E Hënë, 2 Nëntor 2026

12 kandidatët e PS nisin fushatën

16/04/2005  Në të gjitha njësitë e Bashkisë së Tiranës janë ngritur shtabet elektorale të konkurrentëve

Të martën, Kryesia socialiste shpall zyrtarisht emrat që do të konkurrojnë

Kandidatët për deputetë të Partisë Socialistë për Tiranën kanë ngritur zyrat elektorale në të 12 njësitë vendore të kryeqytetit. Edhe pse Kryesia e PS nuk ka bërë zyrtarizimin e këtyre kandidaturave, përgatitja e terrenit elektoral ka disa javë që ka filluar. Kandidatët për deputetë kanë ngritur zyrat dhe shtabet e tyre personale. Këto shtabe do të funksionojnë paralel me stafet elektorale të strukturave të PS-së. Komitetet Zonale Elektorale do të jenë strukturat e përcaktuara nga partia, të cilat do të zhvillojnë fushatën për çdo kandidat në të gjitha zonat elektorale. Ndërkohë që emrat e rinj të kandidatëve për deputetë kanë filluar punën për zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere. Kështu, Arben Ahmetaj, Shpëtim Irdizi, Igli Toska, Andis Harasani, Majlinda Keta, Mimi Kodheli dhe Petrit Malaj, pas prezantimit që i bëri Kryeministri Fatos Nano “Ditën e Verës”, si kandidatët e PS-së për kryeqytetin, nuk kanë vonuar të konstituojnë strukturat e tyre elektorale. Ndërkohë që edhe deputetët aktualë si Ermelinda Meksi, Musa Ulqini, Anastas Angjeli, Spartak Poçi dhe Luan Rama, ndonëse nuk e kanë provë të parë përballjen me elektoratin kryeqytetas, kanë filluar përgatitjen e terrenit për zgjedhjet e përgjithshme.

Kryesia

Në fillimjavë, Kryesia e Partisë Socialiste do të japë zyrtarizimin e parë të kandidaturave për deputetë. Kryesia do të shqyrtojë e miratojë platformat elektorale, me të cilat kandidatët do të zhvillojnë fushatën zgjedhore. Strategjia socialiste do të synojë që për çdo zonë elektorale fushata të bazohet në elementët specifikë që ka secila njësi. Aktualisht, grupet e punës në PS-së kanë marrë në shqyrtim të gjitha problematikat që shqetësojnë elektoratin shqiptar, dhe në bazë të saj kanë përgatitur të specifikuara dhe elementët, që do të përdoren në fushatë. Kështu, në zonat periferike të Tiranës, ku një problem i madh është legalizimi i ndërtimeve informale, nga socialistët do të synohet që banorët të fillojnë të gjitha procedurat për të zbatuar ligjin e miratuar disa muaj më parë nga Kuvendi për legalizimet. Gjithashtu, një problem tjetër është përmirësimi i infrastrukturës urbane, e cila do të jetë një prioritet në fushatën socialiste, ku vetëm para zgjedhjeve priten të përurohen një sërë rrugësh dhe godina me funksione publike. Ndër prioritetet, që socialistët i kanë kushtuar vëmendje, është dhe përmirësimi i infrastrukturës arsimore.

Spartak Poçi, njësia 1

Anastas Angjeli, njësia 2

Shpëtim Idrizi, njësia 3

Andis Harasani, njësia 4

Ermelinda Meksi, njësia 5

Igli Toska, njësia 6

Arben Ahmetaj, njësia 7

Luan Rama, njësia 8

Mimi Kodheli, njësia 9

Majlinda Keta, njësia 10

Petrit Malaj, njësia 11

Musa Ulqini, njësia 12

PS e Librazhdit letër Ruçit

Strukturat socialiste në rrethin e Librazhdit kanë kundërshtuar dy kandidatuar për deputetë në këtë zonë, Taulant Balla dhe Ilir Zela. Sipas kryetarit të Partisë Socialiste në këtë rreth, Hysni Hoxha, “pas mbledhjes së kryesisë është hartuar një letër, e cila i është drejtuar sekretarit të Përgjithshëm, Gramoz Ruçi, ku kërkohët që në zonën e Libzrazhdit të jetë kandidat Maksut Balla dhe në zonën e Prrenjasit, Rrapush Tola“.

Hoxha tha se të gjitha strukturat e PS-së në këtë rreth kanë firmosur kundër kandidimit të Zelës dhe Ballës, pasi ajnë cilësuar si të preferuarit e Kryeministrit pa marrë më parë pëlqimin e bazës socialiste. Hoxha tha se “kjo ndarje solli edhe humbjen e bashkisë së Librazhdit, ku kryetari aktual i injoruar nga kryesia arriti të kandidojë i pavarur dhe të fitojë drejtimin e bashkisë së Librazhdit“. Ndërkohë që letra e firmosur nga kryetarët e strukturave të PS-së në Librazhd ndodhet në zyrën e Ruçit, për t’u marrë në shqyrtim në mbledhjen e kryesisë, ku do të bëhet dhe zyrtarizimi i kandidaturave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›