E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanavaro: Do qëndroj për të ndihmuar shokët

Fabio Kanavaro rikthehet me paterica në rezidencën e Italisë për "Euro 2008". Me buzëqeshje në fytyrë duket se kërkon të fshehë hidhërimin, por kapiteni i "axurrëve" dëshiron t‘i bindë të gjithë se më e keqja kaloi. Mbrojtësit të pafat, që u detyrua të qëndrojë jashtë evenimentit më të rëndësishëm në kontinent, i është rezervuar një pritje mes duartrokitjeve. "Gjithsesi kam vendosur të qëndroj për të ndihmuar shokët e mi. Dua të jap kontribut edhe pse nuk do të luaj", paralajmëroi Kanavaro. Mjeku i kombëtares, Andrea Ferreti, pohoi se për shkak të dëmtimit të dyfishtë në kavilje, lojtari i Realit të Madridit duhet të operohet: "Sipas gjasave, ndërhyrja kirurgjikale do të bëhet nesër (sot). Do ta operoj së bashku me bashkëpunëtorin tim, doktor Kontedukan. Natyrisht që në këtë ndërhyrje do të na asistojë edhe mjeku i Realit, Alfonso Delkorral dhe një ortoped i spitalit të Vjenës. Për periudhën e rikuperimit duhet të flasim më vonë". Kanavaro ndërpret doktor Ferretin dhe thotë me shaka: "Në sallën e operacionit do të jem edhe unë". Kjo është mënyra e tij për të qenë optimist. "Profesioni im është futbollist dhe dëmtime të tilla ndodhin. Tashmë kjo është një sfidë për të ardhmen. Botërori 2010 është një objektiv për t‘u arritur. Shpresoj që brenda dy muajve të rikthehem në fushë". Dëmtimi i liderit të mbrojtjes italiane shkaktoi trishtim, mbi të gjitha te Kielini, me të cilin Kanavaro u përplas. "Tentova ta ngushëlloj, i gjori ishte shumë i mërzitur për atë që ndodhi. Gjithsesi, nuk është faji i tij, vazhdoi Kanavaro. I shpjegova që këto gjëra ndodhin. Kur të shënojë gol, ai e di se kujt duhet t‘ia dedikojë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›