E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Pengmarrësi kërcënoi me përdhunim vajzën time”

17/05/2005  Sot Klement Ndini në gjykatë për masë sigurie

“Mund ta zgjidhja në shumë mënyra, por mendova se drejtësia është zgjidhja më e mirë dhe për këtë arsye ju drejtova asaj”

Gjirokastër - “Kalova një nga momentet më të vështira të jetës sime dhe nuk mund t’ia fal kurrë rrëmbyesit tim, jo faktin që vuri në rrezik jetën time, se nëse e kemi marrë përsipër këtë punë, kemi marrë parasysh edhe rrezikun, por për faktin që ai kërcënoi familjen dhe veçanërisht vajzën time për përdhunim. Këtë nuk do të jem në gjendje t’ia fal asnjëherë”.

Kështu është shprehur dje, Astrit Shema, kryetari i gjykatës së Shkallës së Parë të Përmetit, një ditë pas arrestimit të pengmarrësit të tij, megjithëse kanë kaluar disa ditë nga kjo ngjarje e rëndë, por që fatmirësisht përfundoi pa probleme, Shema vazhdon të jetë i tronditur, ndoshta më shume nga fakti se ishte krejtësisht i papërgatitur për një moment të tillë. Për Shenën ende nuk ka asnjë motiv të qartë, pse Klement Ndini, vendosi dhe e mori peng atë. “Nuk mund të prisja kurrë diçka të tillë nga një njeri, me të cilin na lidhnin marrëdhënie familjare. Nga ana tjetër e njihja që ai ishte një tip, që kurdoherë kishte hapur probleme. As nuk e mendoja se do të arrinte deri në atë pikë, duke më kërcënuar për një orë rresht me pistoletë”, u shpreh kryetari i gjykatës. Ndërkohë, kërcënuesi i tij ndodhet në qelitë e para burgimit të komisariatit të rrethit Përmet, në pritje të dhënies së masës së arrestit. “Mund ta zgjidhja në shumë mënyra, por mendova se drejtësia është zgjidhja më e mirë dhe për këtë arsye ju drejtova asaj”, përfundon Astrit Shema.

Sot, pritet që pengmarrësi i kryegjyqtarit të Përmetit, të paraqitet për vlerësimin e masës së sigurisë, para togave të zeza të këtij qyteti.

Pengmarrja

Një orë nën kërcënimin e armës

Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Përmetit, u mor peng rreth orës 10.00 të ditës së premte. Atë ditë 31-vjeçari, Klement Ndina, lindur në Leskovik e banues në Përmet, është gjendur në autoveturën me targa PR 1400 B e kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Përmetit, Astrit Shema. Duke i vënë një pistoletë në kokë, mes kërcënimit, pengmarrësi i ka kërkuar pengut të tij, kryegjyqtarit, që autoveturën e tij ta drejtoj përgjatë aksit rrugor Përmet–Këlcyrë. Nën kërcënimin e armës, Shema ka bërë siç i kërkoi Ndina, duke udhëtuar drejt Këlcyrës, ndërsa, të dy sërish bashkë janë rikthyer në Përmet.

Pas “çlirimit” nga pengmarrja, kryegjyqtari i Përmetit, Astrit Shema, është paraqitur menjëherë në komisariatin e policisë së Përmetit, ku edhe ka depozituar denoncimin për Klement Ndina. Menjëherë nga ana e policisë, është përgatitur dosja përkatëse e cila iu përcoll Prokurorisë së Rrethit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›