E Hënë, 2 Nëntor 2026

11 vite burg nipit të ministrit Malaj

28/05/2005  Akuza, vjedhje me armë, 10 vjet bashkëpunëtorit

TIRANË – Dënohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda, nipi i Arben Malaj, Sajmir Muhameti dhe bashkëpunëtori i tij në vjedhje, Vilson Jahaj. 11 vite burg vendosi gjykata të dënojë Muhametin dhe 10 vite shokun e tij, Jahaj. Sipas vendimit të djeshëm të gjykatës, të pandehurit në bazë të provave të paraqitura nga organi i akuzës dhe provave të grumbulluara në seancë gjyqësore, deklarohen fajtorë për veprën penale të vjedhjes me dhunë.

Akuza

Gjykata arriti në përfundim të ulë dënimin e kërkuar nga Prokuroria vetëm me nga një vit burg secili. Prokurori kërkoi para gjykatës deklarimin fajtor të Sajmir Muhametit, për akuzën e vjedhjes me armë në bashkëpunim dhe dënimin me 12 vite burg. Ndërkohë për bashkëpunëtorin e tij, Vilson Jahaj, prokurori Ardjan Nezha kërkoi dënimin me 11 vite burg. Hetimet për dy të pandehurit, pasi ishin pezulluar disa herë, kanë rifilluar në prill të vitit 2004. Gjykata tha në vendim se, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri–tjetrin, më 26 gusht 2002, në qytetin e Vlorës, afër një pike karburanti në rrugën që të çon në Sarandë, kanë grabitur shtetasin Andrea Rondo. Grabitja është kryer me armë. Sipas gjykatës, të pandehurit për të bërë këtë krim kanë përdorur edhe disa maska, si kapuç e pantallona me lara. Pasi kanë kryer vjedhjen, të pandehurit i kanë hedhur veshjet për maskim në një arë jo shumë larg vendit të ngjarjes.

Ngjarja

Nga hetimet ka dalë e provuar se të pandehurit i kanë grabitur shtetasit Rondo një celular dhe një motor. Që nga viti 2002 deri në prill të 2004-ës, hetimet nga ana e Prokurorisë së rrethit Vlorë ishin pezulluar disa herë, me preteksin e mungesës së provave të mjaftueshme. Pikërisht në prill të vitit 2004, hetimet janë hapur me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku. Këto hetime janë kryer nga Krimet e Rënda. Avokatët mbrojtës të të pandehurit disa herë kërkuan kthimin e çështjes për gjykim në shkallën e parë Vlorë, duke pretenduar se Krimet e Rënda nuk janë kompetente për shqyrtimin e saj. Kërkesa është rrëzuar nga Krimet e Rënda, edhe pse ka shkaktuar disa probleme. Disa herë nga ana e mbrojtjes është kërkuar kryerja e aktit të ekspertizës për të pandehurin Sajmir Muhameti. Sipas gjykatës, në momentin e kryerjes së veprës, të pandehurit kanë qenë nën ndikimin e pijeve alkoolike. Por ky akt, edhe pse është kryer, nuk është pranuar nga gjykata. Nga ana tjetër, gjykata është shprehur se në momentin e kryerjes së krimit, alkooli që kanë konsumuar të pandehurit nuk ka ndikuar, pasi ka qenë në sasi të pakta. Për të zbardhur të vërtetën e kësaj ngjarje, Prokurorisë i është dashur marrja e gjurmëve të gishtave. Nipi i Arben Malajt nuk ka qenë i pranishëm në seancë gjyqësore. Ndërsa janë mbrojtur nga avokati Vladimir Meçi. Për avokatin mbrojtës, akuza nuk është treguar objektive, duke e paragjykuar çështjen në disa momente. Meçi është i bindur se vepra për të cilën akuzohen të pandehurit, është ndikuar nga pijet alkoolike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›