E Hënë, 2 Nëntor 2026

PBDNJ, javën e ardhshme deklaron konkurrentin e Nanos

16/04/2005  Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut pritet të deklarojë javën e ardhshme emrin e kandidatit që do të vendosë përballë Fatos Nanos në zonën e tij në Sarandë. Burimet kanë bërë të ditur se janë disa emra që po shqyrtohen prej forumeve për të arritur në një emër konkret. Dy javë më parë, në një mbledhje të zhvilluar mes Omonias dhe PBDNJ-së, u vendos dalja më vete në zgjedhje dhe është theksuar se përfaqësuesit e minoritetit do të dalin dhe me një kandidat në Sarandë. Një vendim i tillë do ta bëjë dhe më të vështirë për kryetarin e Partisë Socialiste, pasi ish-aleatët e tyre nuk do të pranojnë një marrëveshje zonale. Nga ana tjetër mësohet se mes PBDNJ-së dhe PD-së kanë nisur takimet e para, për të arritur në një koalicion të përbashkët. Megjithatë, konkurrenti tjetër përballë Nanos do të shpallet vetëm javën e ardhshme. Në të njëjtën formë pritet të veprojë dhe PSD. Një javë më parë kreu i kësaj partie ka deklaruar se nuk ka marrëveshje me kreun e PS-së për zonë të lirë, ndaj do të shqyrtohet dalja me një kandidaturë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›