E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vodhën rroba e para në tregun te “Medreseja”, pranga dy të rinjve

28/05/2005  Vidhnin rroba e para te tregu industrial pranë “Medresesë” në Tiranë, arrestohen në flagrancë nga forcat policore të Komisariatit nr.4 të kryeqytetit. Arjan Hajdini, Elis Beli me banim në Tiranë, janë prangosur pasditen e djeshme, pasi u janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy çanta me rroba dhe një sasi prej 400 mijë lekësh te vjetra. Lajmi është bërë dje i ditur për gazetën nga burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, të cilat sqaruan se dy hajdutët janë prangosur pas disa minutash ndjekje nga uniformat blu. Sipas burimeve, dy hajdutët janë vërejtur nga tregtarët që shesin në këtë treg, të cilët edhe kanë lajmëruar policinë. Duke përfituar nga turmat e njerëzve, ata kanë mundur t’u vjedhin këtyre të fundit paratë e xhepit, si edhe rroba të kushtueshme. Madje, ata kanë arritur që të mbushin dy çanta plot me rroba. Burimet e policisë pohuan se menjëherë pas lajmërimit për dy hajdutët, janë vënë në djekje të tyre, nisur nga informatat e tregtarëve. Pas disa minutash ndjekje, policia ka arritur të bllokojë dy hajdutët Hajdini dhe Beli, të cilëve pas kontrollit të imtësishëm u janë gjetur dhe sekuestruar dy çanta me rroba, të cilat ishin vjedhur mesditën e djeshme në tregun industrial. Gjithashtu, ata kanë pasur me vete edhe 400 mijë lekë të vjetra, të cilat mendohet t’ua kenë vjedhur blerësve, përfundojnë burimet. E.H.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›