E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shatërvanet demode dhe monumentet e shëmtuara të Tiranës”

EKSKLUZIVE/ Flet skulptori Fatos Kola

Petrika GROSI
Metropoli shqiptar vazhdon të vuajë mungesën e monumenteve nëpër shumë sheshe të tij, njëherësh shatërvanet e shëmtuara e demode, të vrasin syrin në mënyrën më të keqe, madje edhe në qendër të kryeqytetit, apo te sheshi “Nënë Tereza”, etj. Ato pak skulptura të reja të bëra gjatë dy dekadave të fundit, ose janë bërë sa për të kaluar radhën ose janë vënë në vende të gabuara, ku mezi shikohen nga njerëzit dhe nuk u japin shesheve një identitet.
Po pse ndodh e gjitha kjo dhe ccfarë do të thotë një mungesë e tillë? A ka pasoja për ne, qytetarët, turistët dhe opinionin e brendshëm e të jashtëm? Po brezat që do të vijnë, si do të na gjykojnë vallë? Si gjithmonë fajin e kanë politikanët, por askush nuk ndihet, askush nuk e merr përsipër përgjegjësinë dhe askush nuk reagon. Për rezultat, del se më të emancipuar në këtë drejtim qytetar kanë qenë gjyshërit e stërgjyshërit tanë që kanë jetuar në fillim të shek. XX sesa ne sot, në kohët moderne, kur pretendojmë që të shkojmë drejt Europës. Për të gjitha këto, por edhe problematika të tjera kemi zhvilluar një intervistë me skulptorin e njohur, pedagogun e Akademisë së Arteve, Fatos Kola

