E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vrasja e Kullës, pyeten në Itali 20 dëshmitarë

17/05/2005  TIRANË – E gjithë seanca e pyetjes së 20 dëshmitarëve nga autoritetet gjyqësore të Xhenovës, Itali, në lidhje me vrasjen e Servete Kullës, natën e 25 prillit 2002, është e përmbledhur në tri kaseta dhe në disa procesverbale të shkurtuara. Për këtë vrasje janë marrë të pandehur katër persona, dy djem dhe dy vajza. Kujtim Dani (Xhaferri), Genci Hysa, Mirjeta dhe Teuta Lika, nga Durrësi. Këta janë të pandehurit, që në bashkëpunim me njëri–tjetrin shfrytëzuan për qëllime përfitimi Servete Kullën, e më pas e therën duke e hedhur në një kazan plehrash.

Gjykatësi

Seanca gjyqësore e zhvilluar nga autoritetet gjyqësore të Xhenovas, sipas gjyqtarit Gurali Brahimllari, bëri të gjitha përpjekjet për të sjellë para saj të gjithë dëshmitarët e kërkuar. Por, fatkeqësisht, nuk u gjet mundësia e dëgjimit të 10 dëshmitarëve të tjerë, të cilët nuk u identifikuan në banesat e tyre. Gjatë seancës së pyetjeve morën pjesë kryesuesi i trupit gjykues te Krimet e Rënda, Gurali Brahimllari, avokati i dy të pandehurve, Qazim Gjonaj dhe prokurori Adnand Xholi. Pyetjet dëshmitarëve u janë drejtuar nga ana e gjyqtarit Brahimllari, avokatit dhe prokurorit. Një kopje e materialeve të seancës gjyqësore u paraqitën dje në seancën e radhës nga gjykata, ndërkohë që kopja origjinale pritet të vijë nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë.

Italianët

Sipas gjykatës, autoritetet italiane pranuan kërkesën e avokatit Qazim Gjonaj për të parë të gjitha provat që kanë të bëjnë me vendin e ngjarjes ku u vra Servete Kulla, vendet ku ajo kryente prostitucion si dhe prova të tjera të marra në terren. Ndërkohë që në dosje janë parë edhe fotografi të marra në vendin e ngjarjes, të cilët nuk ishin objekt i seancës së zhvilluar në Itali dhe për këto kushte nuk u administruan në proces gjyqësor. Për të gjitha provat e marra para gjykatës së Xhenovës, Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi një përkthyes me licensë. Përkthimi i materialeve duhet të bëhet brenda dy javësh nga dita e djeshme. Sipas vendimit të gjykatës, përkthyesi duhet të ruaj sekretin profesional, në të kundërt do të ndiqet penalisht. Të 20 dëshmitaret kanë qenë prostituta, persona me të cilat Servete Kulla ka patur kontakte të vazhdueshme si dhe persona që kanë parë ngjarjen e 25 prilit 2002. Midis tyre janë edhe personat që e kanë dëgjuar Servete Kullën të debatojë me telefon para se të vritej e të hidhej në një kazan plehrash në një lagje periferike të Xhenovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›