E Hënë, 2 Nëntor 2026

Avokatët s’pranojnë kontroll nga toga e shoqërimit

28/05/2005  Përplasje për rregulloren në sallat e gjyqit gjatë procesit

TIRANË – Kryetari i Gjykatës për Krime të Rënda, Sandër Simoni, me anë të një shkrese i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të saktësojë rregulloren, që ka të bëjë me kontrollin e avokatëve dhe personave të tjerë. Kjo kërkesë erdhi pas dështimit të disa seancave gjyqësore për mungesë të avokatëve mbrojtës, të cilët nuk duan të kontrollohen. Midis avokatëve dhe punonjësve të togës së shoqërimit, prej kohësh qëndron e pazgjidhur një mosmarrëveshje, që lidhet me kontrollin fizik që duhet të bëhet për çdo person para se të futet në sallën e gjyqit. Ndërsa trupi gjykues i formuar nga krimet e rënda pret avokatët mbrojtës për të filluar gjykimin, këta të fundit nuk pranojnë t'i nënshtrohen kontrollit periodik nga ana e togës së shoqërimit. Kjo gjë disa herë është bërë shkak për nisjen e debateve të ashpra midis palëve, aq sa mund të kalojnë edhe në fyerje. Avokatët mbrojtës nuk pranojnë që para se të futen në sallën e gjyqit të kalojnë kontrollin. Por jo të gjithë e kanë këtë mendim. Disa nga avokatët i binden urdhërave të vendosur nga policia për kontroll të plotë para se të futen në sallë. Ndërsa disa të tjerë një gjë të tillë e quajnë përdhosje të figurës së avokatit. Problematikë janë bërë avokatët që mbrojnë të pandehurit në procesin gjyqësor të grupit të Lushnjës, si dhe ata që mbrojnë të pandehurit e grupit "Kompas". Disa herë këto seanca kanë qenë të destinuara të dështojnë. Avokatët Ali Meta dhe Ardian Leka nuk kanë pranuar të kontrollohen, duke e quajtur fyerje. Ndërkohë polici i shërbimit i vendosur nga drejtuesit e togës së shoqërimit, nuk ka lejuar kalimin e tyre për në sallë. Ky vendim ka hasur në debate. Avokatët kanë arritur edhe të fyejnë figurën e policit. Në këto kushte, trupi gjykues është detyruar të shtyjë seancat gjyqësore. Avokatët mbrojtës të pyetur për këtë qëllim, janë shprehur se janë të barabartë me prokurorët dhe rregulli duhet të jetë i njëjtë për të dy palët. Por prokurorët nga ana e tyre janë shprehur se nuk mund të krahasohen me avokatët, të paktën në këtë pikë. Sipas tyre, avokatët futen me palët në proces, ndërkohë që prokurorët nuk kanë lidhje me të pandehurit dhe asnjëherë nuk mund të jenë burim i problemeve. Kontrolli i imtësishëm i çdo personi që futet në sallën e gjyqit, ka filluar të bëhet pas ngjarjes së pakëndshme që ndodhi në gjykatë më 19 nëntor 2004, kur u largua pasi kishte siguruar një armë, Dritan Dajti. Nuk dihet me saktësi se kush e futi armën në ambientet e gjykatës. Largimi i Dajtit çoi në ndëshkimin e tre policëve të togës së shoqërimit, të cilët humbën dhe vendin e punës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›