Prof. Kola, ndërsa në çdo vend të botës sheshet, monumentet janë pika referimi që tërheqin vendasit dhe turistët, këtu te ne, sidomos në Tiranë, të krijohet një përshtypje tjetër. Pse ndodh kjo?
Le ta marrim që nga fillimi qytetërimit më të hershëm; Një qytet kur ndërtohej nuk kishte vetëm funksionin e një qendre banimi për qytetarët, por edhe të një vendi ku shkëmbehen idetë, dijet, emocionet. Nëpërmjet artit qytetet ngrenë pika referuese dhe guida për njerëzit. Kur njeriu ka vendosur të punojë e bashkëpunojë në mënyrë shoqërore me veten dhe breznitë, arti mbetet kontakti më i mirë për tu lënë diçka përtej ekzistencës. Kemi parë se në të gjitha qytetërimet, qoftë të hershmet, apo edhe të rejat, raca njerëzore nuk mund të rrojë pa memorialitetin e saj. Nuk mund të jetojë pa lënë shenjat për breznitë e ardhshme dhe kjo është dukuria më thelbësore që e dallon katërcipërisht njeriun nga speciet e tjera që jetojnë në këtë planet. Pra kemi të bëjmë me një fenomen që është kultivuar gjatë mijëra vitevëe, bashkë me racën e njerëzorëve. Fatkeqësia më e madhe që vihet re në vendin tonë është se gjyshërit, i kemi pasur me lavdi në këtë lloj percepsioni dhe koncepsioni mbi vazhdimësinë e jetës. Siç dijmë nga historia, vetëm në një terren të vogël gjeografik ne kemi gjashtë qytet-shtete të periudhës helenistike. Kemi një kulturë që nëse do ta ngacmonim, do të shikojmë se poshtë këmbëve tona fle një qytetërim i madh. Qytetet e parardhësve tanë kanë qenë ndër më modernet për kohën e tyre. Njerëzit kanë krijuar objekte kulti, memoriale të ndryshme, që nga ato qytetare të ndodhura brenda një periudhe të shkurtër kohore, deri te legjendat. Vendi ynë ka pasur qytete të organizuara në mënyrë spektakolare në këtë pikëpamje. Madje duhet thënë se kur shqiptarët ishin në majat e qytetërimit, Perëndimi ende nuk kishte çliruar vetëveten. Kemi mbi 2 mijë vjet qytetërim. Janë të rrallë qytetet europiane të këtyre përmasave. Çuditërisht, në kohë ndodhi ky fenomen; Nëse ne sot qytetërimin dhe kulturën e gjejmë nën këmbët tona, ata e kanë mbi këmbët e tyre. Na bie për detyrë brezit tonë, të vazhdojmë atë që filluan brezat e parë kur nisëm të bëheshim shtet modern. Kemi periudhën e Zogut, ku u bënë dhjetëra monumente vetëm nga një skulptor, që është Odhise Paskali. Atëherë nëpër të gjitha sheshet kryesore të qyteteve të Shqipërisë filluan të ngriheshin monumentet qytetare, kushtuar individëve të shquar, ngjarjeve historike dhe fenomenve të tjera sociale të cilat ishin të vlerësueshme për botëkuptimin e asaj periudhe. Sot ne nuk gjejmë as në sasi dhe as në cilësi vepra të viteve ’20-’30 dhe kjo është sfida. Sot në kryeqytetin tonë ne ndeshim me një vend ku duket sikur ka ndaluar koha. Por nëse në atë kohë ne kishim të vetmin skulptor, Odhise Paskalin, i cili po mbillte Shqipërinë me vepra skulpturore, sot ne jemi rreth 600 skulpturorë profesionistë që i ka nxjerrë koha tepër dhe nuk kanë krijuar të gjithë sëbashku sasinë e veprave që u realizuan në vitet ’20-’30 të shek.XX. Kjo tregon varfërinë tonë në këtë aspekt. Nëse në atë kohë Tirana ishte një qytet me 5 mijë banorë, sot është një kryeqytet me gati një milionë banorë. Nëse atëherë kishim dhjetë skulptura parku, tani duhej të kishim njëqind herë më tepër. Edhe pas viteve ’90, për dy dekada me radhë, nuk kemi as sasinë as cilësinë e atyre veprave. Mjaft të përmendim edhe një fakt tjetër dhe duhet të ndihemi të turpëruar; Atë kohë shqiptarët ishin 99% analfabetë, ndërsa sot janë 100% të arsimuar dhe të dalë nëpër botë. Lind pyetja: Me çfarë do të ballafaqohemi me qytetërimin europian, aty ku ne duam të shkojmë?! Do të mburremi me atë sesi ishim ne para tre mijë vjetësh, ndërkohë që tani duket sikur këtu ka mbaruar jeta? Mendoj, për të mos marrë artistët skulptorë akuzën e pamerituar, sfida i takon institucioneve, të cilat i nxjerrin tepër ata skulptorë që mezi i ndërtojmë dhe formëzojmë në shkollat tona. Janë të gjithë pa punë. Po të kishim shumë monumente, siç kanë qytetet e tjera të botës, skulptorët mund edhe të mbeteshin pa punë, por në një vend si i yni, që ka kaq shumë nevojë për monumente ata nuk duhet të qëndronin asnjë çast pa punë. Kjo është fatkeqësia e parë. Fatkeqësia e dytë është se dhe ato pak monumente që janë bërë, paraqesin një nivel mediokër, qoftë nga pikëpamja e marrëdhënies me hapësirën dhe me sheshet, qoftë sa i përket vlerave të tyre plastike. Mendoj që ka ndikuar në vlerat e ulëta të krijuara sistemi jo korrekt i praktikuar në realizimin e një vepre të rëndësisë siç është një monument qytetar. Praktikat e përdorura deri më sot kanë qenë pothuajse të fshehta.

Le të flasim më konkretisht. Kemi një monument të Nënë Terezës, i cili të krijon përshtypjen sikur nuk është i realizuar artistikisht dhe sikur është vendosur në vendin e gabuar, për të mos folur për shatërvanin, aspak estetik në qendër të Tiranës.
Nëse do të shohim sheshet kryesore të kryeqytetit, ato lëngojnë jo vetëm nga papastërtia e frymëmarrjes estetike, por edhe nga cilësia e dobët e veprave që janë ndërtuar. P.sh. Për monumentin e Nënë Terezës ne kemi sheshin “Nënë Tereza”, ndërkohë që atë e kanë marrë dhe e kanë fshehur në një vend që të mos duket. Por të mos harrojmë se paratë për këtë vepër janë dhënë nga taksat tona. Projekti është bërë, paratë janë dhënë por vepër nuk kemi. Të dyja palët neglizhuan, edhe shteti që investoi dhe artisti që i ngelej vepra. Është një kompromis, për të mos e bërë siç e meritonte këtë vepër.

