhe Leonik Doda. Sakaq, policia njoftoi edhe arrestimin dje në flagrancë të 29-vjeçarit Nelson Xhaferri, banues në Tiranë, pasi akuzohet për aksidentimin me vdekje të shtunën, të shtetasit 86-vjeçar nga Tirana, Hasan Mema.
Aksidente
Superstrada Tiranë-Durrës u përfshi në një përgjakje rrugësh, pikërisht të dielën rreth orës 04:30, duke shkaktuar një të vdekur dhe katër të plagosur. Burimet policore thanë se “në superstradën Tiranë-Durrës, tek mbikalimi i Yrshekut, mjeti Benz DR 9974 C, që drejtohej nga 34-vjeçari Dashnor Meraja, banues në Sukth, ka dalë nga rruga duke provokuar aksident të rëndë. Për pasojë është aksidentuar me vdekje pasagjeri Bajram Hamzaj, 33 vjeç kurse u aksidentuan e ndodhen në QSUT, nën kujdesin e mjekëve, drejtuesi i mjetit dhe tre persona të tjerë. Të plagosurit që gjenden në spital, janë Dashnor Meraja, 34 vjeç, Zana Meraja, 35 vjeç, Ramazan Meraja, 65 vjeç dhe Shkurte Hamzaj, 51 vjeç. Një tjetër aksident, ka ndodhur po këtë fundjavë që u mbyll, në fshatin Fushë-Prezë. Policia tha se 40-vjeçari Flamur Muka, banues në fshatin Budëll, Fushë Krujë, rreth orës 11.00 të së shtunës, duke drejtuar mjetin Benz me targa KR 7140 A, ka aksidentuar motoçiklistin 25-vjeçar Albert Zaja. I riu, banues në fshatin Larush, u dërgua në QSUT ku dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, kurse për 40-vjeçarin Muka, filloi procedimi penal në gjendje të lirë.
Në Tiranë e Kavajë
Edhe në mes të Tiranës, pikërisht në bulevardin “Bajram Curri”, ka pasur një aksident. Ai ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në orën 19:00, kur 30-vjeçari nga Tirana, Eduard Balla, duke drejtuar mjetin Ford me targa TR 1369 I, ka aksidentuar këmbësorin 72-vjeçar Baço Ç., banues në Tiranë. I plagosuri u dërgua në QSUT ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, kurse për 30-vjeçarin Balla, filloi procedimi penal në gjendje të lirë.
Fatmir Mehmetaj, 49 vjeç, banues në Kavajë, në orën 17:30 të ditës së djeshme, duke drejtuar mjetin Benz KJ 4058 A tek Gjykata e Vjetër në qytetin e Kavajës, është përplasur me motoçikletën “Suzuki”, pa targa, që drejtohej nga 20-vjeçari Gëzim Boçi i cili për pasojë është aksidentuar. Komisariati i Policisë Kavajë saktësoi se në gjendje të rëndë, i riu Boçi, banues në fshatin Synej, u dërgua në spital ku edhe ndodhet aktualisht jashtë rrezikut për jetën.

16 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›