E Diel, 1 Nëntor 2026

12 mijë shtetas kanë hyrë në 2 ditë

21/07/2009  Në portin e Durrësit

Në dy ditët e fundit të javës kanë hyrë 12 264 shtetas kryesisht emigrantë shqiptar nga Shqipëria e Kosova që janë të punësuar në vende të ndryshme përtej Adriatikut.

Nga shifra e mësipërme 8828 shtetas janë kosovarë dhe shqiptarë që jetojnë në Maqedoninë fqinje. Sipas të dhënave që afron Drejtoria e Policisë së Kufirit dhe Migracionit, udhëtarët vinë për pushime dhe për tregti. Pjesa më e madhe e pasagjerëve që kanë zbritur me tragetet që kryejnë linjat me portet italiane kanë ardhur me autoveturat e tyre, plot 2815 të tilla. Nga ky numër, 1952 autovetura janë të shtetasve kosovarë dhe 863 të tjera të shtetasve shqiptarë. Dita e diel ka regjistruar shifrën më të lartë në hyrje dhe densitetin më të madh të punës për efektivat e policisë, doganën dhe agjencitë. Vetëm kësaj të diele kanë zbritur në terminalin e udhëtarëve në këtë port 7273 udhëtarë. Autoriteti Portual, dega e doganës, kapitaneria dhe policia kufitare kanë marrë masa për përballimin e fluksit, ndërkohë që përpunimi i pasagjerëve është bërë në një kohë të shpejtë dhe pa vonesa të pajustifikuara. Linja më e ngarkuar është ajo Bari-Durrës, e cila ka një fluks në ditë të tilla deri në 6 tragete në 24 orë. Në saj të marrëveshjes së nënshkruar mes Autoritetit Portual, kapitanerisë, doganës dhe policisë është bërë e mundur jo vetëm përpunimi në kohë, por edhe shmangia e çdo lloj tendence për të mbingarkuar tragetet mbi kapacitetet e lejuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›