E Hënë, 2 Nëntor 2026

Llanaj: Në votime do bëjmë koalicion me të majtët

16/04/2005  Kryetari i PS-së së Sarandës, Astrit Llanaj thekson se për fushatën elektorale do të ketë koalicion me PBDNJ, PSD, PAA dhe PDS.

Si e vlerësoni kandidaturën e Partisë Demokratike në Sarandë për deputet në zgjedhjet e kësaj vere?

Pak informacion kam për këtë emër, por dua të them se Partia Socialiste është përgatitur kohë më parë për fushatën, dhe ky është një avantazh për kandidatin socialist që është Kryeministri Fatos Nano. Besnik Aliaj është një figurë e re, e arsimuar, por nuk ka dhënë kontributin e nevojshëm për Shqipërinë. Nga ana tjetër, Nano është një nga elementët e politikës shqiptare që ka 15 vjet që kontribuon me të gjithë potencialin e tij për zhvillimin e vendit. Për Sarandën është fat që kandidon një emër i tillë në politikën shqiptare dhe kjo është një fitore jo vetëm për Sarandën, por për të gjithë zonën jugore të vendit. Aliaj është i mirëpritur të vijë në Sarandë dhe të bëjë fushatën e tij, por ne nuk kemi asnjë paragjykim për të, sepse ne jemi për një fushatë elektorale, paqësore dhe demokratike. Fatos Nano është në Sarandë çdo 10 ditë dhe njihet me të rejat dhe nevojat e komunitetit dhe është në Shqipëri që prej çeljes së pluralizmit 15 vjet më parë, kjo e dallon atë nga kandidatët e tjerë.

Cila është puna juaj për këto zgjedhje, pasi ajo ka nisur dy muaj para se të bëhej publik kandidati demokrat?

Ne jemi të gjithë të angazhuar për fushatën. Pranë selisë rozë në Sarandë është ngritur një grup pune, i cili po punon me kujdes me të gjitha problemet dhe hallet e komunitetit nën drejtimin e Kryeministrit Nano. Janë 11 miliardë lekë investime në rrugë dhe sheshin kryesor të Sarandës për të përmirësuar infrastukturën dhe kushtet e një qyteti turistik. Kjo tregon interesimin dhe kujdesin e kandidatit socialist për zonën e tij dhe mendoj se jemi më para në këtë drejtim, pasi demokratët vijnë tani në Sarandë me kandidatin e tyre. Ne jemi këtu bashkë me komunitetin, me hallet që ai ka dhe me emergjencat dhe ato që i duhen në të vertetë një rajoni turistik.

Një punë e mirë po bëhet me emigrantët, të cilët do të vijnë për të votuar në Sarandë, po mbahen të gjitha kontaktet me ta dhe me punën që po bëjmë premtojmë se fitorja e kandidatit socialist në Sarandë është e sigurtë.

Cilët do të jenë aleatët tuaj?

Ne jemi në kontakt me të gjithë aleatët tanë të majtë për këto zgjedhje parlamentare. Mendojmë të kemi në krah, PSD, PBDNJ, PDS, PAA dhe disa forca të tjera të spektrit të majtë me strukturat lokale të tyre në Sarandë. Po punohet për një kualicion të shëndoshë për të mbështetur kandidatin tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›