E Hënë, 2 Nëntor 2026

Besnik Aliaj paraqet strategjinë në Sarandë

16/04/2005  "Lëvizje mbarëkombëtare, për t'i dhënë fund tranzicionit 15-vjeçar"

Kandidati i Partisë Demokratike, përballë Fatos Nanos, Besnik Aliaj, do të paraqesë sot strategjinë e tij mbi zhvillimin e turizmit në Sarandë. Burimet zyrtare kanë bërë të ditur se do të jetë nënkryetari i PD-së, Bamir Topi, që do të prezantojë Aliajn në forumet demokrate. Ky i fundit ka vendosur të paraqesë një platformë të gjerë, të titulluar, "Iniciativa e re, fundi i këtij tranzicioni". Në këtë platformë, Aliaj thekson një lëvizje mbarëkombëtare, për t'i dhënë fund tranzicionit 15-vjeçar dhe të dhimbshëm që ka kaluar Shqipëria. Pritet që sulmeve të socialistëve, ai t'u përgjigjet me një paketë projektesh, që nuk do të jenë më një sakrificë për qytetarët, por do të jenë në kuadër të zhvillimit të këtij qyteti. Ndaj, ai mendon se 15 vitet e tranzicionit kanë qenë të dhimbshme, gjë që kërkon një studim më të gjerë dhe jo premtime boshe, që nuk do të kalojnë në një integrim konkret. Po dje, demokratët kanë theksuar se Kryeministri i Shqipërisë ka anuluar një vizitë të parashikuar në Lazarat, pikërisht sepse njerëzit nuk e duan atë dhe se nuk do të gjente një mbështetje të elektoratit. Gjithsesi, demokratët kanë parashikuar organizimin e një takimi festiv me elektoratin e tyre. Pritet që takimi të jetë në sheshin kryesor të Sarandës. Nga ana tjetër dhe nga socialistët është parashikuar një takim elektoral, gjë që do të ndezë dhe situatën parazgjedhore në këtë qytet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›