Pra po thoni se skulptori Thoma Thomai nuk ka punuar me seriozitet?
Jo vetëm Thoma Thomai, por edhe ata që investuan për këtë punë dhe nuk i kërkuan llogari se çfarë ai do të bënte. Po të kalojmë te shatërvanet, edhe ai që kishim në funksion e kemi nxjerrë jashtë funksioni. Po ta marrim nga pikëpamja estetike, shatërvani te sheshi “Nënë Tereza” është demode, i ka kaluar koha. Është nga gjërat që na diskriminon fare dhe është për ironi të fatit përballë me Akademinë e Arteve, me një pjesë të ajkës së artistëve më të mirë që ka Shqipëria. Çuditërisht edhe këtu kemi një heshtje varri. Fatkeqësisht, heshtje varri kanë edhe institucionet që drejtojnë Tiranën e sotme, e një fatkeqësi e tjetër është se kemi një artist në krye të këtij institucioni. Në të gjitha projektet moderne të urbanistikës së Tiranës nuk kemi parë kurrë ndonjëherë të jetë propozuar një vepër arti. Nëpër institucione, edhe ato forca të cilat janë profesionale, qëndrojnë indiferente. Ndërtohen me miliona m3 sheshe me beton, thonë se kemi mbjellë bar në hapësira publike dhe nuk na i tregojnë asnjëherë se ku është ky bar, sikur ne jemi lopë dhe do ta hamë. Ekologjia estetike e artit pamor nuk ekziston fare. Këtu kemi një jetë të papastër nga të gjitha pikëpamjet. Nëse kemi matës për ndotjen akuistike, apo grimcat e ajrit nga pikëpamja ekologjike, ne nuk kemi matësin e ndotjes së shikimit. Syri është ai që percepton 80% të infomacioneve dhe sensacioneve që përfton dhe emeton një qenie njerëzore. Ai është aparati më i sofistikuar që ka njeriu. Pikërisht syrin kemi vrarë ne. Syri i shqiptarëve është syri më i ndotur në të gjithë botën.

Prof. Kola, dëgjojmë gati përditë në deklarata publike, ministrin e Kulturës, apo qeveritarë të tjerë, të cilët thonë se kemi ngritje të turizmit turistik dhe investime të mëdha për të.
Kur i dëgjon deklarata të tilla është të qeshësh me të madhe. Duhet të flasin për turizmin e një syri që vuan e lëngon nga një dhunim i tmerrshëm estetik i betonimeve pa kriter. Miliona lekë jepen për studiot arkitekturore por asnjëherë nuk kemi parë të bëhet investim në artin e skulpturës. Ky art është projektuesi i ngjarjeve më madhore të një qytetërimi, por dhe më i qarti i qytetërimive të djeshme, të sotme dhe të nesërme. Qytetërimet sot i masim me veprat e artit që ato i kanë lënë njerëzimit. Problemi tjetër tek ne është se artistët nuk ftohen në asnjë debat estetik mbi projektet që zhvillohen. Gjërat bëhen fshehurazi dhe njerëzit që marrin përsipër ato pak vepra, nuk janë profesionistë. Këto probleme u takojnë akademikëve, psikologëve, sociologëve dhe domosdoshmërisht artistëve. Për katër vite me radhë shteti paguan para për të nxjerrë skulptorë, të cilët tani kanë dalë tepër në Shqipëri. Drama jonë është se qytetërimi ynë i sotëm nuk ka fytyrë. Nuk është fytyra jonë e vërtetë ajo që presim nga të huajt, të cilët po i fitojnë të gjitha konkurset me projekte që brenda nuk përmbajnë asnjë vepër arti. Asnjë projekt nuk ka të planifikuara në vetvete sheshe për vepra arti dhe në asnjë këshill të mbledhur për miratimin e tyre, nuk u thirrën kurrë piktorët e skulptorët për tu kërkuar mendimin.

Pra sipas jush, problemi qëndron në faktin se jemi një kryeqytet pa identitet, sa i takon të tashmes dhe së ardhmes që po ndërtojmë?
Sigurisht. Arkitektura nuk mund të japë identitetin e një qytetërimi pa u bashkëjetuar dhe me kontributin e veprës së artit.

Sa shatërvane moderne duhet të kishte sipas jush Tirana dhe pse?
Duhet të kishim shumë shatërvane, qoftë edhe të cilësisë të dobët, por ne nuk i kemi fare. Sheshet tona vuajnë nga një temperaturë jashtëzakonisht e lartë biologjike. Ato nuk janë as estetike, as të gjelbëruara dhe as me një vijë uji që të ushqente mjedisin. Edhe fshati më i humbur i Shqipërisë, sot po bën shatërvane më të bukura sesa ato të Tiranës. Kjo vjen sepse nuk u thërritën asnjëherë skulptorët kur janë bërë konkurse për projekte të tilla. Më thoni vetëm një rast nëse keni dijeni.

