BE-ja miraton pjesëmarrjen e SHBA-ve në EULEX
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të marrin pjesë në misionin e Bashkimit Europian, EULEX në Kosovë. Ky vendim u miratua nga Këshilli i Ministrave të BE-së dhe sipas tij Uashingtoni do të sigurojë se, “zyrtarët e këtij vendi do të kryejnë misionin në pajtim me aksionin e përbashkët dhe planin operativ të EULEX-it”. Iv de Kermabon, shef i EULEX-it, sipas kësaj marrëveshjeje, do të komandojë dhe do t’i kontrollojë ekipet dhe njësitë e këtij misioni. SHBA-të ndërkaq, kanë kërkuar dy përjashtime: Çfarëdo mase disiplinore do të mbetet nën kompetencat e SHBA-ve, dhe statusi i pjesëtarëve amerikanë në këtë mision do të jetë nën kompetenca ekskluzive juridike, thuhet në komunikatën e lëshuar pas takimit dyditor të Këshillit të Ministrave. Por misioni EULEX nuk njihet nga serbët në Kosovë të cilët janë shprehur se do të njohin vetëm UNMIK-un. Megjithatë autoritetet ndërkombëtare janë shprehur se misioni i BE-së do t’u vijë në ndihmë si pakicave ashtu edhe vetë shtetasve të Kosovës. Shefi i diplomacisë suedeze Karl Bilt ka deklaruar se çështja e vendosjes së EULEX-it në Kosovë nuk është kusht për ratifikimin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit dhe fillimit të marrjes së statusit të kandidatit për Serbinë. “EULEX-i është i rëndësishëm për Kosovën dhe për njerëzit që jetojnë atje, në radhë të parë për shqiptarët. Është gabim i madh që të lidhet fati i EULEX-it me hapësirën në veri të Ibrit, e cila është dhjetë për qind e territorit të Kosovës. Është shumë më me rëndësi përqëndrimi në 90 përqindshin e territorit të Kosovës, sepse shqiptarët kanë shumë nevojë për shtetin juridik”. Kështu është shprehur ministri suedez Bilt, ndonëse shefi i EULEX-it, Iv dë Kermabon, vazhdimisht përsërit se ky mision në Kosovë është për të mbrojtur minoritetet e në radhë të parë serbët. Sipas Biltit, edhe veriu ka nevojë për një sistem funksional juridik, por EULEX-i kredibiletetin e vet në raport me serbët në Kosovë do ta ndërtojë me veprimin e vet në enklavat në jug të Ibrit”,- ka thënë Bilt për shtypin serb.
15 Tetor 2008