E Hënë, 2 Nëntor 2026

12 orë në vitrinën e seksit në Belgjikë

17/05/2005  Nis gjykimi për Albeti Veshin, që shfrytëzoi gruan si prostitutë

TIRANË – Filloi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda procesi gjyqësor kundër të pandehurit Albeti Veshi, akuzuar për veprën penale të trafikut të femrave për prostitucion. Akuza u lexua nga prokurori Anton Martini, ndërkohë që i pandehuri mbrohej nga një avokat i vendosur nga familja. Para gjykatës, të pandehurin, ishte betuar se do ta sillte bashkëshortja e tij. Aida Spaho, pasi ka bërë kallëzim kundër burrit, është paraqitur në gjykatë duke bërë dhe sigurimin e provës. Ka qenë kjo seancë gjyqësore, ku të pandehurit Albeti Veshi, përveçse iu provua akuza, i dolën në pah edhe pronat e blera me paratë që gruaja fitoi nga prostitucioni.

Seanca

Seanca gjyqësore drejtohet nga gjyqtari Xhelal Elezi. Gruaja vendosë të hakmerret ndaj bashkëshortit të "rremë", vetëm pasi mëson se nga paratë e fituara nga puna si prostitutë, nuk mori asnjë kacidhe. Ishte vetëm 19 vjeçe kur rrëmbehet nga djali me emrin Albeti Veshi. Familja, e detyruar pranon ta martojë, por në largësi. Kështu, Aida Spaho largohet me emër dhe dokumente të rreme për në Itali. Veshi u largua me emrin Lile Banushi, ndërsa vajza me emrin Vojsava Agolli. Fillimisht kaluan kufirin për të qëndruar disa kohë në shtëpinë e motrës së të pandehurit. Këtu bien dakord edhe për martesën. Ndërsa ishin në Itali, në Berat familjet e dy të rinjve bëjnë celebrimin në gjendje civile. Gjithçka u bë e besuar. Një ditë të bukur të vitit 2000, nisen për në Belgjikë. Këtu do të nisë edhe kthesa e 19-vjeçares dhe bashkëshortit të saj të "rremë". Vajza të gjithë historinë e saj rrënqethëse e ka treguar me hollësi para Gjykatës së Krimeve të Rënda në një seancë për sigurimin e provës.

Rrëfimi

"Ditën e parë që arritëm në Belgjikë, u sistemuam në një dhomë të marrë me qira. Në mbrëmje, Albeti u fut drejt e në temë. Më tha të dilja të nesërmen në rrugë, se vetëm kështu do të rregullonim jetën. Unë nuk pranova, por filloi të më rrihte. Mbi kurrizin tim ranë shufrat e hekurit. E ndërsa më godiste, qëllonte me thikë murin, duke më treguar se edhe mua do të më coptonte ashtu si bënte me të. Në këto kushte pranova të punoja si prostitutë". Kështu ka treguar para gjykatës vajza, tashmë 23-vjeçare nga Skrapari. Më pas, ajo i tregoi gjykatës se ka dalë si vitrinë në dyqan. Aty rrinte për 12 orë. Priste klientët. Kalonte në ditë shumë klientë, prej secilit merrte nga 50 deri në 100 euro. Marrja e parave ishte në dëshirë të klientëve. Tregoi se një ditë pune prej 12 orësh i shkonte 800 euro. Të gjitha paratë shkonin në duart e Albeti Veshit.

Një rumune shfrytëzohej bashkë me Aidën

Vajza nga Skrapari ka treguar para Krimeve të Rënda, se në vitrinë me të rrinte edhe një vajzë rumune. Kjo e fundit punonte për një tjetër tutor. Paratë e qirasë ndaheshin përgjysmë. Dyqani, sipas vajzës, ishte marrë me qira kundrejt një shume prej 200 eurosh në ditë, secila nga vajzat. Ngjitur me dyqanin ku vajzat qëndronin si vitrina, ishte edhe dhoma ku ushtronin profesionin e prostitutës. Kjo punë vazhdoi për gati dy vite rresht. Aida Spaho tregoi se gjatë gjithë kohës ishte e mbikëqyrur nga i pandehuri. "Unë qëndroja në vitrinë. Dyqani ishte me xham përpara dhe kështu isha nën survejim. Albeti qëndronte gjatë gjithë ditës para dyqanit. Nuk arrita të largohesha dot".

Kthimi në Shqipëri dhe denoncimi

"Albeti, pasi futi në xhep të gjitha paratë që unë fitoja në ditë, vendosi të kthehej. Erdhëm të dy dhe shkuam në Berat, në shtëpi. Pasi qëndruam disa ditë, unë shpresoja se do të blenim një shtëpi dhe nuk do të ktheheshim më në Belgjikë. Alberti më mori dhe shkuam në Sarandë. Aty blemë një apartament 36 milionë lekë dhe një lokal që kushtoi 55 milionë lekë. Kujtova se pronat do të regjistroheshin në emrin tonë. Por më vonë mësova se pronat ishin regjistruar në emrin e nënës së Albetit". Vajza është shprehur se, bashkëshorti i saj me letra fiktive në Berat, e nxori pa asnjë lekë, por nuk përfundoi këtu. Albeti me paratë e fituara nga Aida Spaho bleu edhe dy makina luksoze. Një "Benz" eleganc dhe një tjetër "slloun".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›