12 orët shqiptare të Milanit
“Milan, Milan!...”. Ky ka qenë refreni i 14 tetorit në kryeqytetin shqiptar. Nga aeroporti i vetëm ndërkombëtar i Shqipërisë, “Nënë Tereza” e deri të stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”. Një refren, që ka ndezur zëmrat e mijëra tifozëve kuqezinj të klubit italian. Një refren, që ka nxjerrë jashtë loje çdo kordon policor si në Rinas ashtu dhe në hotel “Sheraton”. 17-herë kampionët e Italisë u pritën si heronj në vizitën e tyre historike në Shqipëri. Italiani Maldini, braziliani Ronaldinjo, ukrainasi Shevçenko, holandezi Sedorf, francezi Flamini, gjeorgjiani Kaladze, zvicerani Senderos u pritën si heronj nga futbbolldashësit shqiptarë. Inzagi, Pirlo, Dida, Ambrozini, Abiati, Borielo, Kalac, kanë parë nga afër adhurimin e tifozerisë shqiptare, e cila e ndjek çdo javë përmes televizionit.
Sheva nga Londra me çarter
I pari që mbërriti në Rinas ishte ukrainasi Andrij Shevçenko, i cili erdhi direkt nga Londra me një avion çarter, gati 30 minuta më shpejt se ekipi i Milanit, që erdhi me një avion tjetër në Shqipëri. “Për mua është hera e dytë që vij në Shqipëri, - tha për “Albania-“n, fituesi i “Topit të artë” në mjediset e zonës “VIP” të aeroportit. “Nga ato që po shoh në aeroport, ka një ndryshim të madh me atë që kam parë unë para katër vjetësh. Më vjen mirë”. Në shoqërinë e presidentit të kompanisë “Taçi Oil”, Rezart Taçit, shkëmbeu edhe disa batuta në italisht, ndërsa me policinë shqiptare ish-lojtari i Çelsit, shijoi edhe anglishten e tij. Sheva, i veshur thjesht me një xhaketë lëkure, të paktën në vlerën e 1 mijë eurove, këmishë e xhinse, ku dalloheshin edhe të grisurat e pantallonave, iku menjëherë në drejtim të hotelit “Sheraton”, i rrethuar pa “mëshirë” nga gazetarët dhe i mbrojtur nga truproja të shumta.
Të çmendur pas Ronaldinjos
Një flamur brazilian te kordoni i tifozëve ishte lajmëruesi më i mirë se te Milani “jetojnë” edhe “samba” braziliane. Jo pak, por tre të tillë: Ronaldinjo (i shënuar në listën e Milanit, me nënshtetësi spanjolle), Emerson (me nënshtetësi italiane) dhe Dida (i vetmi brazilian “i vërtetë”. Gazetarët kanë vuajtur jo pak për të parë Ronaldinjon, “qershizën mbi tortë” të delegacionit sportiv të Milanit. Të vendosur fillimisht në zonën “VIP”, 27 futbollistët e Milanit, “devijuan” për të kryer formalitetet në terminalin e pasagjerëve të zakonshëm, çka solli edhe pështjellimin në aeroport. Tifozët thirrën në korr emrat e lojtarëve. “Maldini, Maldini...; Pirlo, Pirlo; ... Dida, Dida, ... Inzagi, Inzagi”. Buzëqeshje, por dhe indiferencë nga kampionët të mësuar me këto lloj pritjesh kudo që kanë shkuar. Me buzëqeshjen e tij të zakonshme e i pandarë nga syzet, shfaqet Ronaldinjo, i rrethuar nga më shumë se dhjetë truproja, aq sa dukej se ish-ylli i Barcelonës ishte i arrestuar. “Dinjo, Dinjo..”. Turma ishte në ekstazë. Të gjithë të çmendur pas tij. Aq sa Maldini qeshi me gjithë shpirt: “Pak muaj ke Milanin, dhe paske më shumë tifozë se mua, që kam një jetë të tërë”. “Jam shumë i lumtur që vij në Shqipëri. Me Lorik Canën te Paris Sën Zhermeni ia kemi kalaur shkëlqyer”, - tha Dinjo në konferencën për shtyp.
Galiani bëhet shqiptar
“Për fat të mirë e dija, që Milani kishte shumë tifozë në Shqipëri. Por, kjo që pashë sot, me ka befasuar të gjithë”, - tha zëvendëspresidenti i Milanit, administratori i deleguar Adriano Galiani. “Ashtu siç e dini dhe ju presidenti Berluskoni është një mik i madh i vendit tuaj. Jemi këtu për të festuar me ju. Të gjithë lojtarët e Milanit, përfshirë Ronaldinjon, Shevçenkon, Inzagi, erdhën këtu si shenjë respekti për Shqipërinë”. I pyetur, se nëse Milani i futbollistëve milionërë në euro do të mundej nga milionerët në lekë të Tiranës, Galiani tha: “Futbolli luhet 11 kundër 11, kështu që do të më bëhej qejfi, që më i mirë t’i fitonte. Në fund të fundit, qëllimi i kësaj ndeshjeje ishte humanitar”. Fundi i ndeshjes ishte i lumtur për të gjithë. Tirana fitoi trofeun “Taçi Oil Albania Reads”. Më i lumturi sigurisht nuk ishte kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, i cili nuk u pa në stadium, por kryeministri Sali Berisha, i cili pati rastin më të mirë të ndiqte takimin, në një moment që presidenti i FSHF-së ndodhej në Portugali.
Kuzhinieri: “Ja si e ushqej Milanin”
Oskar Pazini është kuzhinieri i Milanit, i cili mbërriti enkas në Shqipëri për të gatuar për skuadrën në hotel “Sheraton”, madje dhe ushqimet mbërrtën enkas nga Italia, me përjashtim të pijeve. “Gatuaj për Milanin, prej 20 vjetësh”, - tha 52-vjeçari. Lojtarët te Milani janë nga vende me kuzhinë të ndryshme. “Jo të gjithë hanë njësoj, nuk ka diferenca. Kur shohin ushqimin që bëjmë ne, e dinë që është ai i duhuri. A bën Ronaldinjo naze në të ngrënë? Jo, futbollistët janë mësuar. Futbollistët hanë shumë perime, ku domatja është e përditshme, lloje të ndryshme makaranosh, djathë parmixhan, rizoto, mish viçi”, - thotë 52-vjeçari. “Kush ha më shumë? Të gjithë”, - përfundon kuzhinieri, i cili ka ardhur në kohën kur Silvio Berluskoni bleu klubin.
Shënon Ronaldinjo, Tirana mund Milanin,
Ronaldinjo shënon gol në “Qemal Stafa”, por Tirana ia doli të mundë 2-1 Milanin në trofeun “Taçi Oil Abania Reads” në stadiumin “Qemal Stafa”, në një ndeshje me karakter të theksuar miqësor, pasi dhe të ardhuat nga shitjet e biletave si dhe çeki prej 100 mijë eurosh të dhuruar nga Milani, shkuan në ndihmë të projektit të UNICEF-it. Daniel Xhafa në minutën e 29-tëë shënoi golin e parë për 23-kampionët e Shqipërisë, ndërsa Gjergji Muzaka realizoi në 72’ një supergol nga gati 30 metra, duke befasuar portierin Abiati. Edhe pse Milani kishte në përbërje yje të tillë si Inzagi, Sedorf, Ambrozinim e më pas edhe Shevçenko, golin e vetëm për 17-herë kampionat e Italisë e shënoi Ronalidinjo në minutën e 89-të.
15 Tetor 2008