Arrestohet 70-vjeçarja, kapet duke vjedhur në autobusin e linjës Kombinat-Kinostudio
Tiranë - Një plakë hajdute kapet në autobusin e linjës Kombinat-Kinostudio. Në lagje ka opinion të mirë, madje shumë të mirë ndaj dhe arrestimin e saj për vjedhje askujt prej atyre që e njohin nuk ia priste mendje. Në fakt policia e ka arrestuar nën akuzën për vjedhje xhepash. Për të realizuar goditjet e saj, që dyshohet se ishin ves i hershëm 70- vjeçarja shfrytëzonte linjat urbane ku rrëmbente shuma të konsiderueshme parash. Në fakt aksioni më i fundit po kryhej në një nga autobusët qytetës të Tiranës, edhe policia ka bërë të vetën, duke e kapur me presh në duar. Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë Nr. 3 thanë se filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen Aleksandra Zera, 70 vjeçe, banuese në Tiranë afër shkollës “Naim Frashëri”. “Procedimi penal nisi pasi dje në orën 09:30, në autobusin e linjës Kombinat-Kinostudio, 70-vjeçarja Aleksandra Zera i ka vjedhur shumën 4 mijë lekë shtetasit Ibrahim R., 68 vjeç, banues edhe ai në Tiranë, pranë çerdhes “Naim Frashëri”. Policia nuk dha detaje për skemën që kishte përdorur gruaja plakë për të bastisur të moshuarin por pohoi se e procedoi penalisht pasi provoi se i kishte vjedhur plakut komshi, katër mijë lekë të rinj.
16 Qershor 2009