Po për pikturimin e pallateve të kryeqytetit çfarë mendimi keni?
Do të thoja siç thashë më parë: Më mirë keq, sesa aspak. Por kaq keq, gjërat dalin në invers. Duhet të merremi më shumë me anën artistike e kulturore të veprave që bëjmë sesa me anën e shoë-t të tyre. Në këtë rast kemi vetëm një show. Bëjmë konkurse për gjëra pambarim që nuk kanë licensë në qytetërim, por që dalin dhe shuhen menjëherë. E mbetur vetëm me kaq, lyerja e pallateve është fare pak, do ta quaja varfëri ekstreme shpirtërore. Të paktën tu ishin dhënë këto pallate me konkurse atyre mijëra piktorëve shqiptarë dhe secili t’i pikturonte ashtu si të mundte më mirë. Nuk kemi pse të marrim një piktor nga Franca që të na pikturojë pallatet tona. Është turp të nxjerrësh piktorët dhe skulptorët tepër në një vend ku mungon gjithçka. Ne duam të shkojmë ne Europë, po te cila Europë do të shkojmë? Europa nuk e di që këtu ka 600 skulptorë dhe asnjë skulpturë prej tyre. Ajo di që ne nuk kemi skulptorë, piktorë, arkitektë. Ne nuk jemi as për tu matur me vitet ’20, kur i vetëm Odhise Paskali ka realizuar rreth 300 vepra skulpturore të zhanreve të ndryshme për 20 vjet. Në të gjithë Shqipërinë kemi vetëm 10 të tilla për 20 vitet e fundit.

Po për ato pak monumente të reja që janë bërë, ç’mund të themi?
Të gjitha këto monumente janë vendosur mjaft keq në raportin e komunikimit të sheshit me një vepër arti. Vetëm mbyllen në vende, të cilat nuk janë enkas të përpunuara për të parë në mënyrë optimale një vepër arti. Vepra e artit duhet t’i japë sheshit identitet. Kështu kemi monumentin e krijuar te Medreseja (Hafiz Ibrahim Dalliu), monumentin e krijuar te Parlamenti (Fan Noli), monumentin e krijuar te sheshi “Partizani” (Sulejman Pasha)... Marrëdhënja mes veprës artistike dhe shesheve është krejtësisht banale. Konkurset për këto vepra janë bërë vjedhurazi, veprat vetë janë bërë vjedhurazi dhe ashtu vjedhurazi kanë dalë, janë zhvendosur dhe janë hequr nga një vend në tjetrin. Edhe monumenti i Nënë Terezës nga e njëjta dramë vuan, vëllezërit Frashëri po kështu. Në atë hapësirë që i transferuan, atyre u merret fryma nga dyqani që shet petulla dhe kafe. Monumentet janë mbuluar dhe nuk kanë hapësirën e duhur për tu parë nga një sy që i respekton. Është bërë investimi dhe monumentet përsëri nuk duken. Njerëzit që i kanë krijuar këto monumente duket sikur nuk kanë as arsimin 8-vjeçar dhe jo më atë akademik. Kjo vjen se gjërat bëhen të gjitha fshehurazi dhe vjedhurazi. Nëse do t’i hynim një gjykimi profesionist publik keni për të parë se këto që them unë janë vetëm a-ja e problemit. Këtu janë shembur të gjitha ligjet e artit pamor në pikëpamjen e marrëdhënies së një vepre arti dhe sheshit me të cilin ajo duhet të bashkëjetojë.

Si ka mundësi që ka kaq shumë probleme dhe kaq shumë heshtje nga kolegët tuaj artistë?
Shteti është i interesuar që të mos shpenzojë shumë para për monumentet dhe në anën tjetër kemi një klan artistësh që është i interesuar që ato pak para që jepen, t’i gëlltisë të gjitha për vete. Po të shikoni listën e veprave që janë bërë, duket qartë se është një ekip që i ka zgjedhur dhe i ka ndarë mes emrave të po këtij ekipi. Po të njëjtën piktorë që kishin të drejtën atëherë kur veprat bëheshin me emërime e porosi politike, e gëzojnë këtë të drejtë dhe sot. Nuk ka ndryshuar asgjë. Monumentet jepen me emërime dhe jo me konkurse. Zhvillohen më së shumti disa pseudokonkurse.

