Ndërron jetë në spital Fatjon Çela, i plagosur në rrugën “Ali Demi”
TIRANË - 30 vjeçari Fatjon Çela ndërroi jetë dje në Spitalin Ushtarak, si pasojë e plagëve të marra gjatë një konflikti të ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Ali Demi” në Tiranë, ndërkohë që jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Ushtarak të Tiranës ndodhen shtetasit Klodian dhe Taulant Allmuça, përkatësisht 28 dhe 24 vjeç, po nga Tirana. Burime zyrtare të Policisë së kryeqytetit bënë të ditur dje për gazetën “Albania”, se ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 të ditës së diel, në rrugën “Ali Demi” në Tiranë. Ngjarja e dy ditëve më parë ishte pasojë e një konflikti të ndodhur kohë më parë në ambientet e një lokali po në Tiranë, ku të rinjtë e mësipërm janë konflikuar me të riun Erjon Duda, 27 vjeç. Ky i fundit i ka sulmuar Taulant Allmuçën, 24 vjeç, vëllanë e tij Klodianin, 29 vjeç dhe shoku i tyre, Fatjon Çela, kanë përfunduar në spital me plagë të rënda me thikë. Në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë shërbimet e Komisariatit numër 1 të Policisë së Tiranës dhe drejtues të policisë së qarkut. Burimet policore por edhe punonjës të lokaleve dhe bizneseve pranë vendit të ngjarjes, janë shprehur se gjithçka ka nisur nga një grindje banale, për shikime shtrembër, tipike kjo për sherret shqiptare. Një debat i nisur me fjalë, i vazhduar me fjalë dhe i përfunduar me grushte dhe thika. Autorët mundën të largohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa shërbime të shumta të policisë kanë kryer krehjen e zonës dhe kanë ngritur postblloqe për kapjen e tyre. Burime pranë grupit të hetimit janë shprehur se ka të dhëna konkrete edhe për identitetet dhe përshkrimet e autorëve të dyshuar për këtë ngjarje.
16 Qershor 2009