A nuk është për të ardhur keq që më tepër po e zhvillojnë këtë art privatët, lokalet, restorantet e vilat, duke bërë vepra monumentale, teksa shteti në anën tjetër qëndron pasiv?
Krijimi privat shpesh reket drejt vulgut dhe shpirtit të kursimit, ndërsa investimi shtetëror për një vepër artistike që i takon të gjithë qytetarëve duhet të ketë vlera të kualiduara.
Edhe më keq nëse flasim për kryeqytetin, pasi pritet shumë më tepër nga një vend ku kemi të përqendruara forcat dhe resurset më të mëdha. Në këtë moment themi se krijimi i veprës publike që bëhet nga shteti, duhet disa herë t’ia kalojë nga përmasat dhe vlerat veprave që bëhen privatisht, por ja që shpesh konstatohet e kundërta. Pse vjen kjo? Pikërisht sepse veprat kanë rënë në duart e atyre që dijnë t’i bëjnë dhe jo të klaneve. Kjo tregon se jo të zgjedhurit nga politika janë njerëzit që kanë vlera. Ekologjia kulturore është drama më e madhe që po i ekspozon shqiptarët si njerëz barbarë para qytetërimit modern ku duam të shkojmë. Kjo nuk u falet atyre që e drejtojnë këtë vend. Ata kështu tregojnë klasin vulg të tyre. Edhe ato pak gjëra që bëhen, jepen me listë, për të mbajtur të parët ata skulptorë që dolën të fundit kur u hapën dyert e lirisë. Sipas këtyre ne paskemi vetëm 10 skulptorë dhe vetëm këta dijnë të punojnë. Kjo është e pavërteta më e madhe dhe sfida më e pamerituar që mund tu bëhej artistëve shqiptarë. Realiteti nuk është ky. Nëse do të mbledhim të gjithë skulptorët që prodhon Akademia e Arteve dhe ata që ka nxjerrë e që po harrojë profesion duke shitur banane, të jeni të bindur se edhe falas do ta bënin nga një vepër. Qindra shqiptarë në të gjitha fushat po ikin dhe po zbukurojnë botën. Janë plot talent dhe ide, shumë të rinj që ikin vetëm se nuk u jepet mundësia. Vetëm me punët e diplomave që studentët bëjnë gjatë një plejade në Akademi, do të mbusheshin të gjitha sheshet e Tiranës. Jepen para për të ndërtuar rrugë sikur ne jemi vetëm një vendkalim dhe jo një vend ku njerëzit qëndrojnë, jetojnë dhe punojnë. Ne shesim mend me rrugët dhe jo me pasuritë shpirtërore e kulturore tonat. Në çdo qytet kemi skulptorë që mund të kishin bërë me dhjetra monumente. Seleksionimi artificial është një krim intelektual që iu bëhet atyre. Të gjithë sëbashku, kemi shumëçka për t’i treguar këtij qytetërimi. Në vendin më të varfër në botë, me vepra arti të karakterit qytetar, si mund të dalin tepër skulptorët? Duhet pasur parasysh se krijimi i një skulptori kushton më shumë se të gjitha arsimimet në lëmitë e tjera të jetës. Nëse nxjerrim tepër skulptorët jemi një qytetërim që nuk dijmë të vendosim në hirearkinë e duhur një prej profesioneve më lavdisjellës të racës njerëzore.

Cilat mund të ishin vendet më të mira në Tiranë për të bërë skulptura dhe çfarë monumentesh mund të bëheshin?
P.sh. Për t’i treguar qytetërimit të mbarë botës se ne kemi pasur lavdi që në qytetërimet më të hershme, shumë mirë do të ishte që skulpturat më të mira të zgjedhura nga kultura ilirike, ose ajo helenistike, romanike e më vonë, t’i nxjerrim në dimensione të përshtatshme për hapësirat. Kjo për të treguar se qytetërimi ynë nuk ka nisur as sot dhe as më 1920-n, por mbi tre mijë vjet më parë. Kjo mund të bëhej te bulevardi kryesor i shqiptarëve që është një vepër monumentale dhe një nga hapësirat më të përshtatshme që mundëson vendosjen e një vargu veprash skulpturale. Këto vepra të radhitura sipas kohëve të krijimit të tyre historik, të zinin vend në piedestale ndërtuar enkas për to. Do të ishte një sipërmarrje kuptimplotë qoftë në sensin e rivlerësimit të mrekullisë dhe të talentit të jashtëzakonshëm që patën gjyshërit tanë në artin e të skulpturuarit, ashtu dhe në aspektin e vërtetimit para vetvetes dhe botës, që ne i përkasim këtij qytetërimi lavdiplotë. Njëkohësisht, ekspozeja e kësaj historie në vepra arti do të ishte dhe një sfidë artistike dhe intelektuale për qytetërimin e sotëm e të nesërm tonin, dhe sidomos për artistët.

15 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›